Ish-deputeti Klevis Balliu u lirua sot nga Gjykata e Tiranës, pasi Policia e kishte arrestuar në flagrancë dy ditë më parë gjatë përleshjeve, që ndodhën në një bllokim rrugësh, të organizuar tek Astiri. Balliu ishte arrestuar me gjashtë akuza: goditje për shkak të detyrës, kundërshtim me dhunë i Policisë, organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme, pengim i qarkullimit të mjeteve, shkatërrim prone, prishje e qetësisë publike. Janë akte të dënueshme penalisht, që mund të ndëshkohen me të paktën tre vjet burgim.

Në mënyrë të papritur, gjyqtarja Rexhina Merlika shpjegoi se pamjet e dhunës, që kishte paraqitur Policia, nuk janë një provë e mjaftueshme. Sikurse ndodh, për shembull, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe policët shqiptarë prej kohësh janë të pajisur me ‘body cam’ (kamera në trup), që vendosen qëllimisht për të regjistruar agresione të mundshme, apo akte të tjera, që kryhen para syve të tyre. Lind pyetja, para së gjithash, se për çfarë i kanë blerë, kur pastaj gjyqtarët nuk i konsiderojnë si prova. Dhe pastaj, sipas së njejtës logjikë, nuk është e qartë as edhe nëse janë të mjaftueshme për të dënuar një kriminel, për shembull, pamjet që regjistron telekamera e sigurisë së një dyqani kur kryhet një vrasje. Por nuk mjafton: sipas gjyqtares, edhe rezistenca, që Klevis Balliu duhet të ketë bërë ndaj policëve në furgonin, që e çoi në Komisariat, nuk është diçka e rëndë. Edhe prokurori Gjergji Tako nuk u tregua i rreptë me Klevis Balliun, duke i kërkuar menjëherë gjyqtares ta transferonte ish-deputetin, nga burgu, në arrest shtëpie.    

Nga njera anë, kemi opozitën, me Klevis Balliun në krye, që në çdo protestë bllokon rrugët dhe kërcënon Policinë e institucionet me gjeste dhune dhe mosbindjeje civile dhe, nga ana tjetër, kemi një gjyqtare e një prokuror, që nxjerrin nga burgu njerëz, të cilët Policia i padit si përgjegjës të kësaj dhune.

Hipotezat janë dy: ose Policia është krejtësisht e paaftë, ose Drejtësia shqiptare është ende thellësisht e korruptuar.