Gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë në masën e sigurisë “arrest me burg” për katër policët e pikës doganore të Qafë Thanës të cilët lejuan kalimin e kamionit me 8 ton kanabis.
 
4 policët  u arrestuan më 24 mars 2017 pasi hetimet zbuluan se një kamion me 8 ton drogë nga Maqedonia kishte hyrë në Shqipëri dhe më pas nga porti i Durrësit ishte larguar drejt Italisë.
 
Çlirim Pepa, me detyrë përgjegjës turni; Ervin Kodra me detyrë, kontrollor hyrje dhe dalje; Lirim Halili me detyrë tek kabina në hyrje; Syrja Terziu si kontrollor në hyrje akuzohen për për veprën penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”.

Në bazë të hetimit të Prokurorisë për Krime të Rënda ka rezultuar se efektivët e policisë kanë krijuar lehtësitë që ky kamion, i ngarkuar me kanabis, të kalojë pa u kontrolluar në Qafë Thanë.

Sipas tyre droga është marrë nga Shqipëria,është kaluar me mushka, ose me mjete të ndryshme në Maqedoni dhe më pas kanë tentuar ta kalojnë me procedura tranziti. Ka qenë tranzit nga Maqedonia në Itali. I janë bërë procedurat e tranzitit në Qafë-Thanë.  

Prokuroria deklaron se kamioni nuk i është nënshtruar kontrollit të skanerit në portin e Durrësit dhe është lejuar  të hipë në tragetin e linjës Durrës-Ankona. 

Por si u arrit të kalohej një sasi kaq e madhe droge?
Në çdo rast kur një kamion me ngarkesë kalon me procedurë transit, nuk bëhet kontrolli i tij nga skaneri në Durrës. Kjo ka qenë arsyeja që kur doganierët në Durrës kanë kërkuar që kamioni të futet në skaner, shoferi ka paraqitur dokumentat se ishte për kalim transit dhe më pas është bërë lejimi i kalimit të tij. Kamioni ka qenë i rregullt me të gjitha vulat e kontrollit në doganën e Qafë Thanës, nga 4 policët që ishin në turn.

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)