Një ditë pas prezantimit të draftit për referendumet, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka shkuar të takojë kryeministrin Rama.
Report Tv mëson se në fokus ka qenë strategjia e komunikimit.
Pjesë e takimit ka qenë gjithashtu edhe zv/kryeministrja Albana Koçiu, ministri i shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo dhe ministrja e shtetit Për Marrëdhëniet Me Parlamentin, Erjona Ismaili.
Ndërkohë sot në Vilën 30 Rama ka takimin e radhës me ministren e Ekonomisë Delina Ibrahimaj dhe disa prej institucioneve të varësisë si kreu i AKSHI-t, Igli Tafa.
Duke iu rikthyer projektligjit për referendumet, në të parashikohen tre lloje: referendum kushtetues, të përgjithshëm dhe vendor.
Referendumet e përgjithshme, që i drejtohen votuesve në të gjithë vendin, përfshihen ato për shfuqizimin e një ligji, ratifikimin e një ligji të rëndësisë së veçantë si dhe referendum për çështje të caktuara të rëndësisë së veçantë. Dy të parat janë vendimmarrëse, ndërsa në referendumet konsultative, të cilat mund të trajtojnë çështje me interes kombëtar apo lokal, merret vetëm opinioni i popullit i cili nuk është detyrues për institucionet.
Ndryshimet kushtetuese që do t’i nënshtrohen referendumit popullor, miratohen vetëm nëse marrin pjesë në votim më shumë se gjysma e qytetarëve me të drejtë vote dhe i thonë “po” shumica e atyre që votojnë.
Varianti zyrtar i socialistëve do të depozitohet në Kuvend vetëm pasi të ketë përfunduar procesi i konsultimit publik me të gjithë aktorët.
Komente











