Dhjetra qytetarë gjumashë janë mbledhur në qendër të Shën Petersburgut të veshur me pizhama, pantofla dhe rrobdishanë. Ata e quajnë veten pjestarë të “Shoqatës së Gjumit” dhe tregojnë se u pëlqen të rrinë në krevat sa më shumë të munden. Njëra nga pjesmarrëset, Liza, ndërsa mban në duar një jastëk shprehet se ata janë bashkuar sëbashku për këtë shëtitje pasi të gjithë e dashurojnë gjumin dhe aftësitë më të mira që zotërojnë janë ato për të fjetur gjumë.

Shumica e pjesmarrësve ishin studentë dhe nxënës shkolle por kishte dhe të rritur që ju bashkuan marshimit përgjatë lumit drejt Parkut qëndror të qytetit ndërsa këndonin ninulla.
Një tjetër pjesmarrëse, Sasha, thotë se kohët e fundit kanë patur mangësi në gjumë për shkak të provimeve ndërsa të rriturit punojnë shumë jashtë orari dhe ata kanë qëllim t’u kujtojnë të gjithëve se duhet të flenë dhe se gjumi të bën mirë.

Organizatori i këtij marshimi Anton Koptev u shpreh se ata janë të gjithë njerëz të cilët nuk flejnë mjaftueshëm aq sa do të donin për shkak të angazhimeve të mëdha në punë dhe në shkollë dhe ndonëse as këtu nuk do munden të flenë për shkak të kohës më diell të paktën u jepet mundësi për të treguar që kanë nevojë për gjumë dhe do të dëshironin të flinin.

Të gjithë të ftuarit kishin vetem një kusht për të marrë pjesë: duhet të ishin të veshur me rroba gjumi. Pas marshimit ata u shtrinë mbi urë duke pretenduar se po dremisnin dhe ndërsa një pjesë nisën të luanin që mos t’i zinte gjumi, shumë të tjerë u kthyen nëpër shtëpi, me siguri për të marrë dhe një sy gjumë më shumë.

Redaksia Online
(Suada B. / Shqiptarja.com)