Kur kanë mbetur vetëm tre ditë nga protesta përpara Kuvendit të Shqipërisë, Kreu demokrat Lulzim Basha ka mbledhur aleatët në selinë blu. Në një takim që ka zgjatur 60 minuta mësohet të jetë diskutuar organizimi i protestës së radhës dhe veprimet që opozita do të ndërmarrë për protestën e madhe të 16 Marsit.

Pas përfundimi të takimit, kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi deklaroi se me rëndësi është largimi i Edi Ramës, dhe shtoi se e mirëkupton qëndrimin e ndërkombëtarëve, pasi ata janë vendosur në pozicionin e vet.

"Qëllimi ynë është largimi i Ramës dhe krijimi i një qeverie tranzitore që të marrë përsipër të bëjë dy tre punë të mira, të pastrojë ambientin politik nga krimi dhe të mundësojë zgjedhje të reja dhe të lira, pastaj po qenë të zotë le të fitojnë prapë, por kjo është radha e opozitës, pasi këta që janë sot janë diskredituar edhe në rrafshin ndërkombëtar. Ndërkombëtarët kanë marrë pozicionin e vet, ne i mirëkuptojmë, por duhet që të kuptohet se sa të jetë Rama do ketë drogë dhe jo stabilitet.
Duhet të dini që sulmi i opozitës do të jetë 360 gradë, në gjithë institucionet dhe hapësirën politike. Këtë nuk e kemi diskutuar akoma, por duhet të presim protestën e datës 16 njëherë”,
deklaroi Shehi.

Ndërsa Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu u shpreh shpreh se në mbledhje u diskutua për vijim e protestave dhe se çfarë do të bëjë opozita tashmë e në vijim.

Ai deklaroi se opozita do të bëjë atë çfarë do populli për të kthyer vendin në binarët europianë.

Në takim me Lulzim Bashën, ishin dhe  Kryetarja e Lëvizjës Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi dhe Kreu i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Petrit Vasili dhe kreu i PAA-së, Agron Duka.