Adnan Januzaj është njeri me fat. Ose, i tillë është bërë me zgjedhjen e ditës kur e ka bërë publik një lajm që assesi të kapërdihet nga disa “patriotë” këndejpari.

Këta të fundit, për fatin e supertalentit të futbollit, u ishin bashkuar patriotëve të vërtetë, duke sulmuar (në këtë rast me të drejtë!) me tërë arsenalin Qeverinë, drejtuesin e saj dhe ata që veten e konsiderojnë të zgjedhur të popullit, të cilët, pak orë më herët kishin miratuar themelimin e një Gjykate Speciale, e cila do të gjykojë do krime të luftës që dyshohet t’i ketë kryer UÇK-ja.

Në këto rrethana, lajmi që mori dhenë në muzgun e 23 prillit, i zuri pak në befasi “patriotët”.

Kështu, Adnan Januzaj shpëtoi lehtë nga rrebeshet e sulmeve që do t’i bëheshin sikur patriotët, me thonjëza e pa to, të mos ishin lodhur duke kritikuar parinë kosovare, e cila kishte votuar për diçka që vetë e konsideruan “padrejtësia dhe fyerja më e madhe që mund t’i bëhet shtetit të Kosovës dhe shoqërisë kosovare”. Pra, Januzaj, përveç ndonjë komenti pak të denjë në rrjetet sociale që shoqëronin lajmin se ka vendosur të mbrojë ngjyrat e Belgjikës, shpëtoi lehtë.

Por, a duhet Adnan Januzaj të kritikohet ose të akuzohet për “tradhti”, një cilësor jo i rrallë i sportdashësve për secilin shqiptar me origjinë kosovare, që për një arsye a tjetër nuk ka pranuar të vishet kuqezi, pra të luajë për kombëtaren e Shqipërisë?

I ati i Adnanit, Abedini, për të cilin thuhet se njeriu më lehtë e ka ta kontaktojë mbretëreshën angleze Elizabeth II sesa atë, duket dhe duhet ta ketë peshuar fort të ardhmen e të birit. Dhe, përfundimisht, ka vendosur që ylli i Manchester Unitedit të mbrojë ngjyrat belge.

Abedini nuk mund të akuzohet për mungesë patriotizmi, të cilin ka pasur dy rrugë që ta dëshmojë: duke e mbajtur peng djalin në pritje që Kosova të njihet ndërkombëtarisht; ose ta hidhte te kombëtarja e Shqipërisë.

Të dyja opsionet do t’ia nxinin karrierën Adnanit. E para – kombëtarja e Kosovës, duhet ta ketë tunduar Abedin Januzajn, duke pasur parasysh faktin se ai vetë është kosovar.

Por, a ia vlente të pritej njohja e futbollit kosovar në arenën ndërkombëtare në mënyrë që i biri i tij të tregonte talentin e tij? As edhe i marri më i madh nuk do ta bënte këtë. Kështu që ka vendosur për Belgjikën.

Ndoshta me idenë (të cilën e hodhi trajneri i Përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki), se Adnani mund të bëhet përfaqësues kur Kosova ta fitojë të drejtën të luajë në eliminatore. E derisa të ndodhë kjo (edhe disa vjet), pse të presë mjeshtri i futbollit, të cilin ëndërrojnë ta kenë në mesin e tyre klubet më të mëdha evropiane... Vitet kalojnë shpejt e karriera më e mirë e mundshme e futbollistëve zgjat 10-12 vjet.

E sa i përket kombëtares shqiptare, Abedin Januzaj (i cili vendos në emër të të birit), e ka pasur më të lehtë të thotë: jo. Së pari, Adnani duke qenë se është lindur, është rritur e shkolluar në Bruksel, është për një shkallë më larg Shqipërisë se i ati. Pastaj, të dy mund të kenë kujtuar ndihmën e kërkuar, e që s’ia kishin dhënë Abedinit zyrtarë të futbollit shqiptar kur ai kishte vërejtur talentin e Adnanit.

E, po ashtu, mund të jenë dekurajuar nga deklaratat e mëhershme të ndonjë futbollisti tjetër me origjinë kosovare, të cilit dikush nga Federata Shqiptare e Futbollit do t’i ketë kërkuar ndonjë mijëshe për t’ia dhënë “nderin” që ta veshë fanellën kuqezi.

Përfundimisht, vendimi i Abedin Januzajt për të birin, për perspektivën e tij, është më i miri për të, së pari si prind e më pas si një menaxher i një pasurie kaq të madhe siç është Adnani. Përveç kësaj, me pjesëmarrjen e tij në botëror, Adnani mund të na ndreqë imazhin sikur që po bëjnë “zviceranët” Shaqiri, Xhaka, Behrami…

Kurse, “patriotët”, të cilët bash s’mund të pajtohen me “tradhtinë” që ua bëri shqiptarëve Adnan Januzaj, mund ta mbajnë adrenalinën në nivel, duke dëgjuar ndonjë këngë të Zdravko Çoliqit.