Arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi për targat, më 2 tetor largohen barrikadat e forcat speciale! Në Jarinjë dhe Bërnjak shkon KFOR-i! Kurti: Filloi epoka kur Serbia mësohet me reciprocitet

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka njoftuar se të dy palët kanë arritur një marrëveshje lidhur me krizën e shkaktuar së fundmi në pike kalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Lajçak ka shkruar se pas dy ditësh negociata, është arritur marrëveshja që normalizimin e situatës në veri të Kosovës.

 “E kemi një marrëveshje! Pas dy ditësh negociatash intensive, një marrëveshje për de-eskalim dhe rrugën përpara sapo është arritur. E falënderoj Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviç për gatishmërinë e tyre për të negociuar dhe për t’u pajtuar për të mirën e njerëzve”, shkroi Lajçak.

Në njoftim thuhet së palët kanë rënë dakord për tre pika:

1.Nga 2 tetori do të tërhiqen barrikadat bllokuese në Jarinjë dhe Bërnjak dhe brenda 8 orësh do të largohen edhe forcat policore të Kosovës dhe Serbisë. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR do të angazhohet në këto dy pika në Jarinjë dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes së zyrtarëve policorë dhe barrikadave dhe do të qëndrojë aty për dy javë për të garantuar sigurinë.

2.Me 4 tetor do të hynë në fuqi vendosja e Targave të përkohshme të cilat do të jenë në formën e stikersave, të cilat do të mbivendosen në targat e përhershme. Kjo masë do të jetë e përkohshme deri sa të gjendet një zgjidhje e përhershme.

3.Palët kanë rënë dakord për krijimin e një grupi pune të përbërë nga përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë dhe i kryesuar nga BE-, për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave. Takimi i parë i Grupit të Punës do të mbahet më 21 tetor në Bruksel. Brenda gjashtë muajve nga takimi i parë, Grupi i Punës do të paraqesë gjetjet e tij mbi një zgjidhje të përhershme.

Që nga 20 shtatorit, ku u vendos masa e reciprocitetit për targat me Serbinë, serbët lokalë kanë bllokuar rrugët që çojnë në pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Lidhur me gjetjen e një zgjidhjeje për situatën e krijuar pas vendosjes së reciprocitetit, në Bruksel, të mërkurën dhe të enjten, janë mbajtur bisedime të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Më 29 shtator, kreu i delegacionit të Kosovës, Besnik Bislimi tha se është arritur dakordësia për një draft-marrëveshje, e cila pritej të merrte pëlqimin edhe të palës serbe.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 03:11
NATO zotohet për zbatimin e marrëveshjes për targat, Stoltenberg takon sot Lajçakun

Pas arritjes së marrëveshjes sot mes Kosovës dhe Serbisë në lidhje me targat, gjatë ditës së sotme do të takohen Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg me Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi Miroslav Lajçak.

Në një komunikatë për media, zëdhënesja e NATO-s, Oana Lungescu, ka thënë se e mirëpresin marrëveshjen mes dy palëve teksa ka shtuar se KFOR-i do të luajë rol kyç në zbatimin e saj.

“Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO do të luajë rol kyç për të siguruar zbatimin efektiv të marrëveshjes, në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244 të vitit 1999 që mandaton KFOR-in të sigurojë një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhet në komunikatë, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, në këtë komunikatë thuhet se NATO vazhdon ta mbështesë dialogun Kosovë – Serbi të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe përpjekjet e tjera që synojnë normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kujtojmë se në marrëveshjen e arritur dje, forcat e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës të vendosura në pikat 1 dhe 31 do të largohen së bashku me barrikadat e vendosura nga ana e serbëve në rrugët që të çojnë në Jarinjë dhe Bërnjak./Metro

 

Ora 21:57
Marrëveshja Kosovë-Serbi për targat, NATO: KFOR do të sigurojë zbatimin efektiv të saj

NATO ka mirëpritur marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë për targat, por duke theksuar se misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, “do të luajë një rol themelor, për të siguruar zbatimin efektiv të saj”. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja Oana Lungescu u shpreh se NATO mbështet dialogun mes dy vendeve për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

 “NATO-ja vazhdon të mbështesë fuqishëm dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe përpjekjet e tjera që synojnë normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës. Kjo është rruga e vetme drejt arritjes së një marrëveshjeje të qëndrueshme politike për rajonin dhe është kyçe për stabilitetin e të gjithë rajonit”, tha Lungescu, ndërsa shtoi se sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do të presë nesër në një takim të dërguarin e BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Ora 15:20
Zyrtari i DASH, Escobar: Dialogu Kosovë-Serbi drejtohet nga BE, mbështetet nga SHBA

Në një deklaratë për median Gabriel Escobar , i dërguari i DASH për Ballkanin Perëndimor në një konferencë për mediat u shpreh se palët do të bashkëpunojnë më shumë për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne do të punojmë me dy palët dhe me partnerët evropianë. Do të ketë progres të jashtëzakonshme në vazhdim.  Dialogu është i udhëhequr nga BE dhe do të vazhdojë të jetë i tillë, duke qenë se kemi të bëjmë me një vend evropian. Ne ke mi partnership të gjatë e Kosovën dhe Serbinë”, tha Escobar.

Escobar, i pyetur për deklaratat se DASH kishte deklaruar se Kosova kishte cenuar sigurinë në veri pas vendimit për reciprocitetin e targave u shpreh se nuk do të komentojë mbi komunikime diplomatike.

“ Zgjidhja përfundimtare varet nga vullneti i palëve. Di të them se ekipi i drejtuar nga Lajcak po përgatit propozime të mira. Por duhet të them se gjithçka varet nga vullneti i palëve’ tha Escobar.

Ora 15:03
Basha përshëndet marrëveshjen Kosovë-Serbi për targat: Inkurajojmë përpjekjet e BE dhe SHBA-së për një zgjidhje të përhershme

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka përshëndetur marrëveshjen Kosovë-Serbi për reciprocitetin e targave. Basha thotë se ky është një hap i rëndësishëm në uljen e tensioneve dhe në trajtimin e barabartë të qytetarëve në të dy anët e kufirit

Kreu i PD-së shkruan se ato inkurajojnë përpjekjet dhe angazhim e BE dhe SHBA për një zgjidhje të përhershme, për marrëveshjen e njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë

‘Përshëndes marrëveshjen e arritur sot mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e të dërguarit special të BE, Miroslav Lajčák. Ky është një hap i rëndësishëm në uljen e tensioneve dhe në trajtimin e barabartë të qytetarëve në të dy anët e kufirit. Unë dhe PD mbështesim dhe inkurajojmë përpjekjet dhe angazhim e BE dhe SHBA për një zgjidhje të përhershme, për marrëveshjen e njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.’- shkruan Basha.

Ora 14:26
Kurti: Tash fillon epoka kur Serbia nis e mësohet me reciprocitet

 

Pas arritjes së marrëveshje në Bruksel ka reaguar edhe kryeministri I Kosovës I cili ka theksuar se me marrëveshjen e sotme në Bruksel është vendosur reciprociteti i targave të automjeteve.

 “Tash fillon epoka kur Serbia nis e mësohet me reciprocitet. Reciprociteti i targave të automjeteve është vendosur. Meqë targave të Republikës së Kosovës në Serbi do t’iu mbulohet simboli shtetëror, të gjitha targave të Serbisë pa dallim do t’iu mbulohet po ashtu simboli i tyre në territorin e shtetit tonë. Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka shkuar në Jarinje dhe Bërnjak më 20 shtator për të mbrojtur vendkalimet dhe policinë kufitare nga bllokuesit e rrugëve dhe qarkullimit të lirë”, ka shkruar ai.

 

Në fjalën e tij Kurti ka theksuar se tanimë forcat speciale të Kosovës duhet të tërhiqen për t'u lënë vendin forcave të KFOR. 

" Meqë ata do të largohen, njësia jonë speciale nuk ka pse qëndron atje, dhe mbetet gjithnjë e gatshme për ndërhyrje në çfarëdo cenimi të njëjtë apo të ngjashëm në të ardhmen. Natyrisht, policia jonë kufitare në vijim do të zbatojë reciprocitetin e targave. KFOR-i do të qëndrojë aty, rreth dy javë, që gjithçka të jetë e sigurt", tha Kurti. 

 

Ora 14:04
Arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi, reagon ambasada SHBA-së në Prishtinë: Lajm i mirë, dialogu sjell përfitime për qytetarët e dy palëve! Borrel: Tani duhet dialog konstruktiv

I dërguari i SHBA me punë në Kosovë, Nicholas Giacobbe e ka  cilësuar një lajm shumë të mirë arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi. Giacobbe shkruan se ky është një shembull sesi riangazhmi në dialog mund të sjell përfitime për qytetarët kosovarë dhe ata serbë.

“Lajm i mirë nga Brukseli, një shembull se si riangazhimi në Dialog mund të ketë përfitime reale dhe të qëndrueshme për kosovarët dhe serbët. Falë Miroslav Lajcak për lehtësimin dhe për partnerët kosovarë dhe serbë për gatishmërinë e tyre për të negociuar”, shkruan Giacobbe.

Për marrëveshjen ka reaguar edhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell tha se pas kësaj marrëveshjeje, Kosova dhe Serbia duhet t’i rikthehen dialogut për normalizimin e raporteve.

“Kosova dhe Serbia tani duhet të përfshihen në mënyrë konstruktive në dialog për të bërë përparim të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve”, tha Borrell.

Ora 14:03
Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, reagon Ministria e Jashtme: Vazhdimi i dialogut e vetmja mënyrë për bashkëpunim

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ka reaguar në lidhje me marrëveshjen e arritur sot në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë. Xhaçka shkruan se vazhdimi i dialogut është e vetmja mënyrë për të vazhduar bashkëpunimin.

'Shqipëria mirëpret marrëveshjen e arritur sot në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë. Vazhdimi i dialogut është e vetmja mënyrë, në frymën e bashkëpunimit ndaj të cilit Shqipëria është angazhuar në mënyrë të pakthyeshme në përpjekjet e saj dypalëshe dhe shumëpalëshe.'- shkruan ministria e Jashtme.

Reagimi i ministres Olta Xhaçka
Ora 13:48
Ursula von der Leyen, përshëndet marrëveshjen Kosovë-Serbi: Zhvillim pozitiv pas takimeve të mia me Kurtin dhe Vuçiç, dialogu duhet të vazhdojë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë. Von der leyen shkruan se ky është një zhvillim shuëm pozitiv pas takimeve të saj me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandër Vuçiç, gjatë turit të saj në Ballkan.

Teksa ka shpërndarë postimin e Miroslav Lajçak, të dërguarit e BE për çështjen, Von der leyen shkruan se dialogu duhet të vazhdojë.

"Unë mirëpres ngrohtësisht marrëveshjen e arritur sot në Bruksel midis Serbisë dhe Kosovës. Ky është një zhvillim shumë pozitiv pas takimeve të mia me Presidentin Vuçiç dhe kryeministrin Kurti. Është mirë për të gjithë rajonin.Dialogu tani duhet të vazhdojë", shkruan Von der Leyen.

Ora 13:30
Vuçiç i kënaqur me marrëveshjen: E konsideroj sukses të madh të Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka folur pas arritjes së marrëveshjes në Bruksel lidhur me situatën e krijuar në pikëkalimet kufitare Kosovë-Serbi në Jarinjë dhe Bërnjak. Vuçiç konfirmoi se pala serbe në Bruksel pranoi, siç njoftoi BE, një propozim kompromisi për de-eskalimin e situatës në veri të Kosovës.

“Unë mendoj se kemi arritur një lloj zgjidhjeje kompromisi, me të cilën jam i kënaqur dhe mendoj se është e rëndësishme për palën tonë. Tërheqja e ROSU-së është parashikuar dhe është një tregues se në të ardhmen veprime të tilla të shqiptarëve do të hasin në rezistencë nga popullata serbe. Kthimi i KFOR-it në përputhje me Rezolutën 1244 është i rëndësishëm dhe tregon se është e mundur të sigurohen garanci sigurie për serbët””, tha Vuçiç.

Duke theksuar heqjen e forcave speciale të Policisë së Kosovës nga veriu, Vuçiç tha se e cilëson sukses të madh marrëveshjen e arritur sot.

“Unë e konsideroj këtë një sukses të madh të palës sonë”, tha presidenti serb.

Sipas tij, pika për vendosjen e afisheve në targat e veturave të njëra-tjetrës ishte propozim i Serbisë, ndërsa tha se qytetarët e të dy anëve nuk do të kenë nevojë të paguajnë.

“Ne jemi ata që e propozuam vendosjen e afisheve për ta, ata nuk mund të vendosin targa të përkohshme, por do të vendosin një afishe në stemën serbe dhe kjo nuk ka kosto”, tha Vuçiç.

Ai tha se Serbia do të përballet me një periudhë të vështirë bisedimesh.

/G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Seuli thotë se Koreja e Veriut po përgatitet të dërgojë më shumë trupa dhe armë në Rusi

Seuli thotë se Koreja e Veriut po përgatitet të dërgojë më shumë trupa dhe armë në Rusi