Përfaqësues të Asamblesë Ndërparlamentare të Ortodoksisë, përfaqësues të Kuvendit të Shqipërisë, studiues dhe përfaqësues të besimeve të ndryshme fetare në vend ishin sot të pranishëm në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, për të përuruar dhe prezantuar botimin në gjuhën shqipe: “Shën Sofia: Kishat e Mençurisë së Tënëzoti nëpër botë”, që synon të sjellë një pasqyrë të rëndësishme mbi trashëgiminë historike, kulturore dhe shpirtërore të Kishave të ndryshme në botë që mbajnë këtë emër.

Libri, i përkthyer në 15 gjuhë të botës prezanton 37 kisha historike që i dedikohen Shën Sofisë, që nga Skocia e deri në Kinë.

Botimi u prezantua këtë të premte edhe në Tiranë në Akademinë e Shkencave. Por përfaqësuesit e Asamblesë Ndërparlamentare të Ortodoksisë, e cila mundësoi publikimin, u zunë ngushtë kur atyre iu bë e ditur se edhe në Shqipëri ka të paktën dy kisha të Shën Sofisë, në Berat e në Mirditë, por asnjëra nuk është pasqyruar në libër.

“Për Kishat e Shën Sofisë në Shqipëri dëgjuam vetëm sot. Le të shohim, le të shpresojmë, të thërrasim studiuesit, historianët, arkitektët, për të na dhënë disa informacione, për të parë pse ky parametër i kësaj pranie të fortë bizantine në territorin tuaj, atdheun tuaj, është anashkaluar. Ky libër u bë i mundur nga bashkëpunimi ynë me Universitetin e Athinës. Ata ishin përgjegjës për gjetjen e të gjitha këtyre kishave.”, tha për "Repot TV", Dr. Kostantino Mygdalis, këshilltar i Asamblesë Ndërparlamentare të Ortodoksisë.

Praninë e Kishave të Shën Sofisë edhe në Shqipëri e vunë në dukje dhe Genc Pollo, njëherësh bashkëpunëtor i Asamblesë Ndërparlamentare të Ortodoksisë apo dhe studiuesi Pirro Thomo.

“Vëllimi paraqet prezantime të shkurtra dhe fotografi të 37 kishave monumentale historike kushtuar mençurisë së Zotit. Mos harrojmë që ka dhe dy kisha në vendin tonë. Është ajo e Beratit, një kishë shumë e bukur në kalanë e qytetit, si dhe një tjetër më pak e njohur, që ma ka referuar profesor Aleksandër Meksi në Mirditë.”, tha Pollo

“Profesori na përmendi kishën e Shën Sofisë në Berat, unë do të përmend atë të Mirditës. Kemi trashëgimi mjaft të pasur. Na vjen keq që në këtë volum kaq dinjitoz nuk përfaqësohet Shqipëria.”, tha studiuesi Thomo.

Mygdalis bën me dije se në kërkimin për t'i gjetur këto kisha ka patur edhe probleme, pasi shpesh ngatërrohen kishat e quajtura Shën Sofia si person dhe atyre të kushtuara Urtësisë së Zotit, ndaj dhe lind nevoja, që specialistët të verifikojnë dhe sqarojnë ekzistencën e Shën Sofive të tjera në të ardhmen.

“Ekziston Shën Sofia, Sofia e Zotit, dhe ka edhe më shumë Shën Sofi, një grua me dy vajzat e saj që janë po aq të nderuara me të njëjtin emër, kisha të Shën Sofisë. Pra, ka shumë më tepër kisha të emëruara sipas Shën Sofisë, por ato nuk i janë kushtuar urtësisë së Zotit, por personit Sofia.  Një problem i dytë, është se pasi lindi ky libër, shumë njerëz na telefonuan për të thënë, shikoni, atje kishte edhe një Shën Sofi apo ka edhe një Shën Sofi diku tjetër. Në fakt, njëri na tha se në të vërtetë ekziston një Shën Sofi tjetër në Turqi. Pra, le të shohim se çfarë do të ndodhë në vitet e ardhshme dhe të hamendësojmë nëse ka Shën Sofi të tjera të dedikuara urtësisë së Zotit, dhe të hartojmë një botim të ri të librit.  Ka probleme të vogla, aktivitete të këtij lloji, të cilat specialistët duhet t'i adresojnë, shkurt, t'i zgjidhin.”, tha ai.

Për imzot Joan Pelushin, kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, vëllimi që prezantohet sot dokumenton se Shën Sofia nuk ishte një fenomen i veçantë.

"Ajo përfshin kisha historike e kushtuar urtësisë së Perëndisë pothuajse në gjithë botën. Duke provuar se Shën Sofia, ndonëse është një ikonë arkitekturore dhe kulturore e qytetërimit bizantin dhe ortodoks, nuk i përket vetëm Kostinopojës dhe ortodoksisë, sepse urtësia e Perëndisë është themeli, jo vetëm i besimit të krishterë.”, tha imzot Joani. 

Krahas prezantimit të botimit, në mjediset e Akademisë së Shkencave u prezantua edhe një ekspozitë fotografike e kishave të Shën Sofisë nga e gjithë bota, mes të cilave munonin fotografi nga Kishat e Shën Sofisë në Shqipëri.