Më pas, me gjasë, duhet të kenë nisur diskutimet e shumta e të zhurmshme alla-shqiptarçe, të aktorëve (ata që fotografoheshin dhe mjeshtri) dhe spektatorëve (të afërme dhe të tjerë), mbi datën, orën, vendin, veshjet. Ndonëse fotografimi në Dardhë ishte diçka mjaft e vjetër (fillimet prej gjysmës së dytë të shekullit XIX), vetë tubimi i dhjetë çifteve nuk mbahej mend të kish ndodhur më parë.

Atje, kishte shumë mote që fotografohej shumëçka, pra prej kohësh dardharëve nuk u krijonte më ndjesi të reja “dalja në fotografi” ose “nxjerrja në fotografi”, por kjo ishte e para e llojit. Si në asnjë fshat tjetër në vend (edhe qytetet ishin më pak se gishtat e një dore), aty kishte dhe një dyqan me fjalën “fotograf” në tabelën mbi portën e hyrjes (“Thimi Raci-Teneqexhi dhe Fotograf”,viti 1911), përveç lokaleve të tjera të shërbimeve si këpucar, rrobaqepës, berber etj.

Pra, “dalja në fotografi” ishte kthyer në një rutinë të rëndomtë. Çuditërisht, kjo shprehje me tri pjesë, që përfaqëson procesin e fotografimit, në dukje alogjike, kishte shumë vite që dëgjohej dhe sendërtohej në atë fshat të thellë malor (rreth 1300 metra mbi nivelin e detit).