RIGA, 6 mars 2015 (AFP) - Një marrëveshje e mirë për programin bërthamor iranian po diskutohet, theksoi sot shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Federica Mogherini ndërkohë që negociatat për këtë çështje do të fillojnë para fundit të muajit mars.
"Besoj se një marrëveshje e mirë po diskutohet", konfirmoi Mogherini para parlamentarëve evropianë të mbledhur në Riga, para një takimi jozyrtar të ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së në kryeqytetin letonez.
"Nuk do të ketë marrëveshja nëse nuk është një marrëveshje e mirë dhe ky është një mesazh për miqtë dhe partnerët tanë", shtoi ajo, ndërkohë që kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu përsëriti këtë javë në Uashington se një marrëveshje me Iranin nuk do ta pengonte këtë të fundit për të prodhuar bombë atomike.
"Fuqitë e mëdha të grupit  5+1 (Kinë, SHBA, Francë, Britani e Madhe, Rusi, Gjermani) dhe Irani u mblodhën dje në Montro, në nivel drejtuesish politikë, pas takimeve mes sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry dhe homologut iranian, Mohammad Jawad Zarif në fillim të javës.
"Disa progrese janë bërë dhe një mirëkuptim për disa çështje është arritur", theksoi BE, që drejton këtë takim.
Zarif dhe Kerry kanë zhvilluar disa takime gjatë kësaj jave në afrim të afatit 31 mars të vendosur për një zgjidhje politike, para finalizimit të detajeve teknike deri më 1 korrik./
/ec/