Lojë e ODIHR apo fundi i reformës?
Objeksionet e ODHIR-it kundër verifikimit elektronik të zgjedhësve dhe numërimit elektronik të votave, me argumentin se nuk janë të realizueshme, rrezikojnë ta kthejnë reformën elektorale në një pemë pa kokrra.
Objeksionet e ODHIR-it kundër verifikimit elektronik të zgjedhësve dhe numërimit elektronik të votave, me argumentin se nuk janë të realizueshme, rrezikojnë ta kthejnë reformën elektorale në një pemë pa kokrra, një një “pemë gjasme” të madhe për vogëlsinë e këtij vendi, rrjedhimisht në një tallje të paparë me konsensusin e dy partive të mëdha, që po punojnë së bashku prej disa muajsh në këtë kantier të minuar nga hilera dhe pabesi të llojllojshme, duke nxjerrë në dritë një produkt përgjithësisht pozitiv, edhe pse të pakompletuar akoma. Kur pritej goditja e fundit për të rregulluar edhe sistemin dhe kur treni i reformës u duk sikur po mbërrinte në stacion, duke përgenjështruar kasandarat që kishin parashikuar se dardha e ka bishtin prapa, ja ku goditja erdhi andej nga nuk i shkonte mendja njeriu të gjallë në këtë vend: nga ODIHR-i. Arrin ODIHR-i me shqelmin ngritur kundër një produkti të gatuar bashkarisht nga dy parti, PD dhe PS, që kanë shumë vështrirësi për t’u marrë vesh me njëra-tjetrën. Njëherë që u morën vesh për një gjë të rëndësishme, vjen ODIHR-i tua zerë në fyt, duke i hedhur ujë të valë shpresës së sapolindur të shqiptarëve se mund të votohet edhe në Shqipëri njëlloj si në vendet e tjera të rajonit. Të merremi vesh. Që prej fillimit, komisioni i reformës zgjedhore ka patur një sfidë për të përmbushur: të pengojë hedhjen e votave dhe mbushjen e kutive në emër të zgjedhësve mungues; të eliminojë trafikimin, zhvlerësimin dhe fabrikimin e votave e shifrave fiktive gjatë numërimit. Natyrisht, ka patur e ka plot probleme të tjera, të reja dhe të ricikluara, që dalin në pah si ato çarjet e kështjellave të bombarduara pas çdo procesi zgjedhor në Shqipëri. Nuk i kemi nënvleresuar asnjëherë si probleme. Por zembreku i së keqes janë dy pikat e lartpërmendura. Aty realizohet vjedhja materiale e votave dhe deformimi konkret i vullnetit të zgjedhësve, në një proces kriminal të mbrojtur e të garantuar nga kultura e pandëshkueshmërisë. Fakti më i fundit i kësaj sage të pambaruar është ajo që po ndodh në Lezhë me shtyrjen për herë të katërt a të pestë, me lloj-lloj alibish, të seancës gjyqësore kundër disa komisionerëve të komunës së Dajçit, që janë kapur me prova të hetuara nga Prokuroria duke futur fletë për llogari të kandidatit të PD-së. Kjo e Lezhës është fantazma më e re e zgjedhjeve të vrara me mbushje kutish, që vjen rrotull në zyrat e
OSBE-së dhe partive politike si një kujtesë për atë që ka ndodhur dhe si një paralajmërim për atë që do të ndodhë, nëse nuk bëhet drejtësi e nuk merren masa. Deklarata e ODIHR është përgjigja më e keqe që mund të jepet në këtë kontekst. Praktikisht kjo deklaratë bombë mëton të rrëzojë reformën në boshtin e saj. Çfarë mbetet po të hiqet verifikimi i votuesve, numërimi elektronik, ndryshimi i
KQZ-së dhe korrektimi i sistemit? Asgjë me rëndësi. Del se krerët e partive dhe deputetët e komisionit kanë rrahur ujë në havan gjithë këto kohë. Po kush e di ku i pikon çatia? Kaq të paditur qenkan deputetët dhe specialistët shqiptarë sa të mos e kuptonin me kohë se Shqipëria e vogël me dy milion votues nuk e bëka dot verifikimin dhe numërimin elektronik?
Ka shumë pyetje dhe shumë dyshime në qarkullim. E para, OSBE, pjesë e së cilës është ODIHR, nuk mund të lajë duart me një “nuk bëhët” pak ditë para përfundimit të mandatit të komisionit zgjedhor. Nëse nuk bëhet me elektronikë, me çfarë rruge tjetër do të bëhet? Shqipëria nuk mund të shkojë në zgjedhje derr në thes, apo si cjapi te kasapi, meqenëse një ditë të bukur, ca njerëz të fshehur prapa siglave “ODIHR”, zbuluan se elektronika këtu gënjen. Kush janë këta, kush e mbron këtë pohim, nga e kanë nxjerrë? Të dalin ta mbrojnë para specialistëve dhe publikut shqiptar. E dyta, ka kohë që përfaqësues të shumicës qeveritare, Ilir Meta përshembull, kanë parajmëruar diku nëpër dhëmbë dhe diku hapur se sistemi elektronik kërkon kohë të futet dhe nuk mund të jetë aktiv në zgjedhjet e ardhshme. Ky paralajmërim dhe nxitimi i kryeministrit Berisha për t’i bërë jehonë pa asnjë gram oponencë deklaratës së ODIHR-it krijon përshtypjen e një qëndrimi të dëshëruar, për të mos thënë të porositur nga vetë qeveria. Kjo nuk e kundërshton dot vetë, meqenëse i ka premtuar opozitës “çdo gjë”, por ka gjetur me kë ta kundërshtojë. Përfundimi është po ai: Në vend të çdo gjëjë, asgjë. Nëse OSBE ka hyrë në lojëra të tilla, atëherë do të duhet të themi si Monteskie se në këtë rast është helmuar vetë medikamenti. Me fjalë të tjera publiku dhe opozita shqiptare duhet t’i bëjë llogaritë me arbitrin kundër. Por llogaria më duket mua, është e bërë për këdo që ka sy dhe veshë të pazënë: pa votimin me parimin “një zgjedhës- një votë” dhe pa numërimin e shënimin e çdo vote ashtu siç është hedhur, besimi i publikut shqiptar te zgjedhjet do të mbetet në regjim shtrati. Pasojat i merr me mend kushdo.
(Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)
Sondazhi i ditës:
20 Nëntor, 13:18
Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?
-
T'i mbyllë
80.5%
-
Vendos filtra
16.5%
-
Nuk e di
3%
Vota total: 7694
Votat totale janë unike
Lajme të tjera
-
OSBE, trajnim punonjësve të Burgjeve për standardet e të drejtave të njeriut
22 Nëntor, 15:44
-
‘Alarmi’ për votën e emigrantëve, KQZ garanton: S’ka dështim! Ose ndërrojmë Kodin, ose paguajmë shtrenjtë! Votimi e numërimi elektronik 18.2 mln euro vetëm për Tiranën
21 Nëntor, 12:25
-
'Krimet me armë të lehta ndodhin kudo por në Shqipëri është më i ashpër' Ambasadori i OSBE-së: Siguria nuk është vetëm përgjegjesi e policisë
20 Nëntor, 17:32
-
Buxheti 2025/ KQZ kërkoi 137 mln lekë për investime, qeveria i dha 1.5 mln! Celibashi: Ende s'ka dakordësi as për votimin elektronik në Tiranë
15 Nëntor, 14:54
-
Goditja e korrupsionit politik, financimi i partive dhe kufizimi për punësimin e titullarëve pas mbarimit të detyrës! Zbardhen disa nga propozimet në Komisionin e Posaçëm
13 Nëntor, 09:47
-
Celibashi takim me Hasanin dhe Hoxhën: Koordinim i angazhimeve për realizimin e votës së diasporës
12 Nëntor, 21:34
-
Komisioni antikorrupsion/ Kreu i KQZ-së: Problem, financimi i partive! Ndryshuat Kodin por latë pa zgjidhur financimin
12 Nëntor, 18:19
-
Qeveria shton fondin për KQZ, 20 milionë lekë për përgatitjen për zgjedhjet 2025
6 Nëntor, 18:38
-
Mbahet tryeza e parë për Dokumentin Analitik, ekspertët zbulojnë gjetjet dhe rekomandimet për integritetin e administratës publike dhe konsolidimin e shërbimeve digjitale
4 Nëntor, 20:27
-
KQZ jep udhëzime për votën e emigrantëve: Mos fusni asnjë dokument në zarf veç fletës së votimit! S'duhet të ketë asnjë shënim mbi zarf
4 Nëntor, 14:50
-
Zgjedhjet 2025/ Celibashi: Po punojmë me PD-në për të mundësuar votimin elektronik në qarkun Tiranë
1 Nëntor, 21:45
-
Komisioni Rregullator/ KQZ lehtëson Kushtet për votën e Diasporës, thjeshtohet provimi i banimit në adresën jashtë vendit: Sillni ç’të keni!
1 Nëntor, 13:17