Një 28-vjeçar nga Shijaku është shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës, pasi është denoncuar për përndjekje nga një 25-vjeçare që banon në Bathore të Kamzës.

Vajza ka kallëzuar ngjarjen në Komisariatin nr.5 vetëm dy ditë më parë, edhe pse pretendon se ka pothuajse dy vite rresht që shqetësohet në rrjete sociale dhe në celular nga një person, që, sipas saj, nuk e ka takuar asnjëherë.

Madje, i dyshuari i ka zbuluar edhe fjalëkalimin e profilit të saj në “Facebook”, nga ku ka marrë disa foto të saj personale, që ajo ua kishte nisur disa shoqeve dhe nëpërmjet tyre i bën presion për të pasur një lidhje intime me të.

Burime nga Policia e Tiranës menjëherë pas kallëzimit të shtetases Rozeta M., 25-vjeçe, kanë thënë se kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të ngjarjes, shtetasin Gerald H., 28 vjeç, banues në Shijak.
 
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com