“Sonata e hënës” në vizionin 
shpirtëror të Natasha Begës

“Sonata e hënës” në vizionin <br />shpirtëror të Natasha Begës<br>
“Më thirri piktura!” Kështu i ka ndjerë Natasha Bega kërkimet e imazheve të para në telajo, si një thirrje të brendshme, si një jehonë që s’dihet se nga cilat thellësi iu qas. Me ekspozitën “Sonata e Hënës”, që Natasha Bega çeli së fundmi në Muzeun Historik Kombëtar, ka sjellë në vaj e kanavacë zëra jete e tiguj muzikorë nga kultura të ndryshme të globit.

Bega nuk ndërton imazhe, i kërkon ato në thellësi të shpirtit. Kur je përpara pikturave të saj, kupton se ajo bashkohet me veprën që në zanafillë, bëhet njësh me të, pa e kursyer veten. Jeta e saj e lirë, e përcaktuar të udhëtojë me artin, dhe e jetuar me art, është një rebelim i pazakontë dhe sfidë në qerthullin e lëvizjes globaliste, “mënyrës së përcaktuar të jetesës”.

Duart e saj çlirojnë simbole e figura që e kalojnë hapësirën e prekshme edhe nga vet piktorja. Natasha Bega e jeton jetën në të gjitha dimensionet e saj,të dashurisë për fëmijët, familjen, miqtë, por di dhe të mbaj një distancë të përkorë për të qenë mjaftueshëm vetvetja, unike si askush. Por edhe dashuria e të gjitha dimesioneve asnjëherë nuk quhet e përfunduar për Begën. Ajo zgjerohet si rrathët koncentrikë dhe veprat e saj vishen pareshtur me një rrezatim të pazakontë të dashurisë universale.

Çdo gjë zgjerohet në vepër; dashuri për kulturën e vendit të saj, e vendeve të botës, dashuri për tokën, për diellin, për hënën, për yjet. Tashmë veprat e saj kanë arritur pragun për t’u vulosur me emrin e saj. E djegur nga dëshira për ta parë shpirtëroren të materializuar në art, Bega e ka ndryshuar të gjithë rrjedhën e mëparshme të jetës, duke e lënë dritën e artit të hyjë nga të gjitha labirinthet e shpirtit. Nëse je para tablove të Begës, pak e vret mendjen për temën e veprës. Gjendja që përjeton është më sfiduese se akti teknicist i pikturimit. Veprat e ciklit “Sonata e hënës” të lënë pa fjalë.

Bega i jepet pikturës tërësisht, e lë veten të sundohet nga ajo, duke e lënë e lënë jetën rrotull vetes së saj të shkojë në rrjedhën më të natyrshme që mundet. Rrallëkush punon si ajo. S’ka nevojë të imitojë askënd. Piktura, është dashuria dhe hijeshia misterioze nga e cila rrethohet përditë Natasha Bega.

E palodhur, duke udhëtuar në hapësirat ku dinë ta çojnë vetëm penelatat e saj, Bega rikthehet çdo vit me ekspozita, dhe vizitori i tyre ndryshon sjelljen rutinore kur futet në komunimkim me vepra kaq origjinale. Bega edhe pse nuk njeh limit në punën e saj në studio, “nuk bërtet” për veprat, nuk i bën lajm! Ka çelur dhjetëra eskpozita në jetën e saj, brenda dhe jashtë vendit, të vlerësuara dhe të konsideruara si krijimtari e veçantë. Secilën ekspozitë e ka prezantuar si një kapitull më vete.

Ashtu siç vjen edhe cikli “Sonatat e hënës”, siç kanë qenë edhe ekspozita më e afërme për Ali Pashë Tepelenën, e të tjera të çelura në hapësira të ndryshme të kryeqytetit. Pa u ndjerë, pa bërtitur, Bega udhëton çdo ditë me veprat e saj. Artin pamor ajo e shfaq të krijuar në disa dimesione stilistike, por edhe të kompozuar me një pafundësi teknikash e materialesh që realizon veprat, pa përjashtuar edhe instalacionet, kapriciot artistike, etydet, nudot, poezitë, muzikën. Nuk është çudi kur kupton se piktorja e ndjen shijen e jetës ashtu si arti. Për Natasha Begën, e gjithë energjia e universit është e mundshme të përfundojë në telajon e saj me piktura fantastike.

Tek ky cikël që quhet ”Sonata e hënës”, piktorja ka shpalosur vetëm ndriçimet dhe hijedritat e saj. Brenda digjet zjarri jetës në Tokë. Muzika është përthyer në ngjyra. Shohim disa nga veprat. Ngjyrat e Natasha Begës, ndonëse herë pas here, shfaqen përmes kalesave dhe lëvizjeve të holla e delikate të penelit, rrëfejnë kompleksitetin dhe rezonancën karakteristike që ka pritur të arrijë.

Bega krijon me elementë figurativë shpesh çuditshëm, shpesh përmbysur, të cilët shpërndahen në kanavacë në një mënyrë arbitrare, duke prodhuar efekte magjike, që vijnë nga një brendësi shpirtërore plot energji. Shpesh asaj i qëllon të sjell në tablo me shqisën e dashurisë edhe personale të panjohur, por që duket sikur të flasin përmes tablosë. Shpesh gjen vetë atë të ravijëzuar në pikturë, një grua plot pasione dhe emocione, duke shfaqur më të plota ndjesitë se vetë fytyrën e saj.

Duket se ajo që vjen nga brenda pret të shpërthejë, dhe gjen një ditë dritën për të depërtuar në thellësinë e shpirtit. Vetëm kështu mund të perceptohet dukuria stilitike e piktores.

Kush është Natasha Bega
Piktore dhe poete ka lindur në Tiranë, ku ka kryer dhe studimet e larta për gjuhë të huaj dhe psikologji. Është autore e shumë librave, si dhe e ekspozitave personale brenda dhe jashtë vendit. Disa nga botimet e saj janë: “Lirika” (poezi, 1989), “Gjerdani i artë” (roman, 1994), “Kur të mos duhemi më”, (poezi,1996), “Intuitë”, (poezi, 2002), “Heshtja e murit”, (poezi, 2003), “Gabimi”, (poezi, 2004), “Një jetë tjetër” (roman, 2004), “Atë e bir”, (poezi grafike, 2005) etj. Ajo ka realizuar edhe dy prodhime kinematografike; “Një biletë në Europë” dhe “Vrapoj diellin”.

d.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Parisi i jep lamtumirën Lojërave Olimpike, Shqipëria theu rekordin e saj historik me dy medalje bronzi

Parisi i jep lamtumirën Lojërave Olimpike, Shqipëria theu rekordin e saj historik me dy medalje bronzi