Në gjirin e malësorëve ekzistonte  pakënaqësia dhe papajtueshmëria e thellë me regjimin e Zogut, prandaj Ndokë Gjeloshi e Vas Kiri në Dukagjin, Kolë Bibë Miraka në Iballë, etj, nuk bënë gjë tjetër veçse i dhanë shkëndija kësaj  revolte që ekzistonte në shpirtrat e trazuar të tyre, u vunë në drejtim të kësaj lëvizje dhe e udhëhoqën atë drejt disfatës, disfatë që pati pasoja fatale dhe me një kosto shumë të lartë jetësh njerëzore. Kjo lëvizje është quajtur  e iniciuar nga jugosllavet, të këtij mendimi kanë qenë edhe diplomatët amerikanë në Tiranë të kësaj periudhe. Historiografia komuniste e së shkuarës i ka  akuzuar organizatorët si tradhtarë të lëvizjes që e  iniciuan vetë. Të njëjtën gjë artikulojnë duke ngritur zërin deri në kupë të qiellit edhe historianët filozogistë sot.

Atëherë lind pyetja vetvetiu: Po Zogolli ç’është ? Pasi dihet se edhe ai erdhi në pushtet me ndihmën e pakursyer të jugosllavëve. ”Ata i vunë në dizpozicion një falangë prej 1000 trupash të rregullt të ushtrisë jugosllave, 800 ushtarë e 40 oficerë te bardhë rusie”.

Në qoftë se bëjmë një paralelizëm historik mes këtyre dy ngjarjeve, lëvizja e Dukagjinit nuk pati asnjë forcë të huaj ndihmëtare, siç bëri Zogu me ushtarët jugosllavë, të cilët  për t’i maskuar i veshi me uniforma shqiptarësh .  “Kryengritësit s’kanë pasë asnjë pushkë, asnjë fishek të huaj, pasi ka qenë e pamundur me ia fsheh atij regjimi tradhtar e për ta përdorur kundër tij. Lufta e tyre ka qenë një vepër dëshpërimi thjesht patriotike e antifeudale“(M-Kruja. Lëvizja e Shkodrës në dritën e fakteve). Ajo që duhet nënvizuar është se shkëndija e shpërthimit dhe krejt rrjedhoja e kësaj  lëvizje erdhi prej vetë shqiptarëve dhe kjo vërtetohet qartë pasi në ato momente, as Roma, as Beogradi, nuk dëshironin  rrëzimin e Zogut.

Kryengritësit nuk donin t’ia dinin dhe kjo ndoshta ishte një nga gabimet e tyre disfatike. Malësorët e rebeluar kërkonin përmbysjen definitive të regjimit të Zogut, pavarësisht nga rruga aventureske që kishin  zgjedhur prijësit e tyre. Madje edhe Gjeloshi, Kiri, Miraka e Kosova ka mundësi  se nuk e dinin intrigën politike se qoftë jugosllavët, qoftë italianët nuk donin të ndryshonin statuskuonë politike në Shqipëri, apo  thjesht në rastin konkret këtë revoltë do ta përdornin si mjet presioni ndaj dredharakut Ahmet Zogu. Ata nuk mund të dinin gjë për prapaskenat e politikës së madhe që luanin fqinjët në kurrizin e vendit tonë, dhe normalisht për vetë temperamentin e tyre zor se do pranonin të hynin në një lojë të tillë. Si ndodhi që ranë në këtë grackë. Kush bashkëpunoi në këtë tradhti...
 
(Shkrimi u botua sot në gazetën "Shqiptarja.com" (print), e diel, 30 qershor 2013)
(ar.sh/shqiptarja.com)