Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar të premten në mesnatë masat për përballje me krizën ekonomike, ligjin për uljen e akcizës për karburantet që merr shteti nga shitja e karburanteve, si dhe ligjin për uljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për karburantet, nga 18 në 10 për qind.
Është miratuar edhe ligji për uljen e TVSH-së për ushqimit bazë në 0 për qind.
Ligjet janë miratuar me 95 vota nga deputetët e të gjitha partive politike.
Një litër dizel në Maqedoninë e Veriut të premten është shitur për 97 denarë (1.57 cent) ndërsa benzina për 93 denarë (1.51 cent). Për herë të parë çmimi i naftës ka kaluar atë të benzinës.
Çmimi i tyre pritet të ulet për 10 denarë (0.16 cent) me miratimin e ligjeve dhe publikimit të tyre në Gazetën Zyrtare.
Masat parashohin mbajtjen nën kontroll edhe të çmimit të energjisë elektrike dhe të ngrohjes qendrore si dhe heqjen e TVSH-së për të gjitha produktet ushqimore bazë.
Përkundër mbështetjes unanime për miratimin e tyre me procedurë të shkurtuar, Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, kishte vërejtje pse masat nuk ishin miratuar më herët.
“Në vend që të shtireshin si të shqetësuar tani dhe të thërrisnin seanca urgjente, masa të tilla mund të ishin miratuar dy javë më parë, kur VMRO-DPMNE kishte paraqitur propozimet e saj. Kjo do të parandalonte panikun tek qytetarët”, deklaroi Micevski.
VMRO DPMNE-ja kishte propozuar uljen e akcizës për karburantet për 50 për qind, por ky propozim i opozitës ende nuk është vendosur në rend dite të punimeve të Kuvendit.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut, të premten ka vendosur të ndalojë për dhjetë ditë eksportin e mallrave të caktuara ushqimore. Vendimi përfshin eksportin e grurit, elbit, misrit, miellit, farave të lulediellit, si dhe vajrave.
“Qëllimi i kësaj mase është mbrojtja e tregut vendor dhe mbrojtja e qytetarëve në kohë krize”, ka deklaruar Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Jozyrtarisht vendimi ndërlidhet me njoftimet se sasi të mëdha të grurit janë eksportuar në Greqi, ndërsa në Kosovë sasi të mëdha të vajit vendor, të llojit Briliant.
Çmimi i vajit në Maqedoninë e Veriut arrin në 1.80 euro.
Nga Qeveria kanë thënë se vendimi për kufizimin e eksportit është marrë edhe si përgjigje reciproke ndaj masave të ngjashme të marra nga disa vende të rajonit.
Serbia ka njoftuar se ka ndaluar eksportin e grupit dhe miellit për vendet e rajonit përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, e cila ishte në pritje të importit të rreth 50.000 tonëve grurë dhe miell./ REL