LEZHË - Pas një heshtjeje të gjatë, bashkia e Lezhës ka reaguar ndaj protestës së të rinjve për çmimet abuzive të tregtarëve në këtë qytet, çmime më të larta të produkteve se në qytetet e tjera të vendit.
 
Duke iu referuar protestës,  kreu i bashkisë Viktor Tushaj ka sjellë në vëmendje, detyrën e Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit në bashki duke theksuar se do të mbështesë nismat qytetare që kundërshtojnë  abuzimet.  Ai tha se "kjo zyrë funksionon e do të vazhdojë të rritet dhe të fuqizohet, sepse konsumatori ka nevojë që t'i mbrohen të drejtat e tij, sepse ne prodhojmë të mira materiale; pra çdo gjë që fitojmë, përpiqemi ta konsumojmë. Nëse ne do të arrijmë që të ndërtojmë raportin e duhur midis të ardhurave që fitojmë ne si qytetarë me konsumin qe ne duam të bëjmë sipas një cilësie dhe një standarti, kemi bërë gjënë më të mirë. Kjo është arsyeja që ne e ngritëm këtë Zyrë dhe besojmë që ajo do ta monitorojë gjithë procesin."
 
Por, deklarata e kryebashkiakut e rikthen sërish problemin në fillim, sepse deri më tani, Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit në bashkinë e Lezhës ka funksionuar vetëm si pjesë e administratës dhe nuk ka arritur asgjë.
 
Qytetarët duhet të vazhdojnë të blejnë shtrenjtë dhe të pambrojtur, ndërsa shihet si reagim vetëm bojkoti i dyqaneve që tregtojnë shtrenjtë.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)