Kuvend, Buxheti 2025 kalon me 75 vota pro, vetëm 24 kundër! PS rrëzoi të gjitha amendamentet e PD dhe PL, Malaj: E kthejnë në buxhet piramidal

TIRANË-  Me 75 vota pro dhe 24 kundër maxhoranca votoi në tërësi pr/buxhetin për vitin ardhshëm vlera e të cilit është 8.2 miliardë euro. Kartonat jeshilë u ngritën pas 9 orëve debate, ku mazhoranca rrëzoi të gjitha amendamentet e opozitës. 55 nismat  e PD-së, PL-së dhe grupit të Alibeajt, u konsideruan nga qeveria si të pamatura, e siç tha ministri i Financave, ishin një piramidë për arkën e shtetit.

Plot 825 miliardë lekë do të jenë në dispozicion të institucioneve për tu shpenzuar për shërbime shëndetësore, për paga, për skemat e mbështetjes të familjeve në nevojë, pensione, arsim, punësim, sigurinë, bujqësinë, transportin rrugor, drejtësinë e deri tek shpenzimet për zgjedhjet parlamentare të 2025-ës. Votat pro buxhetit i dha dhe PSD.

Të parat amendamente që rrëzuan socialistët ishin ato të propozuara nga Sali Berisha i cili u rikthye sot në Kuved pas 11 muajsh në 'arrest shtëpie' në kuadër të hetimeve për aferën e privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani, për të cilin SPAK e akuzon ish kryeministrin për korrupsion. 

Me 77 vota u rrëzuan 2 amendamentet e propozuara nga Berisha për të pezulluar të gjitha prokurimet për investime publike dhe shpenzimet luksi deri në momentin për caktimin e minimumit jetik, për të cilën deputeti i PD-së Flamur Noka propozoi 200 euro. Nuk u pranua as amendamenti i PD-së për rimbursimin e parukeve dhe protezave të gjirit. Kartonët e kuq të socialistëve u ngritën edhe për 11 amendamentet e PL-së.

Pikat më kulminante të debateve ka qenë përplasja e deputetëve të PD-së, Ina Zhupa me Edmond Spahon me ministren e Arsimit Ogerta Manastirliu dhe përplasja e deputetit Bledion Nallbati me ministrin Petrit Malaj.

Kryeministri Edi Rama nuk ishte sot në seancë parlamentare, pasi ndodhet në Bruksel në pritjen e organizuar nga Presidenti i ri i Këshillit Evropian me liderët e Ballkanit Perëndimor. Në seancë është vëne re dhe mungesa e Lulzim Bashës, kreut të demokratëve euroatlantikë. Ndërsa ish kryeministri Berisha u largua nga seanca pasi mbajti fjalën për amendamentet e tij dhe u rrëzuan me votë. Po me 75 vota pro buxheti kaloi në parim dhe në seancën e 19 nëntorit 2024.

Lexoni me shume:  Si do të shpenzohen mbi 825 miliardë lekë?
Këtu janë të gjitha amendamentet e propozuara nga PS, PD e PL

Në zhvillim janë të gjitha diskutimet sot në Kuvend

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:40
Miratimi i buxhetit 2025/ Reagon Bardhi: Pasurim i elitës, thellim i varfërisë për shqiptarët

1733255067_bardhi.JPG

Pas miratimit nen për nen të buxhetit të vitit 2025 në parlament seancën e sotme, ka reaguar në Facebook, kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi.

Ky buxhet, i miratuar me shumicën parlamentare, sipas tij, thekson një ndarje të thelluar mes interesave të qeverisë dhe qytetarëve. Refuzimi i 34 propozimeve të PD-së tregon një mungesë të vëmendjes ndaj grupeve më të prekshme: pensionistëve, fermerëve, të rinjve, bizneseve dhe të varfërve.

Kritikat ndaj qeverisë Rama pas 12 viteve theksojnë se fokusimi mbetet te mirëqenia e rrethit të ngushtë të pushtetit, duke lënë në hije interesin publik.

'Buxheti i miratuar për vitin 2025 është buxheti i mirëqenies personale të Edi Ramës dhe një grushti njerëzish rreth tij, dhe buxheti i thellimit të varfërisë për qytetarët shqiptar.

Vota e Edi Ramës dhe deputetëve të tij kundër 34 propozimeve të bëra nga Grupi Parlamemtar i PD në Buxhetin e Shtetit 2025 nuk është votë kundër deputetëve të opozitës, por është votë:

kundër pensionistëve,

kundër fermerëve,

kundër të rinjëve,

kundër studentëve,

kundër bizneseve,

kundër ish- të përndjekurve,

kundër pronarëve,

kundër shërbimit cilësor shëndetësor apo arsimor,

kudër qytetarëve në nevojë dhe në varfëri ekstreme,

kundër minatorëve,

kundër mësuesve apo kundër mjekëve.

Në vitin e 12 të qeverisjes, edhe me Buxhetin e fundit të qeverisë së tij, Edi Rama provojë edhe njëherë se është në pushtet për mirëqenien e tij dhe rrethit pranë tij, dhe asnjë ditë për mirëqenien e qytetarëve. Në 12 vite vetëm kundër qytetarëve, kundër interesit publik, kundër Shqipërisë', shkruan Bardhi në Facebook.

Ora 18:37
Kuvendi/ Gjylameti ironizon opozitën për amendamentet: Si Liza në botën e çudirave! Spiropali i 'tërheq veshin': Më shumë respekt për Lizën...

 

Teksa diskutohej Neni 15 për rendin e ditës në diskutimet për amendamentet e opozitës dhe propozimet e Komisioneve, fjalën e ka marrë në emër të mazhorancës dhe komisionit deputetja socialiste Blerina Gjylameti.

Ajo rrëzoi akuzat e opozitës për rënie ekonomike, buxhet të vogël dhe braktisje të shtresave në nevojë apo pensionistëve, duke theksuar se ky buxhet i mbulonte të gjithë sektorët.

Madje ajo në një moment ironizoi opozitën për amendamentet e depozituara në Kuvend, ku deri tani janë rrëzuar të gjitha me votat e mazhorancës: 

“Si Liza në botën e çudirave...!”, u shpreh mes të tjerash Gjylameti duke bërë krahasimin.

Por e vëmendshme gjatë fjalës, kryetarja e Parlamentit, Elisa Spiropali, bëri ndërhyrjen e saj, duke i “tërhequr veshin” koleges socialiste.

“Do doja pak më shumë respekt për Lizën...!”, iu drejtua kryeparlamentarja, teksa u kalua edhe në votim me rrëzim të amendamentit të radhës të deputetit Xhelal Mziu dhe kalim të atij të Komisionit.

Ora 18:13
Buxheti në Parlament, mazhoranca rrëzon 4 amendamentet e radhës të PD, voton vendimet e marra nga Komisionet

1733240843_WhatsAppImage20241203at16.45.34.jpeg

Nga votimi i rrëzimit të një prej amendamenteve të PD

Në Kuvend po diskutohet nen për nen Buxheti 2025, por edhe diskutohen amendamentet e propozuara nga ana e Opozitës, mbi 50 të tilla. Deri tani janë rrëzuar të gjitha amendamentet e propozuara dhe diskutuara, kurse seanca është ende në proces.

Mazhoranca vlerëson se Buxheti i propozuar me gjithë shtesat nga Komisionet është i pranueshëm, pasi janë dëgjuar të gjitha ankesat dhe propozimet ekonomike për shumë sektorë dhe janë aprovuar shtesat me mbi 2,3 mld lekë.

Por Opozita, kryesisht PD, ka këmbëngulur për amendamentet e saj në fusha të ndryshme.

Aktualisht janë rrëzuar me shumicë votash nenet 12, 13 dhe 14 të diskutuara për propozimet e PD dhe ato të Komisioneve.

Respektivisht u rrëzuan amendamentet e deputetes Sorina Koti, në të dy propozimet, me 17 vota pro dhe 57 kundër, sikurse edhe ai i Jorida Tabakut me 69 vota kundër, si dhe një i katërt me 62 vota kundër dhe 22 pro, i propozuar po nga PD.

Por mazhoranca miratoi vendimin e Komisioneve për të tre rastet në fjalë me shumicë votash, proces i kryer në votim me kartonë, ndryshe nga ai i amandamenteve që ishte elektronik.

Ora 18:00
Rrëzohet me 69 vota amandamenti i Tabakut për zhvlerësimin e Euros: Këtë buxhet e ndjejnë vetëm qeveritarët, Fasonët dhe Bujqësia përtokë! Shalsi: U forcua leku

1733245190_joridatabaku.jpg

Jorida Tabaku, sot në Parlament, duke prezantuar amendamentin për zhvlerësimin e euros

Deputetja Jorida Tabaku akuzoi nga foltorja e Parlamentit qeverinë dhe mazhorancën se ka lënë pas dore dy nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë në vend, si Industria fasone dhe Bujqësia, teksa bizneset duhen rimodeluar dhe ndihmuar, pasi po falimentojnë, edhe për shkak të zhvlerësimit të euros.

Tabaku kritikoi buxhetin e propozuar dhe kërkoi përfshirjen e amandamentit të saj për zhvlerësimin e euros në treg, me qëllim dhënien e ndihmës së industrisë dhe bujqësisë, për të shmangur falimentimet e mëtejshme. 

“Këtë buxhet nuk e ndjen askush përveç qeveritarëve, shqiptarët janë më të pambrojturit”, tha Tabaku ndër të tjera. Ajo bëri thirrje në sallën e Parlamentit që të merrej parasysh amendamenti dhe propozimet.

Pavarësisht fjalës dhe thirrjes së saj, mazhoranca e rrëzoi me 69 vota kundër, zero abstenime dhe vetëm 16 pro amendamentin e saj për tregun e zhvlerësimit të euros.

Tabaku nënvizoi se:

“Si ka mundësi që këtë buxhet të madh s’e ndjen askush, as qytetarët, as bizneset, përveç qeveritarëve sigurisht. Kur e krahasojmë me rajonin, shqiptarët mbeten më të pambrojturit. Shumë sektorë po vuajnë si rezultat i zhvlerësimit të euros. Më i prekuri ai i fasonerisë me peshë 30 për qind të eksporteve dhe mbi 70 mijë të punësuar. Janë mbyllur kompani të shumta, shifra alarmante në të gjithë vendin në këtë sektor. Industria është sektori i dytë që e reflekton këtë krizë. Rezultat i informalitetit dhe parave të pista, janë dëmtuar rëndë. Këto biznese nuk kanë fitim, çfarë do ngrijë qeveria për taksën e tatim-fitimit. Këto sektorë duhen ndihmuar. Ndihma për këtë industri është për 70 mijë familje shqiptare që mund të hidhen në rrugë. Koncepti i tyre është vetëm panairet, këto tre sektorë janë shëmbëlltyrat më të mira për këtë vend dhe janë lënë pas dore...”. 

Teksa deputeti socialist Eduart Shalsi, njëkohësisht kryetar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, tha se “nuk është zhvlerësuar euro, por është forcuar Leku”.

Fjala e plotë e Jorida Tabakut:

"Pak orë më parë, Banka e Shqipërisë publikoi të dhënat e Treguesit të Ndjesisë Ekonomike, dhe bizneset shqiptare nuk kanë besim në ekonominë e vendit. Këtu bëhet fjalë veçanërisht për sektorin e industrisë, i cili ka shënuar një rënie në besimin ndaj ekonomisë. Ky “prosperitet i madh ekonomik” dhe “arritje e madhe e buxhetit” nuk ndihet nga askush. Nuk e ndiejnë as bizneset dhe as qytetarët. Fuqia blerëse e shqiptarëve, që kanë pagën më të ulët në rajon, është sa 34% e mesatares së Bashkimit Europian, duke u renditur të fundit në rajon. Shqiptarët mbeten ndër më të varfërit dhe më të pambrojturit. Kriza ekonomike ka përfshirë shumë sektorë. U diskutua për bujqësinë si një sektor nënfinancuar, por gjithashtu një nga sektorët më të goditur nga zhvlerësimi i euros është sektori i fasonerisë.

Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, eksportet e industrisë fason kanë pësuar një rënie drastike prej 23% në vitin e fundit, duke zbritur në 55.41 miliardë lekë nga 68.1 miliardë lekë një vit më parë. Vetëm në dy muajt e parë të vitit 2024, janë shkurtuar 3,000 vende pune në fabrikat e fasonerisë, nga Shkodra në Laç e deri në Gramsh dhe Bilisht. Ky është një sinjal alarmi për një sektor që jo vetëm mban me bukë mbi 70 mijë familje shqiptare, por është edhe motor i eksporteve tona. Zhvlerësimi i euros dhe rënia e fuqisë konkurruese të produkteve tona po shkatërron këtë sektor. Pavarësisht zhvlerësimit të euros me 40%, bilanci tregtar i vendit nuk ka njohur përmirësim. Përkundrazi, produktet ushqimore që importojmë blihen 20-40% më shtrenjtë, një kosto që rëndon drejtpërdrejt mbi xhepat e qytetarëve. Në të njëjtën kohë, zhvlerësimi i euros ka dëmtuar rëndë konkurrueshmërinë e produkteve tona, duke i bërë ato më të shtrenjta dhe më pak atraktive për tregjet ndërkombëtare.

Cilat janë masat që merr qeveria? Ajo u thotë këtyre bizneseve se do të ngrijë tatimin mbi fitimin. Por çfarë sensi ka të ngrijë tatimi mbi fitimin kur nuk ekziston?! Gjithsesi, me kolegë të mazhorancës kam diskutuar dhe kemi rënë dakord për disa problematika. Në fakt, shqetësimi më i madh për këto industri është mungesa e përgatitjes për tregun europian. Kjo është përgjegjësi e qeverisë, e cila duhet të investojë dhe t’i ndihmojë këto biznese që nga produkte gjysmë të gatshme të konvertohen në produkte plotësisht të gatshme, për të dalë në tregjet e BE-së me markën “Made in Albania”. Çfarë do të eksportojmë ne në tregjet e Europës? Bujqësinë e kemi shkatërruar, dhe produktet e saj i hedhim në rrugë. Po ashtu, industrinë fason po e shkatërrojnë, duke lënë punonjësit pa punë. Bizneset mbyllen, dhe çfarë po eksportojnë sot shqiptarët? A e dini se bizneset shqiptare që prodhojnë produkte “Made in Albania” paguajnë tarifa të njëjta me Kinën? A e dini se mungesa e transparencës në këtë proces ka shkaktuar një krizë besimi te bizneset?.

E kam të qartë që procesi i integrimit do të transformojë ekonominë tonë. Ne duhet të rimodelohemi, duke u përshtatur me tregun dhe duke e rikonceptuar ekonominë. Por nga ana tjetër, një industri e tillë që punëson kaq shumë njerëz duhet ndihmuar. Duhet të vendoset një formë garancie dhe subvencioni për t’i ndihmuar bizneset të investojnë. Jo të shpikim “ngrirjen e tatim-fitimit” kur ai nuk ekziston. Kjo është ndihma që u duhet 70 mijë familjeve shqiptare, të cilat mund të mbeten pa punë. Punonjësit e këtij sektori kanë paga minimale dhe janë ndër më të varfrit. Ndaj, ndërhyrja për t’i ndihmuar është urgjente. Vendimi për rritjen e pagës minimale ka goditur këtë sektor si biznes, por edhe punonjësit e tij. Kur qeveria thotë se ka rritur pagën minimale, kjo nuk i kushton asgjë asaj, përkundrazi, ajo fiton më shumë nga kontributet. Ndërkohë, bizneset dhe punonjësit e tyre mbajnë barrën më të rëndë. Mbështetja për këtë sektor që ndodhet në krizë, si dhe për bujqësinë, është jetike. Një vend që pretendon se ka hapur negociatat dhe premton integrim, duhet të ndihmojë dhe subvencionojë bizneset shqiptare. Në buxhetin e shtetit nuk ka asnjë lek të dedikuar për këtë qëllim. A e dini çfarë propozon qeveria për bizneset shqiptare? Panaire! Një koncept arkaik dhe pa asnjë vlerë reale. Industria fason, industria në përgjithësi dhe bujqësia janë pasqyra më e mirë e ekonomisë shqiptare: rënie dhe katastrofë. Kushdo që jeton me të ardhura nga këto sektorë është në mëshirë të fatit".

Ora 16:48
Berisha kërkoi 1 minutë heshtje për profesor Repishtin, Balla e 'shigjeton': Fyerje, vite më parë e akuzove si spiun të Sigurimit (VIDEO)

 

Kuvendi sot ka pasur momentet e tij pikante, ku nuk munguan akuzat mes palëve, teksa diskutohet pr/buxheti 2025 nen për nen.

Në një moment, deputetja Jorida Tabaku ka kërkuar një minutë heshtje në Kuvend për ndarjen e parakohshme nga jeta të anëtarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, Arben Tafaj, kryetar i shoqatës “Tirana”.

Pas kësaj kërkese, Ministri i Shtetit, Taulant Balla ka marrë fjalën, teksa u shpreh se kjo minutë e heshtjes është bërë pak qesharake, pasi edhe Sali Berisha kërkoi më herët 1 minutë heshtje për ndarjen nga jeta të profesor Sami Repishtit, ndërkohë që disa vite më parë e akuzonte si spiun të Sigurimit.

“E kam kërkuar edhe në mëngjes fjalën, por nuk m’u dha. Për të shpjeguar diçka që e kemi të shkruar edhe në rregulloren e Kuvendit, pasi kjo historia e minutës së heshtjes është bërë pak qesharake. Pra e kemi shkruar në rregulloren e Kuvendit, dhe kemi thënë se minuta e heshtjes kërkohet nga çdo deputet, por ajo nuk jepet menjëherë. Diskutohet mes kryetares së Kuvendit dhe kryetarit të grupit, për të përcaktuar një kohë të përshtatshme se kur mund të mbahet, në respekt në radhë të parë të atij për të cilin e kërkojmë këtë minutë heshtjeje. Kështu që në parim, si një prej kolegëve të sallës do isha dakord, por zonja kryetare e Kuvendit do kërkoja që në konsultim me kryetarët e grupeve do kërkoja që në një moment që edhe salla të jetë siç i takon figurës, personalitetit në fjalë dhe të mos bëhen akte qesharake që ndodhën në mëngjes, kur personi që e ka akuzuar tjetrin për spiun (i referohet Berishës), kërkon edhe të mbahet një minutë heshtjeje për të shkretin”.

Më pas, Balla ka bërë edhe një postim në Facebook për këtë moment, ku e rithekson atë që tha në Parlament, duke e shoqëruar edhe me fjalimin e mbajtur në sallë.

"Respekt për figurën e Arben Tafaj! Respekt për figurën e Sami Repishtit! Por është fyerje dhe e papranueshme kur minuta e heshtjes për atdhetarin dhe antikomunistin Sami Repishti, u kërkua nga një person që vite më parë e akuzonte për spiun të sigurimit", tha Balla ne Kuvend.

Postimi i Taulant Ballës
Ora 16:31
Buxheti 2025 në Parlament/ Deputeti Frrok Gjini ‘zapton’ foltoren, Spiropali: Edhe ju në kuadrin e malësorëve që e marrin fjalën vetë?!

 

Seanca plenare në Parlament ditën e sotme ka qenë e qetë përgjithësisht, por nuk kanë munguar akuzat teksa kalohej nen për nen Buxheti 2025 dhe u rrëzuan amendamentet e propozuara nga partitë opozitare.

Një episod i veçantë ka qenë ai i pasdites së sotme (3 Dhjetor), kur deputeti socialist Frrok Gjini u ngrit dhe shkoi në foltore, duke e ‘zaptuar’ pa lejen e kryeparlamentares.

Teksa ai kërkonte të fliste, Elisa Spiropali i është drejtuar me një batutë me nëntekst duke kujtuar sjelljen e opozitës.

“Zoti Gjini, për çfarë e kërkoni fjalën? Ju lutem! Apo edhe ju në kuadrin e malësorëve që e marrin fjalën vetë... për çfarë?!”, i tha Spiropali deputetit.

Gjini e mori mandatin vitin e kaluar, menjëherë pasi Benet Beci u zgjodh kryebashkiak i Shkodrës.

Ora 16:10
'Shëndetësia falas nuk ekziston', Erisa Xhixho: Rritje e buxhetit për pensionistët dhe arsimin

 

Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho prezantoi sot në Kuvend 5 amendamente në buxhetin e vitit 2025 në mbështetje të pensionistëve dhe të rritjes së buxhetit për arsimin.

Duke argumentuar amendamentet e paraqitura, Xhixho tha një nga amendamentet ka të bëjë me pensionistët që janë kategoria më e diskriminuar që jeton në mjerim.

Ajo tha se duhet që të ketë rritje buxheti për pensionistët dhe arsimin. 

'Fakt është që shëndetësia falas nuk ekziston dhe sipas OBSH 60 % e kostos në shendetësi e paguajnë nga qytetarët. Dua atë propozojë disa amendamente një nga amendamentet është për pensionistët që është kategoria më e diskriminuar dhe jeton në mjerim dhe rritja e pandalshme e çmimeve kanë bërë që ushqimi bazë dhe trajtimi mjekësor të jetë i pamundur. Edhe pse pensionistët votojnë për ju në qendrat e votimit dhe në 12 vite zero rritje për pensionet. Ata duhet ta kuptojnë se nuk kanë qenë kurrë prioritet, ata kanë marr votat qyl dhe taksat i çojnë për PPP dhe koncensione.

Ndaj ne kemi propozuar që shifra që keni propozuar të 10 fishohet në masën 16.2 miliard lekë, ndryshe nga rritja qesharake juaj 1.6 miliradë. Propozojmë shtesë 1.5 miliardë lekë për Arsimin bazë, shtesë 1.2 miliardë lekë për Arsimin e Mesëm dhe 1 miliard lekë shtesë për Arsimin Universitar. Këtë vit kishte më pak studentë në universitete’, tha ajo. 

Ora 15:58
'Bela, i gjete lekë ti që të humbën?', Bardhi ironizon Ballukun pasi e kallëzoi në SPAK: Nxirri xhepat, zbrazi që t’i shohim

Një debat u zhvillua gjatë seancës plenare në Kuvend, mes kreut të Grupit të PD-së Gazment Bardhi dhe kryeparlamentares Elisa Spiropali, ku ndërhyu dhe Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Ballukut, të cilës demokrati iu drejtua me ironi duke i thënë “Bela, i gjete lekët që të humbën”. 

“Bela, i gjete lekët që të humbën? Nxirri xhepat, zbrazi”, u shpreh Bardhi duke ironizuar Ballukun, ndaj të cilës ka bërë kallëzime në SPAK.

Bardhi po ashtu akuzoi kryetaren e Kuvendit për lejimin e ndërhyrjeve të ministrave për të kthyer përgjigjet mbi amendamentet e propozuara nga opozita, duke e cilësuar atë si një shkelje të hapur të procedurës parlamentare.

Pjesë nga debati:

Gazmet Bardhi: Bela i gjetet lekë t’i që të humbën, i gjete? Nxirri xhepat, zbrazi xhepat, zbrazi xhepat. Zbrazi xhepat që t’i shohim.

Elisa Spiropali: Ku është procedura. (I mbyll mikrofonin)

Gazment Bardhi: Ajo (Balluku) po më flet, i thuaj të mos ndërhyjë. Ju zonja kryetare, jeni tërësisht në shkelje të procedurës, nuk ka asnjë nen në këtë rregullore që pas prezantimit të një amendamenti të flasin anëtarët e Këshillit të Ministrave. Prezantohet vetëm amendamenti dhe kalohet në votim, kjo është procedura. E falënderoj ministrin që paska bërë mbledhjen e amendamenteve tona dhe kostoja paska dal 300 milion euro dhe tani thotë nuk kam 300 milion euro për të rritur pensione, rroga, fonde shëndetësi dhe në arsim sepse do shkoj 430milion euro te inceneratori i Tiranës që nuk ekziston. Cili rregull i rregullores e thotë, ma gjej, ma lexo.  Nuk ka fare të bëj për asnjë anëtar i Këshillit të ministrave.

Elisa Spiropali: Patjetër që për çdo amendament ka përgjigje. Nena 77,lexoje me vëmendje.

Gazment Bardhi: Lexoje, lexoje. Je duke gënjyer.

Elisa Spiropali: Nuk gënjej unë asnjëherë.

Gazment Bardhi: Më gjej ku e kanë të drejtën ministrave. Ne po i lëmë të flasin.

Ora 14:43
Dashnor Sula: Bëni para me të sëmurët, do ju dënojë historia! Ministri i Financave: Kemi shqyrtuar amendamentet e PD, propozoni buxhet piramidal

 Deputeti demokrat, Dashnor Sula është përfshirë në një debat me ministrin e Financave Petrit Malaj.

‘Pyetja është për të gjithë kolegët e maxhorancës dhe të gjithë qeverinë. Veçanërisht për ministrin e Financave 8.2 mld euro, 7.6 mld euro janë taksa tatimet e aktivitetit privat që bëjnë të gjithë shqiptarët. Borxhin e paguajmë ne prapë. Hajde tregoje kurajën tani, ti dhe mazhoranca jote. Si mund të jeni kaq shpirtkazmë që bëni para me të sëmurët. Si ju zë gjumi? A je nënë, a je grua, mos ta dhëntë zoti të kesh të sëmurë me tumor. Do ju dënojë historia që ia jepni privatit, tha ai. 

Në përgjigje të Sulës, Ministri i Financave, Petrit Malaj u shpreh se janë shqyrtuar amendamentet e PD dhe sipas tij kërkohet një buxhet i 2. 

' I nderuar deputet, duke qenë se m’u drejtuar kryesisht mua në fjalën tuaj dhe duke qenë se m’u drejtuat me gjuhën e shifrave që është një gjuhë që e flas më mirë se sa recitimi politik, më lejo të të kthej përgjigje në lidhje me çështjet që përmende. Ministria e Financave ka shqyrtuar amendamentet e PD  dhe ajo që ju po kërkoni është një buxhet i dytë nga ai që kemi prezantuar në buxhetin e vitit 2025. Ajo që propozonani ju është një buxhet piramidal, ne sjemi qeveri piramidash por ajo qeveri që garanton më shumë mbrojtje sociale dhe më shumë investime publike dhe ulje të borxhit’, tha ai. 

Ora 14:29
Pr/Buxheti 2025, debate në Kuvend, Zhupa pankartë tek foltorja: 'Jep dorëheqjen!' Manastirliu: Maji vjen shpejt! Rrëzohet amendamenti i Spahos

Kuvendi u përfshi nga debate gjatë kohës që po diskutohej amendamenti i deputetit të PD-së Edmond Spaho për të rritur me 1 % buxhetin prë arsimin

Deputetët e opozitës kërkuan dorëheqjen e ministres së Arsimit Ogerta Manastirliu.

Në një moment Zhupa vendosi një fletë në foltore ku shkruhej ‘jep dorëheqjen’

Kryetarja e Kuvendit ndërhyri për të kërkuar që të hiqet ‘nuk po bëjmë cirk’ tha ajo

Ndërkohë ministrja Manastirliu akuzoi PD se kur la pushtetin kishte lënë arsimin në shkretëtirë ndryshe nga mbështetja që kanë dhënë socialistët.

“Kishit lënë arsimit në shkretëtirë. Buxheti ishte në pikën më të zezë të tij ku nuk paguheshin pagat jo më të mendohej për rritjen e pagave. Ju latë në harresë mësuesit. 82 mld lekë parashikohet buxheti për arsimin për 2025, ¾% e GDP. Shpenzimet për arsimin zënë 10.8%. Arsimi vijon të mbetet absolut për qeverisjen e PS-së e këtë e ndjejnë dhe qytetarët shqiptarë. Me shkolla të rindërtuara, paga. Rritëm 18.8 % rritëm buxhetin e arsimit nga viti 2024.

Në debat e sipër me Zhupën Manastirliu i tha se gjuha e urrejtjes nuk I nxjerr dot nga bataku.

“ E kuptoj që nuk doni të ballafaqoheni me dështimet historike.Ky kuvend duhet të jetë vendi ku të japim shembullin për fëmijët e brezat e as të ofendojmë apo shajmë.  Nuk do ia dilni dot mosrespekti, gjuha e urrejtjes nuk do ju nxjerrin nga bataku ku keni rënë ku e keni rënë. Maji do të vijë shpejt”

Në një moment ndërhyri dhe Spiropali

‘Do të dilni nga salla e Kuvendit, zonja Zhupa’

Deputeti Edmond Spaho propozoi rritjen me 1% të buxhetit për arsimin.

“Kur dolën rezultatet e tezës së Pizës mendova se do të ketë reflektim nga qeveria e do ta pasqyrojë në dokumente financiare që jepen më shumë fonde, pasi përmirësimi bëhet me më shumë para, se ndryshe nuk ke si rregullon as tekstet e as sigurinë”

Me pompë të madhe u deklarua se do të krijohej qendra më e madhe e inovacionit në rajon kur u rikonstruktua ish piramida, 30 mln euro. Sot qendra na rezulton se ajo është qendra më e madhe rajonale e kafeneve për miqtë e shokët”

Amendamenti I Spahos u rrëzua me 33 vota pro, zero abstenim e 63 kundër.

Ora 14:06
Parlament, deputetët 1 minutë heshtje për ndarjen nga jeta të politikanit Arben Tafaj  

Kuvend është mbajtur një minutë heshtje nga deputetët e mazhorancës dhe opozitës për ndarjen nga jeta ditën e sotme të politikanit dhe aktivisti Arben Tafaj.

Politikani Arben Tafaj ra nga lartësia e banesës së tij në gjendje të dehur në Dajt.   

Ora 13:56
Debate në Kuvend, Nallbati vendos posterin e krahasimit me Serbinë për IPARD në foltore, Bardhi: Hajdutë që vidhni dhe lekët e BE

 

Seanca e sotme në Kuvend është shoqëruar edhe me përplasje mes deputetëve të opozitës dhe Ministres së Bujqësisë e Zhvillimit Rural Anila Denaj.

Kjo e fundit iu është drejtuar deputetëve duke thënë: Mua s’ka guxim askush të më thotë hajdute! Ekonomia bujqësore është në shifrat e INSTAT, 30% në rritje investimet', tha ajo. 

Ndërkohë, kreu i grupit të PD Gazment Bardhi dhe deputeti Bledion Nallbati kanë vijuar me akuzat e tyre ndaj ministres, ndërsa Nallbati vendosi edhe posterin e krahasimit me Serbin për ipardin në foltoren e Kuvendit.

Gazment Bardhi hodhi akuza për vjedhje të fondeve të BE.

'Hajdutë që vidhni dhe lekët e BE, i merrni i fusni në xhep', tha ai. 

Ora 13:40
Buxheti 2025/ Ministri Manja: 17% rritje për kompensimin e ish-të përndjekurve politikë, ju ja dhatë këstin e parë gjysma-gjysma

 

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja gjatë diskutimit në Kuvend të amendamenteve për projektbuxhetin 2025, Manja theksoi se fondi për kompensimin e ish-të përndjekurve në vitin 2024 ishte 1.2 miliardë lekë, ndërsa në buxhetin e viti 2025 është 1.4 miliardë lekë, ose 17% me rritje.

“Ministria e Financave ndjek shpërndarjen e kësteve të radhës. Në dijeninë time për trashëgimtarët e ish-të përndjekurve politikë është drejt fundit kësti i katërt dhe së shpejti do të fillojë lëvrimi i këstit të pestë, por gjithsesi buxheti vjen me rritje. Në vitin 2026 do të jetë 1.6 miliardë lekë dhe në vitin 2027 do të jetë 2 miliardë lekë. Këto janë mundësitë financiare të këtij buxheti për të shlyer borxhin moral që ne të gjithë si shoqëri kemi. Nuk po u japim asnjë gjë përveçse atë të cilën ata e paguan me burgun e padrejtë por edhe me vitet që humbën në këto burgje dhe kampe internimi”, tha Manja.

Manja kujtoi se deri në vitin 2013 ish-të përndjekurit politikë ishin në proces për marrjen e këstit të dytë, ndërkohë që kësti i parë ishte shpërndarë gjysma-gjysma.

“Ndërsa ata që kanë vuajtur fizikisht në burgjet e regjimit komunist në dijeninë time janë shlyer të gjithë. Fakti është se sot ajo kategori që janë përfitues sipas ligjit nuk përfshihen në kategorinë përfituese. Efekti në buxhetin e shtetit është diku te 18 milionë euro por do të jetë në nderin tonë që ne t’ua njohim këtë të drejtë. Pastaj masa e shlyerjes dhe kompensimit është çështje si gjithë të tjerët që përfitojnë nga kjo skemë, kanë vite. Në vitin 2013 ish-të përndjekurit politikë ishin në proces për marrjen e këstit të dytë”, tha ai.

Ora 12:38
SKEDA/Pr/buxheti 2025, Institucionet që marrin më shumë lekë

1732126309_kryeministria.JPG

Janë parashikuar 822.7 miliardë lekë, ose rreth 8.2 mld euro, shpenzime të planifikuara për vitin 2025, do të shpenzohen për paga, investime, mbrojtje sociale, rindërtimin, interesa borxhi, fonde rezervë, për pushtetin vendor, ndihma ekonomike, kompensime dhe skema të tjera deri tek bujqësia.

Referuar relacionit të projektbuxhetit afro 1/3 e totalit të shpenzimeve shkon për mbrojtjen sociale, sigurimet shoqërore, skemën e pensioneve, për ndihmën ekonomike, pagesa e papunësisë apo kompensimi ish-pronarëve me në total 291.9 miliardë lekë, ose rreth 3 mld euro.

Sa i takon ndarjes së buxhetit për institucionet, portofolin më të madh do e ketë Ministria e Shëndetësisë me 80.7 miliardë lekë, ndjekur nga Infrastruktura me 74 miliardë lekë, Ministria e Arsimit 62 miliardë lekë, Ministria e Ekonomisë Kulturës-Inovacionit 56 miliardë lekë dhe Ministria e Mbrojtjes 52.6 miliardë lekë.

Rritjen më të madhe të buxhetit për vitin e ardhshëm do ta marrë Ministria e Infrastrukturës me 9.6 miliardë lekë (96 milionë euro) më shumë se këtë vit, dhe në total buxheti i këtij institucioni arrin në 74 miliardë lekë (740 mln euro). Brenda fondeve të kësaj ministrie ‘pjesën e luanit’ e marrin rrugët, pasi janë 334 milionë euro që do të shpenzohen për infrastrukturën rrugore në 2025-ën. Pas kësaj ministrie rritjen me të madhe e ka Arsimi me 94 milionë euro shtesë krahasuar me këtë vit.

BUXHETI PËR INSTITUCIONET PËR VITIN 2025
Ministria e Shëndetësisë                80,7 mld lekë
Ministria e Infrastrukturës               74 mld lekë
Ministria e Arsimit                           62 mld lekë
Ministria e Ekonomisë                    56 mld lekë
Ministria e Mbrojtjes                       52,6 mld lekë
Ministria e Brendshme                   31 mld lekë
Fondi i Zhvillimit Shqiptar               22,5 mld lekë
Institucione te tjera Qeveritare       15,9 mld lekë
Ministria e Bujqësisë                      14,6 mld lekë
Ministria e Drejtësisë                     14,3 mld lekë
Ministria e Financave                     11 mld lekë
Këshilli I Lartë I Gjyqësor               5,6 mld lekë
Ministria e Turizmit                         3,9 mld lekë
Ministria e Jashtme                        3,8 mld lekë
Prokuroria e Përgjithshme             3,3 mld lekë
SHISH                                            2,7 mld lekë
SPAK                                              2,1 mld lekë
Kuvendi                                         1,8 mld lekë
Instituti Statistikës                         962,1 mln lekë
Kryeministria                                 912,9 mln lekë
RTSH                                            770 mln lekë
Kontrolli Larte  i Shtetit                 684 mln lekë
Presidenca                                   643,9 mln lekë
Institucionet e drejtësisë               605,3 mln lekë
Akademia e Shkencës                 549,6 mln lekë
Shkolla e Magjistraturës              485,5 mln lekë
Drejtoria e Arkivave                     418,2 mln lekë
Partitë Politike                             355,8 mln lekë
KQZ                                             342,1 mln lekë
ILDKPKI                                      297,6 mln lekë
Gjykata Kushtetuese                  250 mln lekë
Këshilli I Lartë I Prokurorisë       211,5 mln lekë
Avokati i Popullit                        196,9 mln lekë
Qendra e Kinematografisë         165,8 mln lekë
Komisioneri informimit               161,7 mln lekë
AIDSSH                                     160,2 mln lekë
Shoqëria Civile                          135,6 mln lekë
Autoriteti i Konkurrencës           124,2 mln lekë
KPP                                           110,8 mln lekë
KMSHC                                     98,3 mln lekë
ATSH                                        93,4 mln lekë
KMD                                         73,8 mln lekë
ISKK                                         58,8 mln lekë
Këshilli i Kontabilitetit               18,5 mln lekë
Ora 12:27
SKEDA/ 55 Amendamentet e deputevëve, PS, PD e PL-së për buxhetin 2025! Ja cilët u rrëzuan

1733218278_kuvend.jpg

Kuvendi vijon diskutimin dhe votimin nen për nen të buxhetit të vitit 2025, me shumën rekord 8.2 mld euro, ndërkohë deputetët kanë dorëzuar amendamentet e tyre. 

Në total janë 55 amendamente të propozuara nga deputetët e opozitës, të PD dhe Partisë së Lirisë, dhe grupi Alibeaj të cilat kishin të bënin me më shumë para për një sërë sektorësh.

Deri tani socialistët kanë rrëzuar me votë edhe 2 amendamentet e Sali Berishës i cili u rikthye sot në Kuved pas 11 muajsh në 'arrest shtëpie' në kuadër të hetimeve për aferën e privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani, për të cilin SPAK e akuzon ish kryeministrin për korrupsion

Amendamentet e PS
Fondi rezervë për qeverinë nga 2.7 mld lekë shkon në 3 miliardë lekë 
Fondi rezervë për zgjedhjet nga 2 mld lekë shkon në 2.5 mld lekë
Shtohet numri i personelit administrativ të këshillit të qarkut nga 10 në jo më shumë se 13.
Totali i shtesave në buxhet prej 2386.3 milionë lekësh do të përballohet nga rritja e të ardhurave në të njëjtën vlerë.
Kuvendi +160 mln lekë
SHISH +50 mln lekë
RTSH +100 mln për diasporën, filmin etj
ATSH +6 mln për ruajtjen 
Qendra Kombëtare e Kinematografisë 1 punonjës dhe +1 mln lekë 
Arkiva +30 mln 
KLSH +10 mln lekë 
INSTAT +6 punonjës +60 mln lekë shpenzime 
Magjistraturë +1 punonjës +6.1 mln lekë 
KLGJ +500 mln leke
ILD +26.7 mln lekë 
SPAK +200 mln lekë 
KPP  +8.8 mln lekë
KPA +4 punonjës dhe 10.6 mln lekë
Komisioneri për mbrojtjen nga Diskriminimi  +1 MLN
Komisioneri i Informimi +8 mln 
AIDSSH  8 mln lekë 
KQZ +139 mln lekë, ku 134 mln lekë shkojnë për ruajtjen e pamjeve filmike, 56 mln lekë për funksionimin institucionit për zgjedhjet, 500 mln lekë shtesë fond për zgjedhje
Gjykata Kushtetuese +5 punonjës +12 mln lekë  
KPK + Komisioneri publik+32 punonjës për gjashtë muaj+48.1 mln lekë për finalizimin e përmbylljen 
Shërbimet qeveritare +100 mln lekë për të reflektuar rritjen e pagave
Amendamentet e PD-së: 
1. Pezullimin e të gjitha prokurimet për investime publike luksi të qeverisjes qendrore, deri në momentin e miratimit me ligj të masës financiare të  minimumit jetik në Republikën e Shqipërisë - Sali Berisha - U rrëzua 
2. Ndalimin e çdo pagese për shpenzime operative luksi të qeverisjes qëndrore, deri në momentin e rritjes reale të pensioneve - Sali Berisha - U rrëzua 
3. Caktimin e minimumit jetik 200 euro (20 mije leke) - Flamur Noka - U rrëzua 
4. Rritja e pensioneve 5-fishimi i fondit te propozuar (nga 1.6 ne 8 miliarde leke) - Gazment Bardhi - u rrëzua, (8 pro 0 abstenim, 68 vota kundër)
5. Parashikimi i fondeve për bonusin e vitit 2025 për pensionistët - Gazment Bardhi  - U rrëzua, (37 pro 0 abstenim 69 kundër)
6. Rritja e fondeve për ish- pronarët - Oerd Bylykbashi- u rrëzua, (65 kundër dhe 28 pro)
7. Tre-fishimi i fondeve për ish të përndjekurit (nga 1.2 miliardë lekë në 4.2 miliardë lekë). - Greta Bardeli
8. Rritja me 1% te PBB-se te buxhetit te arsimit (rritje graduale me 1% cdo vit). - Edmond Spaho - U rrëzua (33 vota pro, 0 abstenim, 63 kundër)
9. Rritja me 1% te PBB-se te buxhetit te shendetesise (rritje graduale me 1% cdo vit). - Tritan Shehu
10. Pezullimi i pagesave buxhetore per tre PPP-te ne shendetesi (pervec dializes). - Albana Vokshi- U rrëzua 
11. Shtimim e fondit prej 1 miliard lekë për qeset tumorale - Albana Vokshi - u rrëzua, (66 vota kundër dhe 29 pro)
12. Shtimin e 0.5 miliard lekë për rimbursimin LMC - Albana Vokshi - u rrëzua, (66 vota kundër dhe 28 pro)
13. Rritja me 10% e pagave te gjithe administrates publike (përveç pagave të drejtuesve të lartë) - Sorina Koti
14. Rritja me 20% te pagave në shëndetësi. - Sorina Koti
15. Rritja me 20% te pagave të mësuesve dhe pedagogëve. - Ina Zhupa- u rrëzua 
16. Kërkimi shkencor, fond të dedikuar prej 2 miliardë lekë. - Ina Zhupa- u rrëzua  
17. Rritja e fondeve të ilaçeve të Onkologjikut (10% të akcizave duhan alkool, jo më pak se 15 mln euro shtesë). - Zheni Gjergji - u rrëzua, (65 vota kundër, 30 pro, 1 abstenim)
18. Rritja me 50% te fondeve për barnat e rimbursueshme (60 mln euro shtesë). - Zheni Gjergji - u rrëzua, (29 vota pro dhe 65 kundër)
19. Rritja e transfertës së pakushtëzuar për bashkitë, nga 1% ne 1.5% te GDP-se (shtesë 13 miliarde leke). - Xhelal Mziu 
20. Paketë mbështetëse financiare për prodhuesit vendas 5 miliardë lekë (kompensim nga shfuqizimi i euros). - Jorida Tabaku
21. 120 mln euro subvencione për fermerët, blegtorët dhe agroindustrinë. - Bledion Nallbati- U rrëzua 
22. Përgjysmimi i shpenzimeve operative të qeverisjes qendrore (pa cenuar shpenzimet jetike, sigurisë dhe vendimet gjyqësore të formës së prerë). - Emilia Koliçi
23. Trefishimi i fondeve për mirëmbajtjen e rrugëve. - Flamur Hoxha 
24. Pagesë për paruket dhe materialet e tjera të nevojshme për zonjat që vuajmë nga sëmundje të kancerit - Nje grup zonjash deputete te PD - u rrëzua, (66 vota kundër dhe 30 pro)
25. Shtesë 3 miliard lekë për të përballuar efektet financiare te pensionit te minatorëve - Tritan Shehu
26. Pezullimin e pagesave për të gjitha PPP dhe koncesionit, dhe fondet të shkojnë për ndërtim shkolle, hapjen e nyjeve lidhese me autostradën Thumanë-Kashar, për programe mbështetëse për të rinjtë, për fëmijët, dhe për arsimin profesional - Andia Ulliri
27. Ndalimin e menjëhershëm të pagesave për inceneratorët që nuk ekzistojnë apo janë jashtë funksioni - Luan Baçi
28. Shtimin e 500 milion lekë për të mbuluar kostot direkte që pacientet duhet të përballojnë gjatë trajtimit të tyre shëndetësor dhe mjekësor për logopedi, fizioterapi apo mbështetje psiko-sociale -Eralda Bano
29. Shtimin e 1 miliard lekë për një mbështetje konkrete financiare për studentët me të ardhura familjare të ulta, dhe sidomos të studentëve që vijnë nga familje që të ardhurat i kanë në nivelet e pagës minimale, si dhe për të caktuar dhe paguar vlerën financiare të dietës ushqimore për mësuesit dhe punonjësit psiko-sociale që punojnë në distancë të konsiderueshme nga vendbanimi i tyre - Eralda Bano
30. Dyfishimi i fondit të bonusit të lindjeve për vitin 2025 në vlerën prej 4.5miliardë lekë dhe në vijim ky fond të indeksohet çdo vit në masën sa norma indeksit të çmimeve të konsumit -  Lindita Metaliaj
31. Fondi i kontingjencës prej 5 miliardë lekë do të shpërndahet si kompensim financiar ndaj banorëve pronat e të cilëve janë përmbytur ne vitin 1975 nga Hec Fierzës - Isuf Çela dhe Flamur Hoxha 
32. Rritjen me 2.5 miliardë leke të buxhetit 2025 per Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, me qëllim perballimin e kostove te punësimit të 2500 logopedëve për fëmijët me Autizëm - Elda Hoti, u rrëzua, (57 kundër dhe 27 pro)
33. Financimi nga të ardhurat e privatizimeve të ish të përndjekurve politik - Bujar Leskaj- u rrëzua, (61 kundër dhe 31 pro)
34. Shtimi i fondeve për të përndjekurit në masën jo më pak se 0.2 % e PBB - Bujar Leskaj 
11 amendamentet e PL-se 
1- Rritje të mbështetjes për pensionet me 16.2 miliard lekë, ndryshe nga rritja qesharake e Qeverisë e parashikuar me vetëm 1.6 miliard lekë- U rrëzua (22 pro, 66 vota kundër, 0 abstenim)
2-  Rritje me 6 miliard lekë të mbështetjes për barnat e rimbursueshme, si ndihmë konkrete për pensionistët dhe qytetarët në përgjithësi- U rrëzua (22 pro, 66 vota kundër, 0 abstenim)
3- Shtesë 2 miliard lekë për trajtimin me barna dhe aparatura për sëmundjet onkologjike, si përgjigje për dramën që po përjetojnë mijëra të sëmurë dhe familjet e tyre- U rrëzua (22 pro, 66 vota kundër, 0 abstenim)
4-  Shtesë 2 miliard lekë për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor, që po përjetojnë një situatë tepër të rëndë- U rrëzua (22 pro, 66 vota kundër, 0 abstenim)
5- Shtesë 1.5 miliard lekë për Arsimin bazë, si përgjigje ndaj analfabetizmit dramatik funksional, që po rrënon të ardhmen e vendit- U rrëzua (pro 22, kundër 67, abstenim 0)
6- Shtesë 1.2 miliard lekë për Arsimin e Mesëm- U rrëzua (22 pro, 67 vota kundër, 0 abstenim)
7- Shtesë 1 miliard lekë për Arsimin Universitar- U rrëzua (22 pro, 66 vota kundër, 0 abstenim)
8- Shtesë 0.5 miliard lekë për Zhvillimin e Sportit- U rrëzua (22 pro, 66 vota kundër, 0 abstenim)
9- Shtesë 5.6 miliard lekë për Përkujdesin Social, të papunët dhe personat me aftësi të kufizuar, ndryshe nga përbuzja e Qeverisë, që nuk parashikon asgjë për këtë kategori që përballet me varfëri ekstreme-  U rrëzua (pro 22, kundër 67, abstenim 0)
10- Shtesë 1.5 miliard lekë për subvencione për Bujqësinë dhe fermerët, si përgjigje për dramën që po përjeton fshati dhe fermeri shqiptar-  U rrëzua (22 pro, 66 vota kundër, 0 abstenim)
11- Fond 7.9 miliard lekë për mbështetjen e rritjes së pagave që nga fillimi i vitit 2025-  U rrëzua (22 pro, 66 vota kundër, 0 abstenim)
Ora 12:07
Rrëzohen dy amendamentet e Bardhit! Kreu i grupit të PD akuza Ballukut: Me një të rënë të lapsit shtove 50 mln euro te tuneli i Llogarasë

 

Me votat e PS u rrëzua edhe dy amendamentet e Gazment Bardhit të propozuara për ndryshime në buxhetin 2025. Bardhi akuzoi qeverinë se kanë lënë në harresë pensionistët.

Ai u ndal edhe në akuza për zv.kryeministren Balluku për të cilën tha se se me një të rënë të lapsit shtuan 50 mln euro për tunelin e Llogarasë, që sipas tij do të mjaftonin për të rritur pensionet.

"Ju i thoni pensionistëve që s’ka nevojë për minimum jetik, por harroni që keni ndryshuar listën dhe keni zvogëluar listën e barnave të rimbursueshme. A kemi guxim të sqaroni kush ju ka detyruar të ndryshoni listën e barnave të rimbursueshme. Jo se u ka detyruar Rama që të favorizojë një aleat të vetin politik. Ju thoni në Kuvend se ti sigurosh pensionistet një minimum jetik 200 mijë lek të vjetra është lëmoshë. Do të mjaftonin 50 mln euro që u shtuan me një të rënë lapsit në tunelin e Llogarasë për të siguruar rritjen e pensioneve që mos të kemi indeksim 1 deri në 1.5% gjatë, por për një rritje 20 apo 30% për të nisur shkallë-shkallë rritjen reale të pensioneve. Ju këtë e quani lëmoshë se për ju paratë e qytetarëve që shkojnë për të ndihmuar qytetarët, nuk shkojnë dot për interesin e qytetarëve, do duhet të shkojnë në xhepat tuaj. Kjo është filozofia se si ju qeverisni. Filozofia juaj është mashtrim", tha Bardhi. 

Dy amendamentet e Bardhit dhe votimet

Amendamenti 1: Rritja e pensioneve 5-fishimi i fondit te propozuar (nga 1.6 ne 8 miliardë leke)! 38 pro 0 abstenim 68 vota kundër

Amendamenti 2: Parashikimi i fondeve për bonusin e vitit 2025 për pensionistët! 37 pro 0 abstenim 69 kundër

Ora 11:25
Rrëzohet amendamenti i PD për minimumin jetik, Noka: Normë ligjore! Koçiu: Shtresat e varfëra duhen integruar në tregun e punës, jo t'i jepet lëmoshë 

 

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka teksa prezantoi amendamentin për minimumin jetik, i cili u rrëzua nga Kuvendi, ai u shpreh se Shqipëria është i vetmi vend që nuk përcakton minimumin jetik.

'Në vlerësimin tonë si PD, minimumi jetik megjithëse i përcaktuar si terminologji në legjislacionin tonë është i padefinuar. Jemi i vetmi vend që nuk e përcaktojmë minimumin jetik. Ju aq shumë i doni të varfrit, sa i shtoni ata. Minimumi jetik, normë ligjore. Vjen si aplikim në çdo vend të botës i një metodologjie. Diskriminon shtresat e varfra që ‘sulltan Surreli’ thotë se do i ketë në konsideratë. Sipas bankës botërore, kufiri minimal i varfërisë është 6.7 dollarë. Shqipëria e ka 0.6 dollarë. A e kuptoni çfarë diskriminimi i bëhet kësaj shtrese?’, tha ai. 

Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu i është përgjigjur Nokës, duke thënë se PS është kundër këtij propozimi, pasi sipas saj qeveria ka bërë politika për të forcuar programet e punësimit për shtresat në nevojë dhe jo për të dhënë lëmoshë.  

‘Ne kemi pasur politika që janë të përqendruara në rritjen e punësimit dhe rritjen e pagave. Sot paga minimale është sa dyfishi i pagave në 2013. Politikat tona janë për të nxitur të papunët. Synimi ynë kryesor është që të forcojmë programet e punësimit dhe të integrimit të atyre që janë forcë pune dhe jo të japim lëmosh duke mos synuar integrimin e tyre në tregun e punës. Qëllimi ynë është që të integrojmë ata që kanë mundësi për të punuar. Programet e punësimit për të rinjtë janë programe që afësojnë të rinjtë në tregun e punës, shtresat e varfëra nuk kanë nevojë që të sigurojnë miqëqenien me lëmosh por duke i integruar në tregun e punës. Jemi duke bërë progtrame pro familjes dhe jemi duke aplikuar poltikën e baby bonus. Ne jemi kundër këtij propozimi për minimumin jetik’, tha ajo. 

Ora 10:36
Gjylameti prezanton projektbuxhetin 2025: Shtohen shpenzimet për institucionet e drejtësisë! Kërkon miratimin nen për nen dhe në tërësi

 

Deputetja e PS Blerina Gjylameti në Kuvend ditën e sotme, prezantoi projektbuxhetin 2025. Deputetja e PS, bëri me dije se projektbuxheti i vitit 2025, është diskutuar në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, ku u miratua nen për nen dhe kërkoi që të miratohet nen për nen dhe në tërësi edhe në seancën e sotme.

Gjylamenti tha se në projektbuxhet janë shtuar shpenzimet për institucionet e drejtësisë.

‘Në komisionin për ekonominë dhe financat është diskutuar për buxhetin 2025 dhe pas miratimin në parim janë diskutuar të gjitha nenet e projektbuxhetit dhe raportet nga komisionet e tjera për dhënë mendimi dhe kanë sjell raportet përkatëse. Komisioni i ekonomisë dhe financave sikurse ishte skema e pensioneve. Në këtë dëgjesë janë analizuar sigurimi shoqëror i detyrueshëm dhe element mbi të cilët u diskutua ishte përmirësimi i skemave aktuale dhe futjen në skemë të përfitimeve suplementare. Mbështetur në këto analiza u paraqitën propozimet lidhur me institucionet që duhet që të kenë rritje të buxhetit. Komisioni për ekonominë shprehu dakordësinë për propozimet. Janë shtuar shpenzimet për institucionet e drejtësisë. Në sturkturën e posaçme shtohen 200 milionë lekë shpenzimet. Komisioni e ka mirtuar nen për nen dhe i propzojmë senacës së sotme për të miratuar projektbuxhetin nën për nen dhe në tërësi', tha ajo. 

SI.E./G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 04/12/2024 01:54

    Te ben pershtypje se sa ushtare te bindur,sa dele jane te dyja palet ndaj partive te tyre respektive!Zakonisht miratimet e rrezimet levizin mesatarisht 22 me 66 ose perafersisht.Bipartizanizmi mes partive te kunderta,apo dhe kritika brenda perbrenda rradheve eshte inekzistente edhe kur behet debat eshte absurd,pa vlere e jashte teme.Keshtu funksionon Kuvendi i shqiptareve.Me nje Kuvend te tille e deputete si keta,nuk eshte cudi qe historikisht na kane mbetur te ngjitur ne dere Zogu,Enveri,Berisha,Meta,Rama.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    2 Dhjetor, 20:45

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?



×

Lajmi i fundit

Pranga të riut për pastrim parash në Elbasan, i sekuestrohet 136 mijë euro pasuri! Në Itali pjesë e një grupi që merrej me shfrytëzim prostitucioni (VIDEO)

Pranga të riut për pastrim parash në Elbasan, i sekuestrohet 136 mijë euro pasuri! Në Itali pjesë e një grupi që merrej me shfrytëzim prostitucioni (VIDEO)