TIRANE- Këngëtarja Anida Take që ndërroi jetë në moshën 83-vjeçare më 12 janar, është përcjellë paraditen e së premtes me homazhe dhe nderime nga personalitetet e artit dhe kulturës dhe familjarët e saj.
 
E lindur në Korçë në një familje patriotësh, ku babai i saj ka qenë edhe pjesëtar i bandës “Vatra”, ajo spikati që në moshë të re për vokalin e veçantë. Gjatë homazheve muzikologu i njohur Vaso Tole ka folur për vendin që zë Anita Take në historinë e Muzikës Shqiptare.

"Kur Anida Take hyri në muzikën shqiptare ne ende nuk kishim një traditë të muzikës të muzikës së lehtë", tha Tole.
 
Ndërsa pianisti i njohur Robert Radoja, ende në një gjendje jo të mirë shëndetësore vjen për homazhe.

“Që në tingujt e parë të këngës Anida ka qenë gjithë jetën prezente. Ka mbi 50 vjet në skenë, duhet një jetë e tërë dhe një përkushtim i tërë e një njeri i tillë si Anita për t’u bërë e për të ngelur në historinë e këngës dhe të muzikës sonë”, u shpreh Radoja.
 
Aktorja e njohur Roza Anagnosti e çmon si një artiste dhe si një grua me shpirt të madh.

“Anita ishte zë kristal. Një zonjë e mençur,me kulturë, një shoqe e mirë, një nënë e mrekullueshme. Ajo kishte një zë unikal qe do të vazhdojmë ta dëgjojmë”, tha Anagnosti.
 
Që në moshën 17-vjeçare në vitin 1951 Anita Take është emëruar si këngëtare profesioniste në Filarmoninë Shqiptare, për të kaluar më pas në Estradën e Shtetit, ku ish drejtori i saj Sulejman Dibra shpreh kujtimet më të bukura. Dibra kujton edhe të parin recital në historinë e skenave shqiptare, në vitin 1983, ku Anita rrëmbeu zemrën e publikut.

“Unë e njoh në një moment kur Agim Prodani erdhi në drejtori dhe më gjeti aty ulur dhe më tha që Anita është gati të bëjë një recital. Unë nuk dija se çfarë ishte një recital, se kisha dëgjuar ndonjëherë. PO, po tha Anita do të bëjë një recital dhe do të këndojë gjithsej 18 këngë. Doli në recital edhe këndoi atë natë në estradë 25 këngë”, u shpreh Dibra. 

"Po edhe në fillimet e estradës me Vaçe Zelën e artistet e tjera a ka qenë e pranishme?" (pyetje e gazetares)
 
"Po ka qenë e pranishme, madje ka qenë para vaçes. Ka qenë e para këngëtare shqiptare që erdhi ngas Filarmonia", u përgjigj Dibra.

Ministrja e Kulturës Mirela e Kumbaro e pranishme në homazhe shprehet për kënaqësinë që i ka dhënë kënga e Anita Takes. 
 
Gjatë karrierës së saj mbi gjysmëshekullore, Anida Take ka interpretuar një repertor prej 750 këngësh.  Anita Take është nderuar për kontributin e saj me Medaljen “Naim Frashëri” dhe në Festivalin e 40-të të Këngës në RTSH i është dhënë trofeu “Mjeshtër i Punës”.