TIRANE - Në muajin Shkurt indeksi i cmimeve në grupin "Transporti" u rrit 1,0 %, ku për pasojë, krahasuar me muajin Shkurt 2014 çmimi i eurodiezelit u rrit me 3,4% dhe benzinës 2,5 %.
Në Shkurt çmimet e karburanteve paraqitën dy pamje: në fillimin e muajit pësuan ulje, ndërsa u rritën javën e fundit ku shënuan rritjen e dytë brenda një periudhe kohore dy javore me 10 lekë për litër, ose rreth 6%. Në tregun e pakicës të kompanive kryesore, një litër naftë u tregtua 165-170 lek/litër, nga 155-160 lek/litër, që ishin në muajin Janar.
Kjo rritje, si zakonisht erdhi për pasojë të shtrenjtimit të naftës në tregjet ndërkombëtare me 18 cent, ose 60.39 usd/fuci naftë.
Në dy ditët e fundit pas arritjes së marrëveshjes kornizë për çështjen e programit bërthamor të Iranit, çmimi i një fuçie nafte Brent ra ndjeshëm me 3.8% dhe në një cmim 53,97 usd/fuci.
Edhe SHBA po paraqet ulje të cmimit të naftës, ku çmimi i llojeve të naftës së papërpunuar që prodhohet në shtetin e Teksasit, regjistroi rënie me 1,9% dhe një cmim prej 49,14 usd/fuci naftë.
Nëse këto ndryshime do të reflektohen në tregun shqiptar, mbetet për të parë. Historia e rritjes së tyre njihet, ndërsa ulja e cmimeve mbetet me pikatore të rrudhur./ATSH/