“Burri i shtëpisë”, filmi shqiptar i
përzgjedhur mes më të mirëve

“Burri i shtëpisë”, filmi shqiptar i<br />përzgjedhur mes më të mirëve
“ ‘Burri i Shtëpisë’, është i shkruar më së miri, emocionalisht mbërthyes, një histori mjaft e pazakontë e cila na çon në një botë të panjohur. Karakteret janë të dallueshëm dhe historia ka një potencial kinematografik të mrekullueshëm. Skenari është mrekullisht ndjellës rreth botës së mistershme dhe të çuditshme të banuar nga këta karaktere – shprehet Claire Dobbin, një nga editoret më të njohura të skenarit në botë dhe përfaqësuese e “Quinox Europë”.
Filmi është historia e një burrneshe shqiptare në ditët e sotme dhe është përzgjedhur për prezantim në një ndër eventet më të rëndësishme filmike në Europë: “When East Meets West”, që zhvillohet në Trieste të Italisë, në Janar 2014, ky film është njëherazi edhe prezantimi i parë shqiptar në këtë event të kinemasë europiane organizuar nga FVG Audiovisual Fund and the Trieste Film Festival, në bashkëpunim me “Eurimages” dhe “European Audiovisual Entrepreneurs EAVE” . Ky forum ndër më të mëdhenjtë në Europë për sa i përket numrit të producentëve dhe financierëve europianë të filmit, të cilët identifikojnë dhe targetojnë vendet dhe projektet ku do të investojnë në vitin në vazhdim. Përzgjedhja për tu prezantuar në këtë për këtë forum është shumë konkurruese. Këtë herë janë paraqitur rreth 200 filma nga 29 shtete për tu përzgjedhur vetëm 20 projektet më të rëndësishme dhe më premtuese në Europë të vitit 2014.

HISTORIA E “BURRI I SHTËPISË
Fitues i Ariut të Argjendtë për skenarin më të mirë me filmin “Falja e gjakut”, kineasti Andamion Murataj po punon ndërkohë për një tjetër film, të titulluar “Burri i Shtëpisë”. Në ndryshim nga hera e e parë, ku ishte bashkë-skenarist dhe bashkë-producent, këtë herë ai është në të njëjtën kohë skenarist dhe regjisor i filmit, që ka në qendër të tij fenonemin e burrneshave shqiptare. Edhe ky film, ka në thelb një histori autentike shqiptare, “një histori thellësisht unikale që ngërthen në komlpeksitetin e saj shumë elemente të strukturës shpirtërore të formësimit të shoqërisë sonë ndër shekuj”.

“Mua më intereson fati i një gruaje që jeton si burrneshë në një “trans-gender state” dhe që lufton për të mbajtur familjen dhe dinjtetin e saj, dhe pikërisht në këtë përballje të përditëshme fiton respektin e komunitetit në të cilin jeton. Është një nga ato histori të pazëshme por vitale që ndodh përditë para syve tanë por pak kush ju kushton vëmendje”, shprehet skenaristi dhe regjisori Murataj, ndërsa shpjegon se, “Kodi Zakonor, Besa, Burrneshat janë ndër ato institucione që ju kanë mbijetuar kohëve për të ardhur në ditët tona pikërisht pasi kanë një ngarkesë të lartë dhe një ‘kumt’ ende aktual. “Pikërisht aktualiteti i kësaj ngarkese është ajo çka më intereson, dhe pak jam i interesuar per etnografizmin apo ekzotizmin që mund t’i interesojë natyrshëm të tjerëve”, vijon ai.

 
PËRZGJEDHJA NË 20 PROJEKTET FITUESE TË “WHEN EAST MEETS WEST”

Raffaella Delvecchio – “International Production Manager of Apulia Film Commission”:
Ne jemi të lumtur të shohim fitues projektin “Buri i Shtëpisë”,  i cili më pare u përzgjodh për zhvillim në uorkshopin e “Puglia Experience 2013”. Është lajm i mirë dhe për ne, që na bën të gjithëve krenarë. HURRAY! Ne do jemi në Trieste  për suportim të mëtejshëm të projektit. – thotë Raffaella Delvecchio – Menaxhere e Prodhimeve Nderkombëtare të "Apulia Film Commission".


Pas suksesit në “Puglia Experience 2013” dhe përzgjedhjes ndër 200 projekte filmike për tu paraqitur në takimin e producentëve europianë në Trieste, “Burri i shtëpisë” u vlerësua pa asnjë dyshim ndër 20 projektet finaliste të “When East Meets West”.
“Është rrugë e gjatë dhe jam ende në fillim të saj, por jam i lumtur për atë çka ky projekt ka arritur deri më tani. Pasi skenari u përzgjodh si një ndër dhjetë projektet më të mirë për zhvillim në Pulia prej jurisë së përbërë nga skenaristë, filmat e të cilëve kanë fituar shumë çmime Oskar, siç janë David McGee ( “Jeta e Pi”), James V. Hart (“Drakula”), u ktheva në Shqipëri për ta zhvilluar me tej ku dhe mbarova draftin më të ri me të cilin aplikova dhe fitova ndër 200 propozime filmike nga 29 shtete për “When East Meets West”, i cili është ndër eventet më konkuruese dhe më të rëndësishme në Europë për projektet e reja filmike organizuar nga “Friuli Venezia Giulia Audiovisual Fund” dhe “Trieste Film Festival”, në bashkëpunim me “Eurimages” dhe “Eave”. Përzgjedhja ndër projektet më të mira europiane sigurisht është motivuese jo vetëm për mua por edhe për bashkëpunëtorët  ndërkombëtarë të cilëve kanë shfaqur interes për të bashkëpunuar në këtë projekt shqiptar”, bën të ditur Murataj.
 
MBËSHTETJA INSTITUCIONALE DHE PUNA ME FILMIN
 
Për “Falja e gjakut”, Murataj nuk pati mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, edhe pse mund të themi pa frikë se është ndër rastet jo të zakonshëm që një film shqiptar arriti të përfaqësojë denjësisht Shqipërinë në arenën ndërkombëtare dhe i pari e i vetmi që arriti të vlerësohet për skenarin më të mirë në Festivalin e Berlinit. Megjithatë, Murataj shpreson që tashmë kjo të jetë një histori e shkuar. “Besoj të jenë nxjerrë mësimet prej gjithkujt, duke pasur parasysh suksesin e filmit. Do të ishte fatkeqësi t’i rikthehemi të njëjtit qerthull sërish. ‘Burri i Shtëpisë’ është fitues në shumë konkurse ndërkombëtare, dhe shpresoj që puna të flasë vetë e të mos më mbetet mua për ta mbrojtur. Ajo që duhet të ndryshojë me menaxhimin e filmit në Shqipëri besoj është elementare. Tashmë po qartësohet se cilët janë autorët dhe filmat me arritje ndërkombëtare si dhe ata që nuk shkojnë kërrkund. Mjafton dëshira e mirë për të identifikuar autorët dhe projektet që duhen mbështetur. Skena europiane e filmit i ka institucionet dhe infrastrukturën përzgjedhëse shumë të qartë. Është koha që filmat shqiptarë të kalojnë në të njëjtat filtra konkurrues dhe kush të fitojë të mbështetet financiarisht”, vëren kineasti.
 
Ajo që ka rëndësi tashmë është se skenari është kristalizuar dhe realizimipër filmin ka filluar. Për Muratajn, skenari i mirë është “basti më i sigurt për suksesin e një filmi”. “Filmi i mëparshëm nuk e pati fillimin e ‘Burrit të Shtëpisë’ dhe do të më pëlqente të thoja që fillimi i mbarë është gjysma e punës, por nuk është kështu. Në film, çdo hap duhet të jetë një fillim i mbarë. Është përpjekje intensive ‘non stop’ në çdo hap dhe shpresoj që në momentin e duhur të më bashkëngjiten njerëzit dhe institucionet e duhura në këtë rrugë, të cilën deri më tani e kam bërë i vetëm. Është pjesë e punës si ‘filmmaker’ të kërkosh mbështetje, por është po aq pjesë e detyrimeve institucionale të identifikojnë dhe mbështesin autorët që kanë dëshmuar cilësi”, përfundon Murataj.

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Ervin Hoxha merr detyrën si Ministër i Brendshëm: Prioritet reformimi i drejtuesve të Policisë

Ervin Hoxha merr detyrën si Ministër i Brendshëm: Prioritet reformimi i drejtuesve të Policisë