Ish kreu i organit të akuzës vlerësoi punën e Prokurorisë dhe Policisë që çoi në arrestimin e Shullazit, pas kërcënimit që ai i bëri kandidatit për Rektor të UT, Mynyr Koni.
Sollaku tha se Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe ajo e rrethit të Durrësit do të bashkojnë dosjen hetimore për Shullazin dhe për vazhdimësinë e hetimeve do të punojë një trupë e vetme.
Sollaku shpjegoi edhe raportin e botës së krimit me politikën.
Sipas tij, segmente të krimit bashkohen politikës gjatë fushatave zgjedhore, ndërsa më pas politika e ka të vështirë të shkëputet prej tyre.
Z.Sollaku, sa e ndikon çështjen e arrestimit të Emiliano Shullazit, debati politik që po bëhet për këtë arrestim?
Në fakt, kur ka persona të dyshuar të botës së krimit, do të jenë pjesë e debatit. Pra, kur ka aksione të policisë dhe prokurorisë. Normalisht, klima nuk i bën mirë objektivitetit të çështjes, por është për tu përgëzuar që Prokuroria e Policia veprojnë.
Do të ketë zhvillime pozitiv kjo ngjarje?
Detyrë e Policisë dhe e Prokurorisë është të veprojë kudo, pavarësisht nga emrat që lakohen në media apo nga politika. Kur konstatohet se dikush ka bërë një vepër penale është detyrë e prokrorisë dhe e policisë për të vepruar.
Dosja po hetohet e ndarë nga Prokuroria e krimeve të rënda dhe ajo e Qarkut të Durrësit...
Varet nga juridiksioni ku janë kryer veprat penale. Në një moment të caktuar procedural çështja mund të bashkohet. Përsa kohë bëhet fjalë për të njëjtët persona që kanë kryer vepra penale në Durrës, në Fier, apo në Tiranë, çështjet bashkohen dhe ndiqen nga një grup prokurorësh.
Ka qenë një deklaratë e Pjerin Ndreut, deputetit të PS, për vrasjen e bankierit Artan Santo, i cili thotë se Policia e di vrasësin por s’ka prova. Ka dhe raste të tjera?
Në raste të tilla, për t’i arrestuar apo gjykuar para gjykatës, duhen prova. Puna e prokurorisë është punë me zyrë, detyrë e prokurorit është të orientojë hetimet dhe për t’i dhënë drejtimin e duhur hetimit të një çështje. Sa i kërkohet Prokurorisë, më shumë do t’i kërkohet Policisë.
Si e konsideroni deklaratën e ish kryeministrit Berisha, në raport me një paralajmërim ndaj kryeministrit Rama. Ligjërisht a ka indice për ta përcaktuar si vepër penale?
Mendoj që është në kuadrin e luftës politike, akuzave dhe kundërakuzave. Gjuha ishte e ashpër, por Berisha e ka pësuar edhe vetë në kurriz kur morën armët për ta rrëzuar. Por, jemi një shoqëri e pamaturuar e cila edhe pjell këtë klasë politike.
Vuri në lëvizje Prokurorinë deklarata e Berishës...
Ngjarja që u prezantua ishte e rëndë. S’kishim dëgjuar që krimi të shantazhonte botën akademike. Se çka ngelur tjetër? Por, reagimi ishte i shpejtë gjithashtu.
Raporti krim/politikë, sot që jemi larguar nga sistemi, sa e lidhur është politika me krimin?
Nuk mund të flas pa prova, por perceptimi është që njerëz të botës së krimit, në fushata elektorale, i ngjiten klasës politike me financime. Kjo pastaj ka handikapin tjetër që kur vijnë në pushtet, sa do ta mbash larg këtë kontingjent...Kjo ka të bëjë me sistemin zgjedhor, kulturën politike. Në 25 vjet, majtas dhe djathtas i kanë përdorur këto kontingjente në fushata për të maksimalizuar votat. Kjo do të ishte e keqja më e vogël por ne kemi patur në parlament njerëz me rekorde kriminale.
Si e shpjegoni që Prokuroria ka qenë e pafuqishme për ta luftuar këtë?
Deri para 3-4 vitesh, kur u bënë ndryshimet kushtetuese që kufizuan imunitetin e politikanëve. Më parë ishte e vështirë të hetoje një politikan. Kishte dhe pamundësi procedurale për të arritur te provat. Ka patur raste për politikanë ose ministrat të korruptuar, por hetimi ishte i vështirë, sepse duhej t’i merrje autorizim Kuvendit. Ndërsa sot, ministri nuk ka më imunitet. Policia dhe Prokuroria, nëse dyshon se një ministër është i korruptuar, atëherë ai i nënshtrohet menjëherë metodave të hetimit si përgjimi etj, pa qenë nevoja për t’i marrë autorizim Kuvendit.
Çfarë e pengon Policinë për ministrat e administratës së kaluar p.sh?
Ka shumë faktorë, kualifikim i punonjësve që merren me hetimin, për të gjetur prova dhe referuar në Prokurori. Rastet e korrupsionit vështirë që t’i gjesh në letra, sepse letrat grisen. Kur është bërë korrupsioni, mbyllet gjithçka. Nëse do të ketë vullnet maksimal, për njerëzit që merren me hetimin, nuk ka asgjë të pazbulueshme.
Nisur nga përvoja juaj, si ish Kryeprokuror ku ka çaluar puna e hetimit?
Duhet rikonceptuar puna mes Policisë dhe Prokurorisë. Sot kemi një prokurori të centralizuar. Ndryshimet e reja janë decentralizuese dhe u jepet pavarësi prokurorëve. Prokurori i Përgjithshëm ka patur për detyrë urdhërimin dhe shfuqizimin e vendimeve të prokurorëve, por nuk është bërë. Sot, në vendimmarrje në prokurorët i kemi të pavarur. Tani, drejtuesi i prokurorisë, kur konstaton se kjo vendimmarrje nuk është në përputhje me ligjin, ka të drejtë ta rrëzojë. Prokurorët megjithëse kanë mekanizma që i bëjnë të pavarur, nuk ushtrojnë përgjegjësi.
Janë me numra rastet e zyrtarëve të lartë që kanë shkuar në gjyq...
Ne kemi shumë çështje në gjyq. Mund të jemi një nga vendet me numër popullsie me më shumë të dënuar. Sa më shumë kemi kriminalitet, aq më shumë kemi tendenca të futet në burg...Gjithmonë thuhet në rekomandime se duhet të përdorim dënime alternative, jo gjithmonë me burg. Nëse Kodi i Procedurës Penale parashikon 10 masa dënimi, pse gjithmonë me burg? Apo tendenca e madhe për patentat e makinave me burg, jo gjithçka me burg. Po ia hoqe patentën për 6 muaj, ajo e ka bërë punën e vet.
Pse ka guxim të çojë një pa patentë dhe jo një ministër, apo ish ministër...
Është një lloj imuniteti që ka politikani për shumë faktorë. Ata përcaktojë prokurorin e përgjithshëm, ky prokurorët e tjerë në rrethe. Politika është ajo që përcakton dhe janë të kujdesshëm në aksionet penale ndaj kësaj kategorie.
Për rastin e ish ministrit të Punës, Ksera, është një masë ekstreme?
Që të japësh një gjykim duhet të japësh lëndën. Përsa kohë s’dimë veprimet konkrete që ka bërë ai, dhe porsa kohë gjykata e lartë e la në burg...
Prokurori Adriatik Llalla, është i vetmi prokuror që i ka shpëtuar sulmit të Berishës. Si e gjykoni punën e tij?
Mendoj se Prokurori i Përgjithshëm aktual, bën detyrën që i ka përcaktuar kushtetuta dhe ligji. Vlerësimet e prokurorëve nuk ka qenë pozitiv, pasi njerëzit persin një prokuror agresiv. Prokurori i Përgjithshëm nuk ka as kallash, as top, por menaxhon një institucion, por duhet parë karakteri i një prokurori. Çështjet që hetohen procedohet nga prokurori i shkallës së parë, detyrë e prokurorit të përgjithshëm, për dosjet e rëndësishme, duhet të marrë informacion, të jetë më aktiv në këto çështje. Në këto çështje që kanë bërë bujë, në rastin e Fullanit, ka qenë një çështje e nxituar. Nëse në rastin e parë mendohej se ka shkelje, ato nuk ishin të tilla që të justifikonin arrestin. Duhet të ndiqeshim më me gjakftohtësi derisa të gjendeshin çështjet. Në këtë rast, Prokuroria ishte shumë larg.
Jeni akuzuar nga Berisha se keni fjetur mbi dosjet e korrupsionit...
Kjo është një melodi që dëgjohet vazhdimisht kur vjen problemi i politikës me prokurorinë. Dosjet janë të regjistruara, çështjet i kanë prokurorët. Kjo është punë me të shkruar, si nga prokuroria dhe gjykata. Prokurori i Përgjithshëm nuk ka çështje, ai është një menaxher, në kuptimin që mbi bazën e kontrolleve, rezultateve që i referohen secilit prokuror, bën punën e kuadrit. Z.Berisha mendoj se ka reflektuar, që nuk të çon gjëkundi sulmi kuturu i Prokurorit të Përgjithshëm. Për mua, z.Llalla ka bërë detyrën si prokurorët e tjerë.
Po z.Rama, ka tendencë për të qenë i pranishëm te organet e drejtësisë?
Nuk më rezulton që të ketë influenca në vendimmarrjen e Prokurorëve.
Problem është rrjedhja e informacionit te personi në hetim, te politikanët, partia, ju si e menaxhonit?
Është sëmundje e vjetër kjo. Është për të treguar që po punohet, për të ruajtur marrëdhënie të mira me gazetarët..., ka nevojë për kritere më të qarta për të ruajtur sekretet e hetimit.
Sot merreni me avokati, nesër ku do të jeni?
Profesioni i avokatit, është i bukur, puna në drejtësi është e bukur.
Reforma në drejtësi krijon dhe vende të reja pune, keni synim për ndonjë nga strukturat.
Jo, për momentin jo. Jam mirë me këtë profesion që e dashuroj. Jam mirë këtu.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com