FT/ Holandë 3-1 SHBA (Depay 10', Blind 45+1', Dumfries 81' / Wright 76')
Holanda fitoi 3-1 me SHBA-në në turin e 1/8 të Kupës së Botës duke gjetur në çerekfinale Argjentinën. Në "Khalifa International Stadium" të Dohas, skuadra e van Gaal dominoi ndeshjen kundër amerikanëve, duke kaluar në fazën çerekfinale. Tanimë "Tulipanët" janë mes tetë skuadrave më të mira në botë, duke pritur ndeshjen kundër Argjentinës që fitoi me Australinë.
Dueli nisi mirë për "Tulipanët" që kaluan në avantazh me golin e Depay pas vetëm 10 minutave lojë. Një aksion i bukur nga e djathta e sulmit dhe asisti i Dumfries sollën golin që zhbllokoi ndeshjen. Në fundin e pjesës së parë, Blind "blindoi" rezultatin. Sërish Dumfries me një tjetër asist. Në minutën e 76 SHBA do hapte ndeshjen me golin e Wright, ndërsa festa e amerikanëve do zgjaste vetëm pesë minuta pasi Dumfries këtë herë do e dërgonte vetë topin në rrjetë për 3-1. Dy asiste dhe një gol për mbrojtësin e Inter që shkëlqeu në këtë duel duke dërguar të tijtë në çerekfinale.
VIDEO:

81' / Holandë 3-1 SHBA. Dumfries shënon golin e tretë për Holandën duke dërguar "Tulipanët" në tetë skuadrat më të mira në botë. Pas dy asisteve në këtë duel, mbrojtësi i Inter gjen edhe golin.

76' / Holandë 2-1 SHBA. Amerikanët rihapin ndeshjen në minutën e 76. Wright pas një rrëmuje në zonë shkurton shifrat dhe i bën më emocionuese minutat e mbetura. Asist nga Pulisic.

45+1' / Holandë 2-0 SHBA. Holanda shënon golin e dytë me Blind. Në minutën e 45+1 sërish një aksion nga e djathta bën që Dumfries të asistojë për të dytën herë këtë ndeshje.

10' / Holandë 1-0 SHBA. Holanda gjen golin e avantazhit pas 10 minutash lojë. Aksioni nga e djathta e sulmit dhe asisti i Dumfries bënë që Depay të shënonte golin e parë të ndeshjes.
Komente










