Listat dhe PD,  kronika e një zhgënjimi të paralajmëruar

Listat dhe PD,  kronika e një zhgënjimi të paralajmëruar

Hartimi dhe publikimi i listave për kandidatët që do të zgjidhen deputetë më 25 prill janë kthyer në një sport kombëtar. Politika dhe ngjarjet që prodhojnë selitë e partive vijojnë ende që të zënë kryet e vendit në informimin publik duke treguar kështu se ne jemi ende një vend që fatin tonë kolektiv e kemi të ndërlidhur me ata që na sundojnë dhe ne, vetë, nuk jemi në gjendje të ndërtojmë jetën tonë duke e përdorur politikën dhe qeverisjen vetëm si një mundësi që do të na ngushtonte ose do të na zgjeronte frymëzimin tonë për të ndërtuar jetën në një shoqëri që ne e quajmë të lirë, por që ne, vetë, e kemi prangosur me zinxhirët e ndërlidhjes sonë me humorin e selive të partive politike.

Kjo që po ndodh me festivalin e analizave, komenteve, interpretimeve keqintepretimeve, hamendjeve dhe biografive për ata që popullojnë listat është jo vetëm një situatë absurde, anormale, por tregon edhe njëherë se modeli i shoqërisë shqiptare nuk është ai demokratik, por modeli i një shoqërie të ndarë, konfliktuale dhe arenë përplasjesh.

Listat me emrat e kandidatëve të forcave politike dhe folklori i analizave që i shoqëron ato u ngjan atyre imazheve virtuale që ne kemi mësuar nga historia e Luftës Nacionalçlirimtare kur nënat dhe baballarët tanë përcillnin djemtë dhe vajzat në luftë. Listat me emra kandidatësh që po përgatiten nuk janë një bashkësi njerëzish të zgjedhur që do të përfaqëojnë nesër vullnetin dhe interesat e zgjedhësve, por një bataljon me ushtarë që do të ngjiten malit dhe nesër do të përleshen me njëri-tjetrin për interesat e tyre ideologjike apo edhe klanore.

Ndërkaq, ka një diferencë të dukshme mes strategjisë që ka zgjedhur Edi Rama për të nisur këtë fushatë elektorale dhe asaj që bëri Lulëzim Basha apo Monika Kryemadhi. Edi Rama është provuar në gjithë këta vjet se është, padyshim, drejtuesi më me fantazi dhe me më shumë talent në udhëheqjen e partisë së tij në kohë elektorale. Suksesi i tij mbështetet te spaktakli i shëndetshëm dhe te befasia.

Partia Socialiste i është dorëzuar tërësisht vullnetit dhe talentit të tij dhe ai me perfomancën e vet në këta vjet ka treguar se është i suksesshëm, ndoshta më i suksesshmi ndër të gjithë ata që kanë drejtuar PS-në. Modeli që ai ka zgjedhur është promovimi i të rinjve dhe nganjëherë modeli i përfaqësimit të kandidatëve me profil të ulët, e harmonizuar kjo edhe me respektimin e ndjesive krahinore në zona të veçanta. Përfshirja e Rrahma Rrajës në lista mund të ketë një kosto për të, por ai e ka llogaritur edhe këtë çmim, mjaft që të maksimalizohen votat.

Ndërkaq, në Shkodër ka vendosur një pedagoge universiteti gati krejtësisht të panjohur. Në zgjedhjet e 2017-s ishte një tjetër zonjë nga Shkodra, Senida Mesi që u bë edhe zv/kryeministre. Sot askush nuk e di se ku ndodhet ajo. Po ashtu, renditja në zona të nxehta e socialistëve të sprovuar dhe veteranë është një taktikë elektorale që mund të interpretohet në disa mënyra. Mirëpo edhe kjo bën pjesë te befasitë që përdor Rama në kohën elektorale. Ashtu si edhe në zgjedhjet e kaluara, Rama nuk ka nevojë për zëdhënës apo për PR(Relation Publik).

Këtë profil, falë aftësive të tij dhe talentit publicistik, ai e luan vetë dhe, për hir të së vërtetës, në këtë pikë, deri tani, është i pakonkurueshëm. Ndaj listat e PS-së nuk kanë asnjë risi në mënyrën se si janë ndërtuar. Ato janë frymëzim dhe ide e Edi Ramës, i cili, në parim, ka ndërtimin e një ekipi me profile të ulëta dhe me spektakël. Gjesti që bëri me dy zonjat e nderuara, Bozo dhe Çomo ishte kulmi i kësaj gjetjeje me spektakël për të shpërblyer me postin e lartë të deputetit figura që në një moment të caktuar ishin bërë personazhe tërheqëse për publikun.

Në anë tjetër, gjendja është me të vërtetë e pashpresë. Lulëzim Basha e shpalli listën e tij me vonesë, e dorëzoi atë në KQZ me vonesë. Në atë listë kishte gafa nga ato që vetëm Lulëzim Basha mund t’i bëjë. Pa gjini, pa ditëlindje ngandonjëherë, emra që as nuk ishin kontaktuar dhe emra që ishin fshirë, si ai i Luçiano Boçit dhe që pastaj u shtuan.

Mashtrime të hapura si ai me gjeneralin në pension Pirro Prifti, mospërfshirja në lista e atyre që u bënë heronj të frymëzimit opozitar në betejën për ruajtjen e Tetrit Kombëtar nga mosprishja, siç ishte rasti i vëllezërve Budina dhe në fund fare lista e vjetër me emra të stërkonsumuar si Sali Berisha e Tritan Shehu, shkatërrimi i prurjeve të komisionit « Nishani » dhe pakënaqësitë që ka mbjellë kudo, kulmin e të cilave e shënoi dorëheqja e n/kryetarit të Forumit Rinor të PD-së.

Në vendet e sigurta u ricikluan ato figura që riprodhonin artikulimet e Lulëzim Bashës dhe të qytetarit dixhital të Berishës dhe kryetarët e disa partive fosile që nuk kanë as elektorat dhe as mbështetje në publik. Opozita shqiptare në vend që të zgjeronte hapësirën e saj me prurje nga opozitarizmi i gjerë publik, u ngushtua në rrethin e atyre skifterëve që natën dhe ditën artikulonin të gjitha akuzat monstruoze ndaj Edi Ramës, ato profile që duke u sjellë ashtu me Edi Ramën e bënë atë më popullor dhe më të besueshëm edhe për ata që nuk kishin ndërmend të merreshin me Ramën.

Zhgënjimi i thellë që shkaktoi nisja e fushatës elektorale nga PD-ja dhe opozita në përgjithësi me hartimin e listave ka bindur pjesën më të madhe të opinionit se opozita shqiptare aktuale jo vetëm që nuk është një alternativë e fortë ndaj PS-së dhe qeverisë së saj, por, me këtë sjellje, ajo do ta mbajë në pushtet këtë qeveri edhe për disa mandate të tjera.

Nga ana tjetër, Edi Rama, i sigurtë për punët që ka realizuar dhe për projektet që ai ka dhe që do t’i realizojë në mandatin tjetër, ka zgjedhur tonin sarkastik dhe ironik ndaj opozitës. Nëse e vini re nuk ka asnjë debat për çështje thelbësore, për ato që prekin jetën tonë. Pse ? Sepse opozita e ka mbështetur luftën e saj dhe betejën vetëm në profilin e Edi Ramës. Për fat të keq, sapo Lulëzim Basha nis të artikulojë ndonjë problem ekonomik apo shoqëror ai ngatërrohet dhe të bën për të qeshur.

Të tjerët që imitojnë atë dinë të recitojnë vetëm një tekst : atë të Ramës mafioz, kriminel, drogaxhi, e qindra e qindra etiketime të tjera. Mirëpo, këtu ata harrojnë se në portretizimin e kundërshtarit, Rama zotëron artin e ironisë dhe të sarkazmës. Dhe nuk bën tjetër por i provokon ata duke i vizatuar si personazhe të poemave humoristike. Këtu ai është në fushën e tij : në atë të spektaklit. Opozita nuk diti, nuk mundi dhe nuk desh që këtë radhë ta ulte qeverinë me këmbë në tokë dhe ta vinte me shpatulla për muri me profesionistë, me teknicienë dhe njerëz dinjitozë.

Ajo zgjodhi ligjërimin policor dhe i mbushi studiot televizive me skifterë që, në të shumtën e rasteve, duke sharë Ramën të bënin për të qeshur. Rama, duke i parë ata është komod, sepse në fushatën që ka nisur, kundërshtarët e tij e ftojnë në duel vetëm për ta paraqitur si monstër. Ai i paraqet ata si personazhe qesharakë. Dhe spektakli vazhdon.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tami: 11/03/2021 06:54

    Shume bukur analiza z. Yzeiri. Ju lexoj me shume kenaqesi, nje shqipe e bukur dhe rrjedhshmeri ne mendim. Te falenderoj

    Përgjigju
  • O tej: 11/03/2021 00:25

    Respekt per ty profesor i arte.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë