Nxitimi i Ramës është përshpejtuar edhe më, pas vendimeve më të fundit të Këshillit të Ministrave, të cilat i krijuan shumëkujt ndjesinë se po bëheshin me qëllim për të lënë “gozhdë Nastradini” për sherre të nesërme opozitë-qeveri. VKM të tilla, si lejimi i importit të plehrave, kur qeveria e re ishte prononcuar kundër ligjit që i lejon ato; e dhënies së koncensioneve hidroenergjetike apo të naftës, duke “zhveshur” Albpetrolin nga pasuritë e fundit, etj, krijuan kokëçarje jo të vogla për mazhorancën, e cila, e pafuqishme, konstatonte se nuk mund të bënte asgjë për t’i ndalur. Deri këtu, nxitimin e kishte Berisha për t’i miratuar këto VKM.
Tani, ndryshon loja. Edi Rama dhe ekipi i tij po nxitojnë të anulojnë atë që u prish punë në zbatimin e strategjisë së planifikuar, të venë në zbatim sa më shpejt reformat që kanë menduar në administrimin e shtetit, ndërkohë që duhet edhe të ndalin shpërdorimin e parave që kanë mbetur sivjet në buxhetin e shtetit. Sali Berisha po luan në kah të kundërt. Ai kërkon të fitojë kohë, jo më me anë të miratimit të vendimeve, se nuk e ka këtë fuqi, por me pengimin e hyrjes në fuqi të programit të ri qeverisës.
Për këtë është përdorur një kërkesë e ligjshme, e njohjes së plotë të programit, para se të nisë diskutimi parlamentar. Akti i fundit i qeverisë detyrimisht kalon nga Kuvendi. Debati është një kërkesë e padiskutueshme nga opozita, e cila tani është kujtuar për të ngritur zërin lidhur me transparencën, që e bëri të mungojë për tetë vjet në vendimmarrje, kur kishte pushtetin.
Çështja është se nuk pret më puna. Nga shtatori deri në fund të dhjetorit, ka mjaft kohë që një qeveri pa fonde të bëhet shpejt jopopullore, por situata mund të ndryshojë shumë shpejt në rast se merren masa drastike për rregullimin e buxhetit, krahas rendit publik. “Demokratit” Berisha i duhet lënë koha e parashikuar me ligj për debat, por nuk rezulton të jetë shkruar diku se sa ditë duhen për të lexuar disa dhjetra faqe program, shumica e tezave të të cilit janë njoftuar prej shumë kohësh. Në rast se opozita do të luajë me bojkotin, në kushtet e krizës në të cilën e ka lënë vendin, mbetet që vendimet të merren shpejt, por me vendosmëri.
Kuvendi ka vetëm një mundësi për të kapur kohën e humbur këto vite: të ecë me një, dhe jo me dy shpejtësi. Djegia e etapave, në favor të shqiptarëve, në vendimmarrje, do të ishte ajo që do të pritej edhe nga një PD e ndryshuar.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 11.09.2013
Redaksia online
(b.m/shqiptarja.com)