Tre personat e arrestuar për laboratorin e drogës i cili u zbulua brenda një godine katërkatëshe përgjate aksit rrugor Lezhë-Milot, u njohën me masën e sigurisë në Gjykatën e Lezhës.

Me seancën gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura e cila zgjati rreth 60 minuta, gjykata e cilësoi të ligjshem arrestimin e shtetasve Arben Gjergji, 57 vjeç, dhe Arnold Gjergji, 22 vjeç, babë e bir, si autorë te dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale dhe vendosi masën e sigurisë “arrest ne burg”.

Ndërsa për punonjësin e OSHEE, Gjon Doda u vendos masa e sigurisë “arrest në shtëpi” për veprën penale “Shpërdorim Detyre”.

Laboratori i drogës u zbulua nga kontrolli i ushtruar në katin e dytë të objektit, ku u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 8.8 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis (e tharë), 1064 bimë të dyshuara narkotike kanabis, 960 fidanë kanabisi të mbjellë në kubikë, 850 fara kanabisi, 106 llamba me transformator që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, një armë zjarri automatike me dy krehra me fishekë, një pistoletë sportive me fishekë, një automjet dhe katër aparate celularë.

Po ashtu, nga kontrolli i kryer në banesat e shtetasve të arrestuar, u gjetën dhe u sekuestruan 180 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, një pistoletë me mulli, një armë zjarri pushkë dhe një armë sportive.