Lindja e Tiranës parë përmes përrallave dhe historisë

Lindja e Tiranës parë përmes përrallave dhe historisë

Vijon nga numri i kaluar

Thënia e gënjeshtër se Tirana lindi në 1614, kur u ndërtua xhamia e fesë islame dhe hamami i kulturës lindore turke, ka zënë vend në tekstet e guidave turistike, madje dhe në librat e historisë. Fillimi i tregimit të lindjes së Tiranës me ndërtimin e xhamisë, u shkon për shtat teologëve dhe fanatikëve islamë të Shqipërisë.

 Si te grekët, edhe te turqit vihet re dhe njihet megallomania për t’i shpjeguar emrat me kohën e sundimit të tyre, që ndikuan në kuptimin e zmadhimin deri në monstruozitet të përrallave, rrjedhë e epërsisë sociologjike të sunduesit. Kuptohet se shtysat nga të cilat u nisën ata që e “pagëzuan” qytetin ishte Xhamia e Sulejman Pashës. Kjo datë (1023 hixhri) ka qenë e shkruar në xhaminë e vjetër dhe si e vetmja e dhënë, u vendos për datëlindje.

1579110843_tirana.jpg

Tirana e viteve ‘20

Emri i Tiranës deri tani është shpjeguar sa me legjenda fëminore, aq dhe me argumente të nxjerra nga historia. Është thënë se Tirana ka këtë emër se një plakë ju gjegj dikujt se ”po tir anë”; kronikani turk, Evlija Çelebi, si pjellë pushtimi, ndonëse emri Tiranë vjen nga thellësia e shekujve, na thotë se turqit ja vunë emrin “në kujtim të një fitoreje të Sulejmanit në Persi, Teheran” dhe kjo gënjeshtër ka zënë vend prej kohësh në një mori enciklopedish të njohura botërore. Një tjetër studiues e lidh emrin në mënyrë të pakuptimtë me një formacion gjeollogjik, ”të ranat”. 

 Që lindjen e saj mbase ia detyrojmë Castros romake, nuk e ndeshim kund, sepse trajtohet, për shkak të mjerimit material, si një e vërtetë ende e paarritshme. Të dëshmosh objektivisht në procesin e madh e të largët të historisë ka shumë vështirësi, sepse është e paarritshme plotësisht e vërteta, gjë që buron nga brishtësia e shekujve të kaluar prej kombit.

 Harta e vitit 1689, “Albania Propria ouero Superiore detta anche macedonia Occidentale”, me autor Giacomo Cantelli, burimi Biblioteka Kombëtare.

Nga fundshekulli i XVII na vjen e vetmja hartë që ka si qendër të banuar “Terrana”. Prej saj vrehet e dhëna me interes: shënjat me simbolin kishëtar roman të rangut hierarkik famulli, ndryshe nga Kroia (Kruja), që shënohet me shenjën e dioqezës. Është e vitit 1689, “Albania Propria ouero Superiore detta anche macedonia Occidentale”, me autor Giacomo Cantelli dhe që botuesi ia kushton Papa Klementit XI (Giovani Francesko Albani). Tërheq vëmendjen fakti se në hartë shënohet prania e një kishe romane. Pra, Tirana ka kishë dhe bashkësi të ritit katolik. Del vetiu pyetja: ka ekzistuar kjo kishë apo është ndërtuar në shek. e XVI-të? Me shumë gjasa, ka ekzistuar, sepse sunduesi otoman nuk lejonte ngritje të kishave të reja. Madje, edhe ekzistueset po i nënshtroheshin shndërrimit të tyre në xhami.

Islami, me mbizotërimin religjioz të karakterit unitarist dhe totalitar të shtetit teokratik, kishte 200 vjet që e kishte futur zhdukjen e feve të tjera në thelbin e ekzistencës së perandorisë. Nëse do e pranojmë këtë argument, prania e një kishe në Tiranë në shek. e XV-të e më parë, si nevojë shpirtërore, do ishte në shërbim të një komuniteti banorësh, që vetiu të shpie te vënbanimi, qyteti apo qyteza.

 Për herë të parë, të shkruar në formën se si e ruan sot, emrin e Tiranës e gjejmë të përmendet në një dokument të Venedikut, në vitin 1418. Në listën e qyteteve, që përshkoi anonimi i Ravenës në shek. e VII tek “Cosmographia”, më pak se 100 vjet pas Prokopit të Cezaresë, nuk përmendet as Tiranë dhe as Terrana, por përmendet një emër i ngjashëm dhe i afërt me to, Tyrkana. Kjo lë të kuptosh se nga viti 560, kohë kur kronikani në veprën “Mbi ndërtimet”, e rendit Tyrkana-n në kështjellat e ringritura nga Justiniani, deri në këtë periudhë ka qenë thjesht një fortifikim castrum.

 A mund të jetë “Tyrkanos” i kronikanit bizantin, Prokop i Cezaresë, Tirana?

 Më i qendrueshmi, më bindësi si argument, është rrjedha nga emri i ngulimit të lashtë Tyrkan, një kështjellë kjo që arkeologët s’dihet pse fillimisht e degdisën te ca rrënoja fortifikimi të tjera, shtrirë në shpatin perëndimor të malit Dajt dhe aspak të besueshme.  Fortifikimi përmendet nga kronikani bizantin Prokop, në shek. VI-të. Gjatë kërkimeve në rrënoja u gjet një monedhë e Tiber Kostandinit të II-të, që i përket shek. VI-të, kjo shërbeu për t’i vënë pa ngurrim emrin. Ka kohë që nuk po i cilësojnë më këto fortifikime me emrin Tyrkan, por i quajnë “Kalaja e Dajtit”, kur ende Zgërdheshi dhe Persqopi vijojnë të mëdyshen se kush prej tyre është mbetje e Albanopolit të Ptolomeut?; kur vëndvarrimi i Skënderbeut, kisha e Shën Kollit ende mbetet e dyshimtë, si ka qenë e mundur të vendosej Tyrkani në malin e Dajtit, ndërkohë që as një dokument, artefakt apo hartë e vjetër, nuk e përcakton? Jepet si shëmbëlltyrë e saj një brez muri fortifikues tre këndor, me gur të papunuar, me tre kulla, ndodhur në 1200 metra lartësi. 

 E para hartë që zotërojmë, ku Tirana gjendet e vendosur atje ku është sot, siç e përmendëm, është e shek. të XVII, por kjo nuk duhet të merret si përfundimtare. Duket se puna në këtë lëmë kërkon të vijohet, sepse vërtitet ende në boshllëk, pa bërë asnjë përçapje për kërkim në fondin e hartave të të tjerëve, sidomos në hulumtimin e burimeve dokumentare venedikase dhe papale. Në formën e dukshme të veprimtarisë së dobishme shoqërore në mjedisin rrethues të studimeve, veçoj e vlerësoj një punim të z. Ilir Mati, që mbështetet mbi toponiminë, thelbi i të cilës del si përmbajtje në shpjegimin se, ”Historia e Tiranës nuk ka pse të mbështetet në legjenda...Me vjen keq kur për historinë e qytetit të Tiranës i mëshohet fort dëshmive gojëdhanore... Sa për mua - shkruan z.Ilir Mati - unë jam i bindur se emri i Tiranës nuk ka të bëj me krijime mesjetare. Ai mund të ketë ardhur nga emri i hyjneshës të cilën ilirët dhe grekët e thërrisnin Afërditë, latinët Venere dhe etruskët, të ndjekur nga romakët, ndoshta të shpërngulur nga Italia dhe të vendosur rrëzë Dajtit në shekullin e tretë para Krishtit, i thonin Turan. Emër që te Barleti del Tyrann dhe sot shqiptohet Tiranë”. Hulumtimi i z. Mati përputhet me pikëpamjen e të J.G.fon Hahn-it. Prej këtij studiuesi mësojmë se format Tuscus dhe Tyrrhenus, që gjenden në Shqipëri, janë me origjinë latine ose etruske.

 Më tej: historiani dhe kleriku francez, Zhan Klod Faverial, në një Histori të Shqipërisë (botime Plejad, përkth, Gjergj Ulqini, faqe 112, 2004) na thotë, në referencë të Pukëvil, (konsull i Napoleonit pranë Ali pashë Tepelenës) se “...plaçkitjet e avarve në Shqipërinë Qendrore nuk u kursyen. Ajo ndjeu në kurriz gjëmën e të gjithë luftrave që paraprinë ngritjen dhe rënjen e Perandorisë së Poshtme...(v.581). Qytetet u shkatërruan dhe u ringritën shumë herë. Justiniani rindërtoi Tyranën, Aulonën, Musionin. Ai, po ashtu, fortifikoi shtegun e portave Kaudavikune, për të ndalur sulmet e barbarëve”. (Pukëvil, Udhëtime, vëll. I, faqe 393). Sa lexohet, emri Tyranë, tashmë në rangun e një qyteti, na vjen nga shekulli i VI-të. Shënimi nga autori Faverial në faqen 113: Tyrana-Tyrkana, fortesë në Epirin e Ri.

 Do ndihmohej shumë historia e zanafillës nëse do dihej: fusha i ka dhënë emrin qytetit, apo qyteti i ka dhënë emrin fushës? Barleti, përmes të cilit mësojmë nga viti 1504, se ekzistonin në mesjetë fusha e Tiranës së Madhe dhe fusha e Tiranës së Vogël (Tirana major dhe Tirana minor, kjo e fundit e vendosur pranë Croyas-Kruja) nuk e përmend praninë e qytetit. “Historia e Skënderbeut” e Barletit, botim i parë shqip, 1964, përkthyes Stefan Prifti, e përmend emrin Tiranë 14 herë. Në tërsinë e rasteve, Tirana nga Barleti përmendet si e përfshirë në operacionet ushtarake. Në disa prej tyre të bën ta marrësh jo si fushë, por si qendër të banuar. Kështu, në faqen 277, shkruhet,  ”Skënderbeu...duke marrë me vehte thuajse gjithë kalorësinë e vet, u nis për në Tiranë”. Në faqen 477, “...ata u ndalën dhe ngulën çadrat në një vend që quhet Tiranë, tetë mijë hapa pothuaj larg qytetit”. Vlen të theksoj se një largësi hapash, si njësi matëse, e përcaktuar qartë, merr kuptim me një qendër të banuar, por jo me hapësirat e një fushe.

 Kronikani Prokop përmend ekzistencën në Epirin e Ri të qytetit Tyrkan, por nuk përmend fushë. Në “Raporti dell’ Albania esue citta...”, më 1580, përmëndet edhe si qytet, edhe si fshat; Pierr dë Lavarden (Pierre de Lavardin) në variantin anglisht të veprës së tij, “The Historie of George Castriot surnamed Scanderbeg, King of Albania”- London, më 1596, e përmend Tyranna major dhe Tyranna minor. Nga sa shihet, Tirana si emër i takon një kohe të lashtë. Emri i saj ka udhëtuar pa shkëputje në rrjedhë të shekujve.

 Fjala e fundit për lashtësinë e Tiranës i përket arkeologjisë

 Për historinë e Tiranës, në vite janë shkruar e botuar jo pak nga historianë e kërkues të fushave të tjera, hulumtues të pasionuar dhe koleksionistë. Nga botimi i parë, ai i 25 vjetorit të pavarësisë e në vazhdim, kanë parë dritën e botimit shumë të tilla, ku veçohen “Historia e Tiranës” e Kristo Frashërit dhe shkrimi studimor i Safete Jukës. Spikat për vlerat botimi i Gazmend Bakiut, “Tirana, një histori e ilustruar”; vlerësimet e arkitektit-restaurator, Sulejman Dashi; disa shkrime e studime të Ilir Matit dhe Thanas Gjikës; botimet e koleksionistëve Nikolla Xharo e Vasil Xhitomi; artikujt e gazetares Rezarta Delisula. Tërheq vëmendjen edhe një album luksoz i Albert Cmetës, i cili, apriori, nuk ngurron që rrënojat e kështjellës së Tiranës t’i shoqërojë me diçiturën se i përkasin shek. V e.r.

 Ndonëse arkeollogjia është shkencë dhe si e tillë, ajo edhe prej një monedhe apo prej disa copa tjegullash tipike romake, do ishte në gjendje të shprehej, historia të jep mundësinë të bësh edhe zgjedhje këndvështrimesh. Në Tiranë e rrethinat e saj, jo pak herë janë zbuluar objekte që i përkasin periudhës romake, ku mes tyre spikat mozaiku, tipar dekorativ i banesave të patricëve e më pas, i kishave. Ky objekt ndodhet fare afër rrugës, si asaj të tashme, ashtu dhe asaj të lashtë që vinte nga Durrësi. Si shpjegohet, a mundet që kjo ndërtesë te kroi i Shëngjinit, të cilën e quajnë herë vilë dhe herë bazilikë, e dekoruar në një sipërfaqe të madhe me mozaikë, të ndodhej e vetmuar? Kujt bashkësie i shërbente kjo bazilikë në shekullin e IV-të? Shpjegimet e varfëra të deritanishme kanë lënë të kuptohet se për këto dy objekte, rrënojat e mozaikun, nuk do të kishte pranim të heshtur, por nxitje për të shkuar më tej.

 Për rrënojat e rrugës “Murat Toptani”, arkeologëve dhe specialistëve u duhet të hedhin më tej dritë, për të përcaktuar se kujt kohe i përkasin: shek. II-të; shek V-të apo shek. XVII-XVIII. Trakti i gjetur deri tani, nuk është i mjaftueshëm për të mbërritur në një përfundim, pa studiuar shtresat. Jo se s’dua që të përfill argumentet e deritanishme që i largojnë dukshëm në kohë, por besoj se si njëra dhe tjetra, duhen thelluar në kërkime të mëtejshme të zonës, për ecjen në labirintin që çon në zgjidhjen e rebusit Tiranë. Por, që të bësh kërkime, nevojiten fonde, të cilat mungojnë!

 Ardhja e ngadaltë e breznive të reja, humbja e kujtesës, roli shtypës i “rulit” pesëqindvjeçar turk, mungesa e shkrimit, humbja e këngëve dhe trashëgimive, na ka lënë si mundësi përpos se studimin e shtresave arkeologjike. Vetëm përmes fondeve dhe punës të arkeologve tanë do bëhet i mundur pastrimi i faqeve të bashkisë Tiranë e fletushkave të tjera nga marrëzitë e gojëdhënave mbi Tiranën. Pikërisht për këtë, ndjehet se duhet nxitur kultura e kundërshtimit ndaj tregimeve të mumifikuara në shekuj, si nevojë për të ndalur vrapin pas fantazmave dhe për të qendruar me këmbë në tokë.

Shdërrimi nga një fshat i madh në metropol

 E vendosur në një fushë të begatë, pak më larg nga ultësira bregdetare e kënetizuar, shtrirë në këmbët e malit Dajt, mes lumenjve Erzen, Tiranë e Tërkuzë, banorët e vitit 1920 i gëzoheshin një klime të shëndetëshme. Tirana, kur atje u vendos qeveria e Sulejman Delvinës, ishte një qytet me pamje tipike lindore: shtëpi qerpiçi dhe kopshtije, gardhe, mure e puse, rrugë të shtrembëra shumë prej tyre të pashtruara, treg anadolli. I ngjante kështu, më shumë një fshati.

 Ajo çka e kish zhveshur përfundimisht Ahmet Zogun dhe shpurën e tij të administratës shtetërore nga dukuritë e pamvarësisë ishte kredia 50 milionshe në franga ar, e cila ishte dy herë e gjysmë më e madhe se buxheti i shtetit, gjë që nënkuptonte paaftësinë e përhershme të mos likuidimit. Kjo kredi ishte de jure pushtimi e pasonte marrjen që i kishin bërë sovranitetit monetar, me krijimin e Bankës Kombëtare. Nga kredia e dhënë, 20 përqind e vlerës së saj u planifikua të shpenzohej për ndërtimin e ministrive.

Banorë të Tiranës 1930, foto Luigi Pellerano, burimi “The National Geographic Magazine, feb.1931”.

 E siç thotë populli, “bashkë me të keqen vjen dhe e mira”. Dominimi i të huajve solli arkitektët dhe ndërtuesit më në zë të kohës, sepse këto 10 milion franga ar për zyrat publike, Italia nuk kish ndërmend t’ua linte shqiptarëve. Projektimin dhe ndërtimin e fituan dhe e morën për zbatim firmat italiane. Florestino Di Fausto, i vlerësuar si arkitekti më i rëndësishëm në Italinë e viteve ’30 dhe i cilësuar si "Arkitekti i Mesdheut", ishte specialisti që në këtë periudhë erdhi në Shqipëri, ku zëvendësoi Armando Brasini-n. I dha, si me thënë, “dorën e fundit” projektit-planit fillestar të Tiranës, me qendrën e qytetit dhe ndërtesat monumentale në shesh, e që më pas mori emrin e heroit kombëtar, “Skënderbej”.

 Ansambli arkitektonik i ministrive vijonte nga Jugu i qytetit në Veri, me një bulevard të paparë nga përmasat, që dhe sot ndeshet rrallë. Shtypi italian i kohës, kur ironizonte ndërtimet dhe përmasat e tyre nën titullin përqeshës, “Katedrale në shkretëtirë”, nuk kish si ta dinte se kjo shëtitore groteske që do i përkiste një fshati të madh, nuk ishte gjë tjetër përpos se konfigurimi ajror i bishtit të “Sëpatës së Liktorit”. Arkitekti, me bulevardin, stadiumin dhe godinat që sot janë Universiteti i Arteve dhe Akademia e Studimeve Albanologjike, po i gdhendëte Tiranës simbolin e fashizmit italian. Më tej, në cepin verior, atje ku sot është lagja Laprakë, një bllok ndërtimesh të ulta lexonin nga ajri DUX.

 Ndërtesa e bashkisë dhe ministritë, sistemimi i Lanës, aerodromi, shtëpia e oficerëve, ndërtesat e Bankës Kombëtare dhe Agjensisë së Sigurimeve, hotelet Internacional dhe Berlin, hapësirat publike me lulishten e thelluar në qendër e të tjera anësore, shatërvani i madh po në qendër e gjashtë të vegjël në lulishte, filluan t’i japin Tiranës tiparet e një qyteti modern. Bulevardet Zogu i I nga Veriu dhe tjetri nga Perëndimi shoqëroheshin me kanalizimet e ujërave të bardha e të zeza. Klinikës pioniere (spital dhe maternitet) të doktor Bashos ju shtuan dy spitale të tjerë, Spitali Civil dhe materniteti i ri. 7 kinema operonin deri në vitin 1938 dhe 13 u bënë deri në vitin 1944.

 Sheshi “Skënderbej”, nga projekti fillestar i Di Faustos, ka ndryshuar formë e përmbajtje tetë herë. U prish fillimisht shatërvani, u hoq në pjesën jugore bazorelivit i shtizëmbajtësit të flamurit; u vendos shtatorja e Stalinit dhe u hoq kur u vendos monumenti i Skënderbeut; pasoi prishja e bashkisë dhe ndërtimi i Pallatit të Kulturës, hotelit shumëkatësh dhe Muzeut Kombëtar, arkitektura dhe stili i të cilëve s’kishin asnjë lidhje me planin fillestar të qendrës. Më tej, “patkoit” të lulishtes i hoqën shkallët, gjashtë shatërvanët e vegjël dhe dekorin e blertë shumëvjeçar, ku spikatnin bredhat shtatlartë. Sheshi, i ndodhur në mëshirën e shijeve të kryebashkiakeve, përfundimisht nuk u bë më i bukur nga ai fillestari. Çdo shpjegim tjetër, shoqëruar edhe me çmime “Europiane”, është thjesht propagandë.

 Kohërat e reja i ndryshuan fytyrën Tiranës, me shpejtësi marramendëse e bashkë me to edhe shijet e atyre që ju besua qeverisja e Tiranës. Vitet u rrokullisën shpejt dhe Tirana u ndryshua tërësisht. Në kaosin e krijuar, ndryshimet  për mirë, por më shumë për keq, i lanë pak kujtesë e gjurmë nga historia e rrugëve, banesave, hapësirave.

 Ndërtesat shumëkatëshe ua kanë hequr banorëve nga shikimi vargmalin e Dajtit. Tiranën e kërcënojnë aktualisht dy përbindësha: 1)Hapësirat e kufizuara publike, të cilat erdhën gjithnjë e duke u zvogëluar. Shumica e lulishteve dhe terreneve sportive të qytetit u zunë me pallate shumekatëshe. 2) Dëndësia e pabesueshme e qarkullimit të automjeteve ndot me monoksid karboni rrezikshëm ajrin. Smogu është i pranishëm çdo stinë, çdo orë të ditës. Të dy te keqet nxjerrin në pah një Tiranë me ajër të pashëndetshëm, me pak ose aspak sheshe, ku mund të  lozin fëmijët, ku nënat të shetisin me karroca fëmijët, ku mosha e tretë të endet e të kalojë ditën në qetësi. Për këtë ka vetëm një zgjedhje, Parku i Madh, por sa mund duhet për të shkuar deri atje?!

 Kjo do jetë në të ardhmen edhe sfida e Tiranës për pushtetin qendror dhe kryebashkiakët, ta bëjnë të shëndetshëm, ta bëjnë të banueshëm si dhe qytetet europiane. Të presim dhe të shohim!

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Loti: 16/01/2020 02:49

    Qe atehere po deshe te beje qef shkoje ne Tirane "Skenderbeu me gjithe kaloresit e vet shkoj ne Tirane". Me siguri kan pas ndonje "zogu i tiranes" qe ja hiqte stressin.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë