Letërsia shqipe në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Torino

/ATSH/- Letërsia shqipe u paraqit këtë vit në Panairin Ndërkombëtar të Librit që u zhvillua në Torino të Italisë nga data 14 deri në 18 Maj 2015, me një stendë të posaçme të përgatitur nga Qendra e Kulturës Shqiptare. Publiku i panairit pati kështu mundësinë të njihet nga afër me veprat e autorëve më të njohur shqiptarë të botuar në gjuhën italjane, ndër të cilët Kadare, Kongoli, Aliçka, Ceka, Zhiti, Kyçyku, Çuli, Mustafaj, etj.
Një vëmendje e veçantë ju kushtua edhe veprave të suksesshme të autorëve shqiptarë që shkruajnë dhe botojnë drejtpërdrejtë në gjuhën italjane, ndër të cilët spikasin shkrimtaret Anilda Ibrahimi, Elvira Dones dhe Ornela Vorpsi.
Nuk munguan natyrisht as titujt e zgjedhur në gjuhën shqipe, veçanarisht të kërkuar nga të rinjtë shqiptarë që kanë lindur apo janë rritur në Itali dhe dëshirojnë të mbajnë gjallë lidhjet me gjuhën e shkruar të vendit të tyre të origjinës.
Një hapësirë e posaçme e stendës ju kushtua edhe këtë vit promovimit të Shqipërisë si destinacion turistik. Vizitorët patën mundësinë të tërhiqnin pranë stendës shqiptare materiale promocionale dhe informuese mbi mundesitë turistike që ofron vendi ynë, si edhe kopje të edicionit të dytë të guidës së suksesshme turistike 'Tirana & Albania', me autorë gazetarin Benko Gjata dhe antropologun Francesco Vietti. Guida përfaqëson botimin e parë të plotë turistik kushtuar lexuesve dhe udhëtarëve italjanë dhe është pritur me mjaft interes nga publiku i panairit.
Gjatë ditëve të panairit Qendra e Kulturës Shqiptare organizoi edhe një seri takimesh dhe konferencash me autorë shqiptarë, ndër të cilët spikasin ato me shkrimtarët Fatos Kongoli dhe Ornela Vorpsi, si edhe prezantimi i guidës 'Tirana e Albania' në prani të autorëve Gjata dhe Vietti. Takimet me shkrimtarët Kongoli dhe Vorpsi u organizuan pranë selivë të bibliotekave kryesore të qytetit. Në takime morën pjesë një numër i madh personash të interesuar të njiheshin më nga afër me letërsinë shqiptare bashkëkohore dhe dy nga eksponentët kryesorë të saj. Takimet u pasuruan nga leximet e realizuara më mjeshtëri ngë aktorët e trupës së Teatro Stabile-s së Torinos dhe nga intervalet muzikore të artisteve të talentuara shqiptare Diana Subashi (violinë) dhe Lindita Kopliku (piano).

Ndërkaq prezantimi i guidës turistike kushtuar vendit tonë u zhvillua në mjediset e Panairit. Në takim morën pjesë shumë persona të interesuar të njihnin ofertën turistike shqiptare dhe ta vlerësonin Shqipërinë si destinacionin e ardhshëm të udhëtimeve të tyre. Mes tyre edhe shumë sipërmarrës të sektorit të turizmit të cilët vlerësuan mjaft pozitivisht mundësitë për bashkëpunim që ofron vendi ynë.

Stendën shqiptare e vizitoi gjatë ditëve të Panarit edhe Ambasadori i Shqipërisë në Itali z. Neritan Ceka, i cili shprehu vlerësimin e tij dhe të Ambasadës për punën e kryer dhe të gjitha veprimtaritë e propozuara. Ambasadori Ceka mori pjesë gjithashtu edhe në takimet e ndryshme me autorët shqiptarë që u zhvilluan në Torino.

Panairi i Torinos është më i madhi në Itali dhe një prej më të rëndësishmëve në Europë dhe në rajonin e Mesdheut. Në të marrin pjesë mbi 1000 ekspozues, mijëra gazetarë nga e gjithë bota dhe mbi 350 mijë vizitorë, që ndjekin takimet e shumta që zhvillohen me autorët më të njohur italjanë dhe ndërkombëtarë.

  • Sondazhi i ditës:
    19 Dhjetor, 08:16

    5 vite nga krijimi i SPAK, jeni të kënaqur me punën e bërë?



×

Lajmi i fundit

Atentati ndaj kushëririt të Inez Hajrullës, i riu dërgohet te Trauma! U qëlluan 30 plumba ndaj tij, kontrolle në disa banesa në Vlorë (VIDEO)