Kushtetuta e parashikon se seanca e parë plenare e sesionit të ri parlamentar mbahet të hënën e parë të shtatorit. Këtë vit e hëna e parë bie me datën 7 shtator, por njëkohësisht me këtë datë bie edhe ditë pushimi për shkak se me datën 5 është festa e Shenjtërimit të Nënë Terezës. Ligji e thotë se kur festat bien të shtunën ose të dielën e hëna pasuese është pushim zyrtar.
Kuvendi thotë se seanca mund të mbahet të martën e 8 shtatorit dhe jo të hënën. Por akti themeltar i shtetit përcakton në mënyrë eksplicite në nenin 74 se: Kuvendi i zhvillon punimet vjetore në dy sesione. Sesioni i parë fillon të hënën e tretë të janarit dhe sesioni i dytë të hënën e parë të shtatorit.
Duke u bazuar në këtë parashikim kushtetues kundër shprehet opozita. Kreu i Grupit Parlamentar Gazement Bardhi tha se: "Nuk mendoj që deputetët kanë nevojë për më shumë ditë pushimi. Kushtetuta është mbi ligjin për festat zyrtare dhe si e tillë duhet të respektohet Kushtetuta".
Ndërkohë në çdo rast protestuesit që po protestojnë prej më shumë se 80 ditësh kanë paralajmëruar vijimin e protestave para parlamentit që në të kaluarën janë shoqëruar me dhunë.










Komente
Komento