Gjatë konferenës së sotme me gazetarët, Sali Berisha e shprehu hapur pakënaqësinë e tij lidhur me ‘grupin e kafesë’ dhe konkretisht me ‘kokën’ e këtij grupi, Ervin Salianji.
I pyetur nga gazetarët lidhur me takimet që pritet të nisë ish-deputeti demokrat, Berisha iu përgjigj se çdo takim që bëhet për interes personal, nuk ka lidhje me strukturat dhe forumet e PD-së, duke lënë të nënkuptuar se lëvizja e Salianjit bëhet për interesa personale dhe jo partiake.
Pavarësisht se si e portretizon Berisha dhe enturazhi i tij i ngushtë, ajo që ka më së shumti vlerë, është qëllimi real i Ervin Salianjit, Ilir Alimehmetit, Aulon Kalasë dhe i emrave të tjerë në atë takim.
Nëse vërtet takimi dhe turi i takimeve që pritet të nisë në Durrës dhe më tej në të gjithë Shqipërinë bëhet për të negociuar fatin individual të gjithsecilit prej tyre për të pasur nesër një vend në drejtimin e PD-së me Berishën në krye, kjo nuk përbën kurrfarë lajmi dhe asnjë risi në atë parti.
Në gjendjen ku është Berisha dhe Partia Demokratike, ai është i aftë të japë çdo privilegj dhe çdo karrige, mjafton të mos ndihet i shqetësuar dhe i kërcënuar në karrigen e drejtuesit të PD-së, rrjedhimist liderit të opozitës, gjë që i duhet për vijimin e përballjes së tij me drejtësinë, qoftë për çështjen aktuale ose për ato që mund t’i hapen në të ardhmen.
Nëse kjo lëvizje bëhet për interes të demokratëve, të opozitës, por, mbi të gjitha, për interes të qytetarëve shqiptarë, që të kenë një dritare shprese dhe besimi te opozita, duhet me patjetër t’i vendosim pikat mbi ‘i’ mbi problematikën reale të Partisë Demokratike.
Nëse do të kenë frikë të flasin të vërtetën dhe thjesht i janë futur kësaj ‘beteje’ për fatin e tyre, atëherë i japin të drejtë Berishës dhe fjalës së tij sot.
Pa dashur t’i paragjykojë, koha do t'i tregojë. Takimi i Durrësit do të jetë një lajtmotiv për të parë retorikën dhe artikulimin e problematikave nga kjo lëvizje.
Komente










