Për dy ditë me radhë, Lezha mirëpriti Festivalin Mbarëkombëtar të Fotografisë, një aktivitet që mblodhi 32 fotografë nga Shqipëria dhe trojet etnike, përfshirë Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Artistët eksploruan dhe fotografuan atraksionet më të bukura të Lezhës, duke sjellë në fokus pasuritë natyrore dhe kulturore të zonës. Ata thone se Shqiperia dhe Lezha ne veçanti jane mjaft frymezuese, pasi kane resurse te shumta natyrore, kulturore dhe historike.
“Është bërë një punë shumë e mirë. Kjo që u bë në Lezhë dhe në Shëngjin duhet të jetë në të gjitha qytetet e tjera shqiptare që ta promovojmë vendin tonë dhe bukuritë tona sa më shumë. Jo vetëm Lezha por e gjithë Shqipëria është frymëzuese” tha Sali Jonuzi, fotograf nga Maqedonia e Veriut.
“Lezha ka një pozitë shumë të volitshme për faunën, florën, ka një pasuri të pafundme, edhe të bashkimit të ujërave, lindjen dhe perëndimin e diellit, llojet e shpendëve që i has në mëngjes dhe mbrëmje, por edhe miqësia dhe mikpritja e Lezhianëve. Unë jam përpjekur të përcjell një pjesë të perëndimit të diellit që ndërthuret me një pemë aty pranë. Ngrohtësia e perëndimit të diellit reflekton miqësinë e Lezhianëve dhe pasurinë e detit” tha fotografi Ruzhdi Ibrahimi.
“Unë jam entuziaste e fotografisë. Mora pjesë në këtë festival si e ftuar. Natyra është pasuri e falur nga Zoti të cilën e kemi detyrim ta mbrojmë dhe promovojmë. Fotografia që kam kapur unë ka qenë një mbrëmje në Ranën e Hedhun” tha fotografja Fitore Fazlliu.
Drejtori i Turizmit në Bashkinë Lezhë, Ronaldo Xhani, u shpreh se aktivitete të tilla shërbejnë si një promovim i rëndësishëm për zonën dhe rrisin interesin e vizitorëve.
“Sot jemi në ditën e dytë të aktivitetit festivali mbarëkombëtar i fotografisë, ku morën pjesë rreth 35 artistë të fotografisë, që fotografuan zonat më të bukura të Lezhës, si Laguna e Kune -Vainit, plazhet e bukura, Ranën e Hedhun, atraksionet historike, Kalanë, Zadrimën. Mblodhëm fotografitë më të veçanta dhe tani do të bëhet vlerësimi nga vetë artistët. Ishte një ditë e larmishme që jepte krijimtari dhe frymëzim. Ne si bashki e kemi me shumë interes promocionin e këtyre zonave por edhe integrimin e aktiviteteve dhe tu ofrojmë turistave aktivitete të bukura, turizmin e natyrës etj. Ne kemi pasur fotografë nga të gjitha trojet shqiptare, Kosova ka pasur numrin më të madh. Ka pasur edhe nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi etj” tha Xhani
Punimet e fotografëve u ekspozuan në shëtitoren “Ëilson” në Shëngjin, duke tërhequr vëmendjen e shumë vizitorëve dhe turistëve.
Komente









