TIRANE - Arrestohet nga policia 18-vjeçari Daniel Drobaj, i cili hodhi kapsollën që dëmtoi rëndë në dy gishta të dorës së djathtë, efektiven e "Shqiponjave" Ina Nuka, gjatë protestës së dhunshme para Kuvendit. Sipas policisë, autori është prangosur në rrugën "Babë Rexha" në kryeqytet mbrëmjen e kësaj të premte 24 orë pas shpalljes në kërkim. 

I riu është identifikuar nga pamjet filmike të protestës së dhunshme dhe u shpall në kërkim që një ditë më parë. Në pamjet filmike të sekuestruara nga prokuroria, 18-vjeçari rezulton se ka qenë mjaft aktiv gjatë gjithë protestës. Kapsolla e hedhur prej tij preku efektiven e "Shqiponjave" në pjesën e qafës. Në përpjekje për ta larguar, lënda plasëse i shpërtheu polices në duar, duke i shkaktuar dëme të rënda në dy gishtërinj. Ajo ka një plagë të rëndë edhe në pjesën e qafës. Report Tv dhe Shqiptarja.com sigurojnë edhe foton e të arrestuarit si dhe videon e momentit të arrestimit nga uniformat blu. 

Daniel Drobaj 

Ndërkaq, Daniel Drobaj rezulton se është ndaluar nga një partullë policie pak çaste pas protestës dje. Report Tv disponon pamjet filmike kur i riu ndalohet pranë "Ushtarit të Panjohur". Në ndihmë të tij mbërrijnë të afërm të tij dhe deputetë të LSI-së, Luan Rama, Indrit Braimllari dhe Floida Kërpaçi, të cilët ia heqin policisë nga duart Drobajn. Në momentin e ndalimit dëgjohet i riu teksa u thotë policëve se është vetëm 17 vjeç dhe kërkon nga ata që ta lënë të lirë...

Sipas policisë, në ngarkim të 18-vjeçarit do të referohen materialet pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe në manifestime të paligjshme”, “Prishje e rendit dhe qetësisë publike” si dhe “Goditja për shkak të detyrës”.

VIDEO/Momentet kur efektivja dëmtohet nga kapsolli

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:57
Si e shpëtuan deputetët e LSI-së nga policia 18-vjeçarin që i hodhi kapsollën efektives Ina Nuka (VIDEO)

TIRANE - Daniel Drobaj, 18-vjeçari i arrestuar sot për plagosjen e efektives së "Shqiponjave" Ina Nuka, pasi në drejtim të saj hodhi një kapsollë, rezulton se është ndaluar nga policia dje pak çaste pas protestës së dhunshme para Kuvendit. Report Tv siguron videon e momentit të ndalimit të 18-vjeçarit pranë "Ushtarit të Panjohur" nga disa policë. Aty mbërrin edhe automjeti i një patrulle policie për ta shoqëruar në komisariat të riun e dhunshëm. 

Por në ndihmë të tij mbërrijnë të afërm, përfshirë edhe të atin, protestues dhe deputetë të LSI si Luan Rama, Endrit Braimllari dhe Floida Kërpaçi. Ata arrijnë t'ia heqin policisë nga duart Drobajn, ndërsa nuk mungojnë as aktet e dhunës në drejtim të efektivëve të uniformave blu, të cilët goditen nga protestuesit e tjerë. Pas disa minutash tensioni policia vendos mos ta shoqërojë 18-vjeçarin, dhe kur e lirojnë pas ndërhyrjes së deputetëve të opozitës, në tension e sipër ai sërish tenton të godasë policët. 

Momenti kur deputeti i LSI, Luan Rama, ia heq nga duart policisë 18-vjeçarin

Arratia e 18-vjeçarit zgjati 24 orë. Ai u prangos pasditen e sotme në rrugën "Babë Rexha", pranë "Pallatit me Shigjeta" në kryeqytet. Në ngarkim të 18-vjeçarit do të referohen materialet pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe në manifestime të paligjshme”, “Prishje e rendit dhe qetësisë publike” si dhe “Goditja për shkak të detyrës”.

Ndërkaq, mbrëmjen e kësaj të premte efektivja e policisë, Ina Nuka, la spitalin e Traumës dhe u nis për në Turqi, ku do t'i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale. Ajo u shoqërua nga një ekip mjekësor i Traumës si dhe familjarë të saj për në aeroportin e Rinasit ku e priste një avion ambulancë i posaçëm. Mjekët janë optimiste se Ina di ta kalojë me sukses operacionin dhe do jetë në gjendje të fitojë fuqinë mbi dy gishtat e dëmtuar rëndë nga kapsolla e hedhur nga 18-vjeçari Daniel Drobaj.