Në mesnatë, teksa parlamenti kishte shënuar 14 orë punime, kryeministri Edi Rama u shfaq në seancë.
Jo për të folur, por për të ngritur kartonin jeshil për përgjigjen që qeveria i dha rritjes së çmimit të naftës, duke nxjerrë aktin normativ që ul me 20% akcizën, kur çmimi kapërcen 220 lekë për litër.
Kartonin e kuq i ngriti bashkë me të gjithë grupin parlamentar të PS të gjitha nismave të opozitës për uljen e çmimit të naftës. PD kërkonte përmes projektligjeve reduktimin e taksës së qarkullimit, uljen e akcizës mbi naftën si dhe zerimin e akcizës së gazit për industrinë prodhuese “Made in Albania”.
Kreu i PD Sali Berisha e kishte lënë seancën kur po votohej, por më herët gjatë ditës ai u përfshi me replika me socialistin Erion Braçe, mbi nivelin e lartë të taksave të naftës.
Ndërsa ministri i Financave Petrit Malaj e quajti një masë efektive që mbron konsumatorin.
Më herët gjatë ditës debate të ashpra u zhvilluan mbi raportin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian për Shqipërinë si dhe mungesën e interpelancave me kryeministrin.
Seanca plenare e së enjtes, e cila u mbyll kur akrepat e orës shënuan minutat e para të së premtes, përfundoi me këtë moment të veçantë, ku ish ministri i drejtësisë Ulsi Manja uroi ditëlindjen deputetit të Lezhës Admir Kadelit, ndërsa ministrja e Shtetit Adea Pirdeni u suprizua nga një buqetë lulesh mbi tryezën e saj.
Projektligjet e miratuara:
-Akt normativ nr. 1, datë 3.4.2026, “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar”.
85 pro vota, 25 kundër
- Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese nr. 2, me shkëmbim të letrash, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Malit të Zi dhe Komisionit Evropian, për programin IPA të bashkëpunimit ndërkufitar Mali i Zi – Shqipëri 2021 – 2027, ratifikuar me ligjin nr. 9/2024”.
108 vota pro, 0 kundër
- Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 113/2020, “Për shtetësinë”, të ndryshuar”.
85 vota pro, 25 kundër
-Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë””.
85 vota pro, 25 kundër
-Projektligji “Për identifikimin elektronik, shërbimet e besuara dhe portofolin e identitetit digjital”.
85 vota pro, 25 kundër
-Projektligji “Për një shtesë në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, i ndryshuar”.
85 vota pro, 25 kundër
-Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, i ndryshuar”.
85 vota kundër, 25 pro
-Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.
85 vota kundër, 25 pro
Projektligji “Për mekanizmin e reagimit ndaj krizave të furnizimit dhe çmimeve të lëndës djegëse”.
84 vota kundër, 25 pro
Projektvendimet:
- Projektvendimi “Për zgjedhjen e Komisionerit të Zyrës së Avokatit të Popullit”- Sekretar e mekanizmit kombëtar për parandalimin e torturës ku u zgjodh Ahmet Prençi me 84 vota pro e 22 kundër.
- Projektvendim “Për zgjedhjen e Komisionerit të Zyrës së Avokatit të Popullit” - Sekretar për mbrojtjen dhe promvimin e të drejtave të fëmijëve”, ku u zgjodh Alma Faskaj me 82 vota pro, 26 kundër, 1 abstenim.
- Projektvendimi “Për zgjedhjen e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi” miratoi emërimin e Genta Tafës me 83 vota pro, 25 kundër, 0 abstenim.
- Projektvendim “Për zgjedhjen e Inspektorit të Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë” ku u zgjodh Merita Bejtja me 84 vota pro, 23 kundër, 1 abstenim.
- Projektvendim “Për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë” ku u zgjodh Matilda Shehu me 104 vota kundër, 1 pro, 2 abstenim.
- Projektvendimi “Për miratimin e listës së audituesve ligjorë, të cilët do të bëjnë auditimin e llogarive financiare për vitet 2024-2025 të Kontrollit të Lartë të Shtetit” ku u zgjodhën Edlira Buzani dhe Rajmonda Reveli me 105 vota pro, 0 kundër.
Seanca plenare i mbylli punimet rreth orës 00:35.
Ndërsa seanca e Kuvendit vijoi punimet edhe pas mesnate, para se të niste votimi, Ulsi Manja mori fjalën për t’i uruar ditëlindjen deputetit të Lezhës, Admir Kadelit, i cili feston 37-vjetorin.
“Meqenëse data 8 na kapi në parlament, dua t’i uroj ditëlindjen kolegut tonë Admir Kadeli dhe mikut tim, Admir Kadeli. Gëzuar 37-vjetorin dhe veç të mira paç!”, tha Manja.
Orët e gjata të punimeve të Kuvendit bënë efektin e tyre te Ulsi Manja. Ndërsa mori fjalën për procedurë pak pasi trokiti mesnata, një ngatërresë bëri që Manja ‘të zhvendosej’ për disa sekonda si deputet në qarkun e Fierit.
“Meqenëse data 8 na kapi në parlament, si deputet i qarkut Fier... ndjesë, si deputet i qarkut Lezhë...”, tha Manja ndërsa shpërthyen të qeshurat.
Komente










