“Ne” qytetarët dhe “ata” pushtetarët

“Ne” qytetarët dhe “ata” pushtetarët
Në fundin e viteve 80 Papa Gjon Pali II bëri një deklaratë në Amerikën Latine, ku këshilloi pakicën sunduese, se nëse nuk shkurton hendekun e thellë politik dhe ekonomik, rrezikon të humbasë gjithçka. Një pakicë sunduese e shkëputur nga qytetarët, i jep vetes një status superior ndaj statutit qytetar, krijon një imazh të gabuar për sfidat e shoqërisë, humb ndjesitë humane dhe imponon rregullat vendimmarrëse, dhe kështu nëpërkëmb parimet e demokracisë dhe personalizon pushtetet. Kjo deklaratë i mbijetoi kohës dhe në formë simbolike u bë metaforë frymëzuese në shumë prej revolucioneve demokratike në Evropën Lindore dhe më gjerë.

Koncepti i disbalancës midis pakicës sunduese dhe shumicës së sunduar në demokraci është debatuar edhe nga emra të njohur të shkencave politike që nga Sartori, Tokvil, Habermas, Dahrendorf dhe përbën një nga elementët më të brishtë të historisë së demokracisë. Vjet kur Italia e Greqia vendosën të krijojnë qeveri teknike pyetja ishte: a kemi të bëjmë me demokraci klasike përfaqësuese? Asnjëri kryeministër nuk ishte kandidat në zgjedhje, nuk u votua nga qytetarët, por secili doli në skenë në një moment krize politike dhe ekonomike, kur "të votuarit" nuk kishin aftësi të drejtonin me ritmin, besimin dhe cilësinë e duhur. Modele të tilla janë objekt i një analizë profesionale dhe në rrethana, kritere dhe situata të tjera, kurse në rastin shqiptar paralajmërimi i Gjon Pali II është aktual dhe vlen sepse përbën sot sfidën kryesore të shoqërisë shqiptare. Kjo vlen në dy aspekte: në përfaqësimin formal dhe në përfaqësimin politik të qytetarëve.

Parlamenti dhe qeveria aktuale dolën nga zgjedhjet parlamentare 2009, ku sipas KQZ, morën pjesë 46% e zgjedhësve në moshë mbi 18 vjeç. Gjithësejt morën pjesë 1.5 milion votues nga 3.7 milion qytetarë (edhe ata nën moshën 18 vjeç), nga të cilët PD si forcë kryesore në qeveri fitoi 610 mijë vota ose 40% të votave të vlefshme. Në raport me numrin total të zgjedhësve PD fitoi 18-19% të votave të të gjithë votuesve të regjistruar ose 14-15% të votave të të gjithë qytetarëve shqiptarë që gjatë katër viteve qeverisen nga partia fituese. Bashkë me partitë aleate në qeveri (përfshirë edhe LSI) ky mandat shkon deri në 17-18% të numrit të gjithë qytetarëve shqiptarë ose diçka më pak se mbështetja e një të pestës së shqiptarëve. Kur lexon këto shifra dhe dëgjon kryeministrin të thotë se ka mandatin e shqiptarëve për të qeverisur formalisht i jep të drejtë, por në thelb del në pah injorimi tërësor që i bëhet faktit se shumica absolute e qytetarëve ka votuar kundër, ka abstenuar ose refuzuar tërësisht ofertat elektorale.

Dukuri të tilla formale gjenden në çdo demokraci, përfshirë edhe atë në SHBA, Britani apo Gjermani, por modeli demokratik dhe përfaqësues i tyre dallon dukshëm me atë shqiptar. P.sh, zonja Klinton dëshmoi në parlamentin tonë diferencën midis garës elektorale dhe shërbimit ndaj interesave amerikane. Asnjëherë nuk ndodh që Presidenti amerikan, kryeministri britanik apo kancelari gjerman të marrin vendime apriori, pa konsultimin edhe me pjesën që nuk ka votuar pro tyre. Siç ndodhi ditët e fundit me buxhetin amerikan, siç ndodhi me sistemin e taksave, politikat sociale e shëndetësore në Gjermani, siç ndodh vazhdimisht në Britani e kudo tjetër, ku ekzistojnë diferenca minimale midis atyre që qeverisin dhe të qeverisurve.

Në Shqipëri këto modele janë sa të pakuptueshme aq edhe utopike. Ne nuk kemi traditë demokratike, nuk kemi nivele të njëjta jetese dhe as kulture politike, nuk kemi institucione funksionale dhe as politikanë të tillë, që të jenë të aftë të bëjnë diferencën midis politikës si mision dhe politikës si burim përfitimi.

Ne njohim vetëm modelin e të fortit, që i merr të gjitha pushtetet dhe bën siç dëshiron, që personalizon institucionet dhe jetën politike, që krijon bllok të pasur pakice mbi baza besnikërie, familjare apo fisnore; që nuk njeh dhe as aplikon nocionet e transparencës publike dhe që nuk pranon në asnjë rast të jetë i barabartë me qytetarët votues. Shembujt janë të shumtë dhe të përditshëm: çdo ditë ka lajme sesi qytetarët penalizohen për taksa të papaguara kurse zyrtarët e lartë nuk paguajnë prej vitesh. Ekzistojnë kritere paralele për qytetarët që duan të rekrutohen në diplomaci, arsim, administratë, polici, ushtri, etj, dhe atyre që vijnë nga rrethi familjar i pushtetarëve.

Të parët vuajnë pafund në labirintet e burokracisë, paguajnë kudo për shërbimet publike, denigrohen për shkak të bindjeve politike, nuk kanë garanci për pronën, punën, arsimin, lëvizjen dhe as mendimin e lirë. Ata të dytët përbëjnë pakicën sunduese: ata kanë vende pune të garantuara, gradohen në poste me shpejtësinë e erës, nuk kanë nevojë për konkurse e gara, nuk kanë nevojë për arsim dhe as përputhshmëri midis shkollës e vendit të punës, nuk kanë nevojë për sistem monitorimi dhe as kontrolli, nuk ndalohen kurrë nga policia kur shkelin ligjin dhe nuk gjykohen nga drejtësia as në rast të veprave publike kriminale. Ata nuk pranojnë të punojnë me qytetarët (çuditërisht pak prej tyre punojnë në arsim, në punët e shërbimeve publike apo profesione të tjera shërbimi), por destinohen direkt për poste të larta elitare e financiare: në dogana, tatime, dhe vetëm në hierarkitë e larta të fushave të tjera shërbimi, përfshirë diplomacinë, policinë, arsimin, shëndetësinë.

Nëse një polic në Shënkoll dënohet dhe del kudo në media se është kapur me celular të fshehtë në burg, nëse një pensionist në Kurbin dënohet nga gjykata se ka përfituar ndonjë muaj ndihmë sociale të pamerituar, nëse një minator në Bulqizë kalon në ndjekje penale se nuk ka pagu¬ar kredinë, nëse një peshkatar në Vlorë arrestohet se ka peshkuar pa leje nga organi përkatës, nëse një banor në Tiranë gjobitet sepse ka parkuar gabim ose nuk ka paguar faturën mujore të ujit/dritave, për pakicën sunduese nuk ka gjobë e dënim as kur akuzohen publikisht për përvetësime në miliona dollarë, shfaqen në kamera duke ndarë dollarë në zyrat e shtetit, deklarojnë të ardhura fiktive shumë më të mëdha sesa milionerët amerikanë, shtojnë pasuri me banesa e vetura luksoze me burime informale, siç nuk ka gjobë as ndëshkim as kur nuk paguajnë taksa, as kur parkojnë mbi trotuare, as kur grabisin e privatizojnë me dhunë pronat publike e pronat e tjetrit, as kur falsifikojnë diploma e tituj akademikë, as kur bëjnë udhëtime turistike me paratë publike dhe as kur ndërhyjnë në polici, prokurori e gjykata për të ndihmuar persona të inkriminuar me lidhje politike dhe elektorale.

Një qytetar nuk ka ku të trokasë kur i mungon energjia apo i vjen me forcë duke i prishur pajisjet elektroshtëpiake, kurse një pushtetari një vit më parë KESH/CEZ i kompletoi brenda 24 orëve mbi 100 milionë pajisje shtëpiake për shkak të dëmtimit nga defekti në rrjet. Mijëra disidentët politikë të komunizmit ende nuk kanë marrë as këstet e para të kompensimit financiar, kurse kryeministra, ministra e zyrtarë të lartë të akuzuar për korrupsion dhe të shpallur të pafajshëm nga gjykatësit e emëruar prej tyre janë kompensuar menjëherë dhe në vlerën monetare më të lartë. Një pronari toke i duhen vite të sigurojë një leje ndërtimi në banesën e tij, kurse një pushtetar nuk e ka problem të ndërtojë hotele luksoze në troje turistike, të siguruara me paketën 1 euro, përmes vendimeve në konflikt interesi.

Këto e dhjetëra detaje të tjera të jetës së përditshme bindin këto, se ekziston një hendek i thellë midis "ne" qytetarëve dhe "ata" politikanëve vendimmarrës, hendek që minon besimin tek demokracia, institucionet, shteti dhe sistemi politik. Ky konkluzion i nënvizuar edhe nga Instituti Demokratik Amerikan dhe DASH në raportin e tyre të fundit, nxjerr në pah krizën e thellë ku ndodhet shoqëria shqiptare, qytetarët dhe institucionet përfaqësuese, si dhe nevojën e madhe, jetike, që Shqipëria të gjejë mekanizmat e reflektimit, ndërhyrjes dhe veprimit për ta shndërruar sistemin e pakicës antidemokratike, bllokuese dhe përfituese, në sistem demokratik të shumicës qeverisëse.

Kjo përbën edhe provën e zjarrit për të gjitha subjektet politike qytetare në zgjedhjet e vitit 2013. Zgjedhja midis pakicës sunduese dhe shumicës qytetare përbën zgjedhjen midis oligarkisë dhe demokracisë, midis të ardhmes si peng i të kaluarës dhe të ardhmes si shans për të gjithë, midis Bllokut periodik që pushtetet krijojnë në Tiranë dhe miliona shqiptarëve që jetojnë jashtë Bllokut, por të kërcënuar, fyer e denigruar prej tij. Një zgjedhje që duhet të bëjë dallimin midis traditës komuniste e otomane të nomenklaturave sunduese dhe traditës perëndimore të shoqërive qytetare, të bazuara në sistem vlerash, meritash dhe aftësisht, të afta të reagojnë, të marrin përgjegjësi dhe të mbrojnë të drejtat dhe lirinë e tyre.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com
(eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?



×

Lajmi i fundit

AF Elbasani bën 'shopping' te Tirana

AF Elbasani bën 'shopping' te Tirana