Letrat origjinale zbulojnë kulturën e lartë politike të Skënderbeut

Letrat origjinale zbulojnë kulturën e lartë politike të Skënderbeut

Gjergj Kastrioti Skenderbeu

(Vijon Nga numri i kaluar) Në Arkivin Sekret të Vatikanit morëm edhe një letër të Skënderbeut nisur nga kisha e Shën Mërisë në Kepin e Rodonit me datë 29 tetor 1463. Kjo letër ruhet në fondin Cam. Ap. Div. 30. ff. 143r-v. Letra është e shkruar në gjuhën latine dhe është e vulosur me vulat e noterit dhe të Skëndërbeut. Aty shkruhet se Martin Muzaka caktohet si ndërmjetës në komunikimin midis shtetit të Skendërbeut dhe shtetit të Papës….

* * *

Duke iu referuar burimeve konstatojmë se: Në Bibliotekën Mbretërore të Napolit nuk ka asnjë të dhënë se nga është marrë ose kopjuar ky dokument. Në publikimin e mëparshëm është shpjeguar më lart se nga mendohet ta ketë burimin kopja, pothuajse e njëjtë që gjendet në Arkivin Sekret të Vatikanit. Por ky mendim më tepër ngjan me një hamendje se sa me një thënie të mbështetur mbi burime të përcaktuara mirë. Informacion të shkruar për këtë problem nuk ka.

Në librin “Historia Universale Dell’Origine et Imperio de’Turchi” të autorit M. Francesco Sansovino, botuar në Venezia në vitin 1600, fjalimi i Skënderbeut në Lezhë dhe të gjitha këto letra janë të shkruara në gjuhën italiane. 

Në librin e Dhimitër Frangut “Veprat e Lavdishme të Skënderbeut”, botimet Arbëria, Tiranë 2007, i cili është botuar para librit të Barletit, këto letra janë të përfshira. Ato kanë ndryshime me versionin e librit të Barletit dhe me dokumentin që po publikojmë ne.

Në revistën “EKSKLUZIVE”, Nr. 34, shkurt 2003, në faqet 87, 88 dhe 89 janë botuar të përkthyera në gjuhën shqipe letra e Muhamedit për Gjergj Kastriot Skënderbeun, 7 maj 1463 dhe letra e Gjergj Kastriot Skënderbeut për Muhamedin, 25 qershor 1463. Në këtë botim janë vendosur fragmente nga letrat në gjuhë italiane që ndodhen në ASV dhe një përkthim i lirë i tyre në gjuhën shqipe që nuk përkon me ato që janë shkruar në kopjet që kemi marrë ne po aty. Ky përkthim në masë të konsiderueshme ngjan me përkthimin e këtyre letrave në gjuhë shqipe që ndodhet në librin “Historia e Skënderbeut” e përkthyer nga Stefan Ilo Prifti. Në revistë nuk janë vendosur as fotokopjet e këtyre letrave as transkriptimi në gjuhën italiane i tyre. Disa nga kopjet e letrave të prezantuara në këtë revistë në gjuhë latine nuk janë përkthyer fare.

Krahasimi i kopjeve të dokumentit
Kopjen e dokumentit të Arkivit Sekret të Vatikanit e kemi vetëm të transkriptuar në gjuhën italiane. Në transkriptimin e dokumentit tonë, jemi përpjekur t’i qëndrojmë sa më besnikë origjinalit dhe për këtë qëllim jemi konsultuar me specialistë të paleografisë dhe të transkriptimit, si dhe me njohës të mirë të italishtes së vjetër.

Në librin e Sansovinos që cituam më sipër të gjitha këto dokumente janë të përfshira nga faqja 260r deri në faqen 277r të tij të shkruar në gjuhën italiane. Shkrimet janë vendosur në këto faqe:

1. Fjalimi i Gjergj Kastriot Skënderbeut drejtuar Princërve shqiptarë dhe Regjentëve të Venedikut, viti 1443, f. 260r;

2. Letra e Muratit II për Gjergj Kastriot Skënderbeun, 16 qershor 1444, f. 262r;

3. Letra e Gjergj Kastriot Skënderbeut për Muratin II, 14 korrik 1444, f. 263v-263r;

4. Letra e Mehmetit II për Gjergj Kastriot Skënderbeun, 2 maj 1461, f. 275v;

5. Letra e Gjergj Kastriot Skënderbeut për Mehmetin II, 30 maj 1461, f. 275r;

6. Letra e Mehmetit II për Gjergj Kastriot Skënderbeun, 22 qershor 1461, f. 276v;

7. Letra e Mehmetit II për Gjergj Kastriot Skënderbeun, 7 maj 1463, f. 276r-277v;

8. Letra e Gjergj Kastriot Skënderbeut për Mehmetin II, 25 qershor 1463, f. 277v-277r.

Megjithëse nuk janë tërësisht njëlloj, dokumenti i Napolit dhe ai i Arkivit Sekret kanë ngjashmëri shumë të madhe me ato që janë shkruar në këtë libër. Në faqen 285r të këtij libri është shënuar viti 1463 si datë e vdekjes së Skënderbeut. Në botimet e autorëve të tjerë nuk është shënuar kjo datë për këtë ngjarje. Kjo mospërputhje, mund të konsiderohet edhe si një gabim shtypi.

Në librin “Historia e Skënderbeut” të Barletit këto shkrime kanë ndryshime të mëdha me kopjet që po paraqesim ne. Kjo gjë të shpie në konkluzionin se për të tre shkruesit e parë, burimi ka qenë i njëjtë dhe nuk mund të jetë kopje e shkrimeve të Barletit. 

Kopjen tonë po e paraqesim në tre forma, në origjinal, të transkriptuar dhe të përkthyer. Lexuesi i ka mundësitë të shikojë dhe të verifikojë saktësinë e transkriptimit të paraqitur nga ana jonë dhe të besnikërisë në përkthim.

Disa ndryshime që kemi vënë re
Ndryshimet midis letrës së publikuar në revistën “Hylli i Dritës” dhe asaj që po publikojmë ne janë të vogla dhe jothelbësore dhe ngjajnë më shumë me gabime të natyrshme që ndodhin kur dy personave të ndryshëm u diktohet në të njëjtën kohë të shkruajnë të njëjtin dokument.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për shkrimet që gjenden në librin që cituam të Sansovinos. Mungesa e të dhënave për muajt dhe vitet në dokument mund të jetë harresë e kopjuesve të ndryshëm. Duke e parë letrën në tërësi, del se kemi të bëjmë me të njëjtin dokument. Të dhënat e plota rreth kohës së shkrimit të tij duhet të saktësohen.

Nga leximi i kopjes që kemi paraqitur ne, nuk mund të përcaktohet se kur është shkruar “Fjalimi i Gjergj Kastriotit Skënderbeu drejtuar princërve shqiptarë dhe Mëkëmbësve të Venedikut”. Aty nuk thuhet asgjë se kur është mbajtur ky fjalim dhe nuk është shënuar asnjë datë. Në librin e Dhimitër Frangut “Veprat e Lavdishme të Skënderbeut”, botimet Arbëria, Tiranë 2007 në faqen 51 dhe 52 është shkruar ky fjalim, dukshëm më i shkurtër se në librin “Historia e Skënderbeut” të Barletit. Edhe letrat e Skënderbeut dhe të Sulltanëve në librin e Frangut ngjajnë më shumë me dokumentin tonë se me shkrimet e Barletit por kanë edhe ndryshime. Data e dokumentit nr. 2 që në dokumentet tona shënohet 22 qershor, në librin e Frangut në faqen 166, është shënuar 30 qershor.

Në publikimin e revistës “Hylli i Dritës”, si datë e këtij fjalimi është shënuar viti 1443 pa u shënuar data dhe muaji. Përderisa mungojnë data dhe muaji, edhe viti mbetet i dyshimtë dhe mund të hamendësohet se është shënuar mbi gojëdhëna të bashkëkohësve të Skënderbeut.

Letra e parë që Murati i dërgon Skënderbeut me datë 16 qershor, në publikimin e mëparshëm në faqet 643r-645r, përveç datës 16 dhe muajit qershor, ka të shënuar edhe vitin 1444, ndërkohë që kopja dorëshkrim që po paraqesim ne në faqen 16v nuk e ka të shënuar fare vitin por vetëm datën dhe muajin.

Në hyrje të përshkrimit që i bëhet letrës që Skënderbeu i dërgon Muratit me datë 14 korrik 1444, në dorëshkrimin tonë në faqen 16v është shënuar akronimi VB që në gjuhën latine lexohet Vale Bene dhe ka kuptimin e përshëndetjes. Ne në përkthimin tonë këtë shprehje ramë dakord ta përkthenim me fjalët shqipe “Gjithë të mirat”. Në shkrimin e paraqitur sipas kopjes së Arkivit Sekret të Vatikanit (herë tjetër ASV), në faqen 645r ky shënim nuk është shkruar. Nuk jemi në gjendje të themi nëse kopjuesi i letrës së ASV e ka harruar pa e shënuar këtë përshëndetje, apo është një harresë e publikuesve të mëparshëm.

Në fillim të letrës që Sulltan Mehmeti II i dërgon Skënderbeut me datë 11 maj 1461 ka dy ndryshime në përmbajtje.

Së pari në kopjen që kemi paraqitur ne, në fillim të fjalisë është shkruar qartazi Maumeth Bech kurse në paraqitjen në revistën e përmendur në faqen 649r shkruhet Maumit Beg. Ky ndryshim nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë.

Së dyti, në kopjen që po paraqesim ne në foto është shkruar shumë qartë data XI di Maggio 1461(11 maj 1461) faqe 20v, ndërkohë që në publikimin e mëparshëm për të njëjtën letër, në faqen 650r ka të shënuar datën 2 di Maggio 1461 (2 maj 1461). Lexuesi mund ta verifikojë direkt këtë ndryshim në faqen e paraqitur me foto. Edhe në librin e Sansovinos në faqen 275v, është shënuar data 2 maj 1461.

Në dorëshkrimin që kemi paraqitur ne, janë edhe disa ndryshime të vogla që ne i konsideruam jo shumë të rëndësishme dhe nuk po zgjatemi më shumë për të bërë prezantimin e tyre.

Ne bëmë një krahasim edhe me versionin në gjuhën latine të botimit të parë të librit “Historia e Skënderbeut” të Marin Barletit të botuar në Romë në vitin 1508. Në këtë botim, datat janë shënuar me shkrim në gjuhën latine, Nonas dhe Iunias, kurse viti shënohet me shifra romake. Kemi patur vështërsi në saktësimin e datave të ngjarjeve që përshkruhen në dokumentin tonë sepse nuk kemi sa duhet njohuri për gjuhën latine.

Në një rast tjetër, kemi marrë kopjen e një dokumenti me 125 faqe dorëshkrim nga Biblioteka Mbretërore e Napolit në fondin Ms. Brancaciana VII A 3 dhe një kopje të tij po me 125 faqe në Arkivin e Propogandës Fide në Vatikan fondi Visite e Collegi Vol. 34 dhe i kemi përdorur në shkrimet tona. Ky dokument është shkruar nga Stefano Gaspari në harkun kohor nga muaji gusht 1671 deri në korrik të vitit 1672 dhe konsiderohet njëri nga dokumentet më të rëndësishëm për Historinë e Shqipërisë për shekullin XVII. Kopja origjinale e këtij dokumenti nuk dihet se ku ndodhet por studiuesit e ndryshëm, midis tyre edhe unë, kemi punuar duke u bazuar mbi këto kopje të origjinalit. I kemi krahasuar të dyja këto kopje dhe kanë rezultuar me ndryshime midis tyre dhe kemi gjetur jo pak por plot 100 gabime në 125 faqe.

Studiuesi Fulvio Kordinjano duke folur mbi gabimet që ka gjetur në këtë dokument, në librin e tij “Shqipëria përmes veprës dhe shkrimeve të misionarit italian At Domeniko Pazi”, Vol. III, botimet “Plejad”, Tiranë 2011, faqe 325 ka shkruar: “Por është e vërtetë se ndonjëherë ortografia gjeografike e Dokumnetit te Hylli i Dritës (dok. i Napolit M. P.) është më i saktë, çka të bën të hamendësosh se Dokumenti i Napolit nuk rrjedh drejtpërdrejt nga Dokumenti i Romës, por ka të ngjarë që të dy të rrjedhin nga origjinali, të cilin nuk munda ta gjej.”

Fakti që kemi konstatuar një numër kaq të madh gabimesh në këto kopje na bën të mendojmë se edhe dokumentet për të cilat po flasim mund të kenë gabime të cilat ne nuk kemi mundësi t’i korrigjojmë.

Edhe në këtë rast ndodhemi në kushte të barabarta me rastin e Dokumentit të Gasparit, kemi dy kopje të të njëjtit dokument por nuk kemi origjinalin për krahasim.

Kemi krahasuar versionet e shkruara të këtyre letrave në 5 botime të ndryshme që janë:

 1. “Hylli i Dritës” nr. 3, 2010 që është transkriptim i Dokumentit të Arkivit Sekret të Vatikanit.

 2. “Historia e Skënderbeut” e Marin Barletit në gjuhë latine, Romë 1508.

3. “Historia e Skënderbeut” e Marin Barletit në gjuhë shqipe, Tiranë 1983.

4. “Historia Universale Dell’Origine et Imperio de’ Turchi” të autorit M. Francesco Sansovino, botuar në Venezia në vitin 1600 faqet 258v deri 288r.   

5. Libri i Dhimitër Frangut “Veprat e Lavdishme të Skënderbeut”, botimet Arbëria, Tiranë 2007.

Megjithëse brendia e shkrimeve në të 6 rastet ka ngjashmëri, në asnjërin prej tyre nuk ka përputhje të plotë por ka ndryshime, nganjëherë edhe të mëdha. Kjo gjë na krijon bindje të plotë se të gjithë këta shkrues, kanë patur një dokument bazë nga i kanë marrë të dhënat për shkrimet e tyre dhe nuk kanë kopjuar njëri-tjetrin.

Në kohën kur janë shkruar këto letra, shtetet dhe principatat që e njihnin pushtetin e Papës dhe Selisë së Shenjtë si pushtet epror të tyre, letërkëmbimet i kryenin nëpërmes Selisë së Shenjtë.

Aktet diplomatike që dilnin nga kancelaritë e prijësve të principatave dhe të sulltanëve, duhet të kalonin nëpër kanalet diplomatike të Selisë së Shenjtë. Nëse akti diplomatik ose edhe letrat nuk ishin të shkruara në gjuhën latine, ai përkthehej në këtë gjuhë dhe kopja origjinale dhe një kopje e përkthimit zyrtar, ruheshin në Arkivin e Vatikanit. Një kopje në gjuhën latine i dërgohej të adresuarit. Kjo praktikë është ndjekur edhe për letërkëmbimin e Skënderbeut me sulltanët turq dhe kopjet e këtyre letrave të shkruara në gjuhën osmane ruhen në Arkivin Sekret të Vatikanit. Ka të dhëna të besueshme që Marin Barleti për të shkruar veprën e tij për historinë e jetës dhe veprave të Skënderbeut ka patur mundësi të plota për të marrë të dhënat që i duheshin nga ky arkiv dhe akuzat që i bëhen atij për teprime dhe abuzime me të vërtetën për veprën e tij, sipas verifikimeve që kemi mundur të bëjmë burimeve të arkivave të Vatikanit dhe arkivave të tjera, nuk qëndrojnë.

Shpresojmë që studiues të tjerë do të punojnë mbi origjinalet që ndodhen në ASV dhe të saktësohet e vërteta mbi baza dokumentare. Për disa nga këto letra origjinale, kemi dijeni se në cilat fonde ruhen por marrja dhe përkthimi i tyre për shkak të çmimit të shtrenjtë për marrjen   dhe përkthimin nga gjuha osmane është i papërballueshëm nga ne, përpos vështirësive të tjera, edhe nga ana financiare.

Mbi përmbajtjen dhe rëndësinë e këtij dorëshkrimi
Edhe pse në botime të mëparshme ky dorëshkrim është i publikuar në disa forma, ky ka rëndësinë e vet sepse ka anët e veçanta të tij që e bëjnë interesant për studiuesit e fushës.

Nëse i lexojmë me vëmendje fjalimin e Skënderbeut dhe letrat e shkruara, qoftë tre letrat e Skënderbeut për Sulltan Muratin II dhe për Sulltan Mehmetin II, qoftë katër letrat e këtyre drejtuar Skënderbeut, do të shikojmë se ato janë të shkruara me shumë kujdes dhe përcjellin mesazhe shumë të qarta diplomatike dhe politike për secilën palë. Letrat tregojnë se sa të sforcuara ishin marrëdhëniet midis Skënderbeut dhe sulltanëve turq. Në të njëjtën kohë, këto letra na tregojnë edhe qëllimin final të Skënderbeut në raport me politikën e Turqisë në Europë dhe orientimin politik të tij në raport me turqit dhe me europianët. Skënderbeu shprehet krejt i qartë se është për largimin e sundimit turk nga vendi i të parëve të tij dhe për aleanca jo me turqit, por me vendet e krishtera të Europës Perëndimore.

Sulltanët në letrat e tyre janë munduar të tregojnë epërsinë e tyre mbi Skënderbeun dhe tregojnë një farë shpërfillje dhe mërie ndaj tij dhe njëkohësisht, nuk kanë munguar edhe kërcënimet. Ata mendonin se kishin një shtet me fuqi të madhe ushtarake dhe ekonomike dhe ishin të papërballueshëm nga asnjë fuqi tjetër, falë kësaj fuqie. Në raport me qëndresën e Skënderbeut ndaj turqve, ky mendim nuk ka rezultuar i vërtetë.

Letrat e Skënderbeut janë shkruar në mënyrë më shumë diplomatike, duke vënë theksin në drejtësinë e kauzës që mbron dhe duke theksuar se fitorja nuk i buzëqesh gjithnjë më të fortit por atij që ka të drejtën nga ana e tij. Ai tregohet i gatshëm të përballet me fuqinë e sulltanëve turq në mbrojtje të kauzës që kishte zgjedhur.

Letrat që Gjergj Kastrioti-Skënderbeu u dërgon sulltanëve Murati II dhe Mehmeti II janë të shkruara me gjuhë të qartë, stil të kuptueshëm, përmbajnë shumë ide dhe shprehin nivelin e lartë të kulturës politike të Kryeheroit shqiptar dhe oborrtarëve të tij që merreshin me çështje diplomatike.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK