Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit prej 19 ditësh, korridori kryesor që mundëson transportin e naftës nga Lindja e Mesme drejt vendeve të tjera, ka kontribuar në rritjen globale të çmimit të karburantit. Pas refuzimit nga Evropa për të marrë pjesë në operacione ushtarake për të mundësuar kalimin e sigurtë të cisternave të naftës në Hormuz, SHBA kanë sulmuar sot me superbomba bazat e raketave të pozicionuara përgjatë Ngushticës.

"Kjo do t'u jepte një shtysë disa prej 'Aleatëve' tanë të pandjeshëm, dhe shpejt!!!" shkroi Trump në Truth. 

Zëvendësuesit e raketave ishin disa bomba me kapacitetin për të depërtuar dhe objektet e fortifikuara iraniane. Ato janë të mbështjella me çelik të rëndë dhe të fortifikuar dhe janë krijuar për të depërtuar thellë në tokë para se të shpërthejnë.

Ministri i Inteligjencës iraniane Esmaeil Khatib është vrarë si pasojë e sulmeve izraelite gjatë natës në Teheran. Vrasja e ministrit iranian vjen në një moment që Irani paralajmëroi një hakmarrje vendimtare dhe të dhimbshme pas eliminimit të shefit të sigurisë dhe krahut të djathtë të Khameneit, Ali Larijani.

Ministri izraelit i Mbrojtjes Israel Katz në një prononcim ditën e sotme, tha “Politika e Izraelit është e qartë dhe e paekuivokueshme: askush në Iran nuk gëzon imunitet dhe të gjithë janë në shënjestër.

Sakaq, 2 persona mbetën të vrarë në Tel Aviv nga sulmet iraniane. Nga ana tjetër, Izraeli ka sulmuar Bejrutin. Shënjestër kanë qenë zonat e populluara me civilë ndërsa një paralajmërim u lëshua më pas për banorët e Libanit jugor për evakuim të banorëve drejt veriut të lumit Zahrani.

“Sulmet ajrore janë duke vazhduar, pasi IDF po vepron me forcë të madhe në zonë. Prandaj, për sigurinë tuaj, ju bëjmë përsëri thirrje që të evakuoni menjëherë shtëpitë tuaja dhe të zhvendoseni menjëherë në veri të lumit Zahrani. Çdo lëvizje drejt jugut mund t’ju ​​vërë në rrezik jetën”, tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite kolonel Avichay Adraee.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:31
NATO do të vendosë sistemin Patriot në Turqi

Turqia ka njoftuar se raketat e reja Patriot do të vendosen në bazën ushtarake të Incirlik në juglindje të vendit, në provincën Adana, pasi javën e kaluar sistemi mbrojtës i NATO-s shkatërroi një raketë të tretë nga Irani, e drejtuar drejt hapësirës ajrore turke.

“Përveç masave kombëtare të marra për të garantuar sigurinë e hapësirës sonë ajrore dhe të qytetarëve tanë, një sistem shtesë Patriot, i caktuar nga Komanda Ajrore Aleate e Ramsteinit në Gjermani, është në proces vendosjeje në Adana, përveç sistemit Patriot spanjoll që tashmë ndodhet në bazë”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.

Ora 13:01
Ndodhet në fushën më të madhe të gazit natyror në botë, goditet kompleksi petrokimik i Iranit

Sipas raportimeve të mediave iraniane, kompleksi petrokimik i Iranit në fushën e gazit South Pars është goditur nga sulme ajrore, sipas agjencisë së lajmeve Tasnim.

South Pars është fusha më e madhe e gazit natyror në botë, e përbashkët midis Iranit dhe Katarit, dhe ka një rëndësi jetike për prodhimin energjetik të Iranit.

Tasnim raporton se sulmi ndodhi më herët gjatë ditës së mërkurë.

Raportime të tjera të fundit mbi luftën tregojnë se infrastruktura energjetike iraniane, përfshirë fushën South Pars, është bërë objektiv i sulmeve gjatë përshkallëzimit të luftës në rajon.

Ora 12:17
Izraeli konfirmon vrasjen e ministrit të Inteligjencës iraninae: Askush në Iran nuk gëzon imunitet, janë në shënjestër

Ministri izraelit i mbrojtjes, Israel Katz, ka konfirmuar vrasjen e Ismail Khatib, ministër i Inteligjencës iraniane.

Gjatë ditës priten surpriza të rëndësishme në të gjitha frontet, të cilat do të intensifikojnë luftën që po zhvillojmë kundër Iranit dhe Hezbollahut”, tha Katz, duke njoftuar shkatërrimin e të gjitha urave mbi lumin Litani në jug të Libanit.

Jemi në mes të një faze vendimtare. Politika e Izraelit është e qartë dhe e paekuivokueshme: askush në Iran nuk gëzon imunitet dhe të gjithë janë në shënjestër.”

Ora 11:22
Ministri i Jashtëm i Iranit: Sulmet tona drejt vendeve të gjirit, faji i SHBA! I vendosën bazat ushtarake në hotele e qytete

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha se sulmet iraniane në zonat urbane në vendet fqinje "nuk janë faji ynë", sepse Shtetet e Bashkuara i zhvendosën forcat e tyre nga bazat ushtarake në hotele në ato qytete.

“Disa nga këto vende mund të jenë pranë zonave urbane, ky nuk është faji ynë, është faji i Amerikës. Ata i zhvendosën forcat e tyre nga bazat ushtarake në hotele në qytete; në përgjithësi, është sjellja e Shteteve të Bashkuara që e ka sjellë rajonin në këtë situatë”, tha Araghchi.

Ministri i jashtëm shtoi se Irani nuk kërkon një armëpushim me SHBA-në dhe Izraelin, por përkundrazi "një fund" të luftës tërësisht dhe "në të gjitha frontet".

Ora 10:45
Teherani ekzekuton me vdekje spiunin e Mossadit

Mediat iraniane raportojnë se sot është ekzekutuar një “spiun izraelit”.

Personi, i identifikuar si Koroush Keyvani, u arrestua gjatë luftës 12-ditore me Izraelin në qershor 2025, i akuzuar për transmetimin e imazheve dhe informacionit mbi “vendet e ndjeshme” të vendit te agjencia e inteligjencës izraelite, Mossad.

Raporti thekson se Keyvani u identifikua fillimisht nga shërbimi izraelit i sigurisë në Suedi në 2023, pasi klikoi mbi një reklamë online për udhëtime në grup.

Më pas thuhet se ai u rekrutua nga një zyrtar i Mossad, dhe, pas dy vjetësh trajnimi në gjashtë vende europiane dhe në Tel Aviv, u dërgua në Iran për të kryer operacione.

Ora 10:38
Vrasja e liderëve iranianë, sot ceremonia mortore në Teheran

Një ceremoni mortore për shefin e sigurisë iraniane, Ali Larijani dhe Gholamreza Soleimani, kreun e forcës paramilitare Basij, do të mbahet sot në Teheran, raporton agjencia e lajmeve Tasnim.

Ceremonia, që pritet të fillojë në orën 13:30 sipas orës lokale në sheshin Enghelab të Teheranit, do të mbahet gjithashtu për 84 marinarët që u vranë kur SHBA-te fundosën anijen luftarake iraniane Iris Dena më 4 mars.

Irani njoftoi të martën se si Larijani ashtu edhe Soleimani u vranë në sulmet izraelite, ndërsa kreu i ushtrisë iraniane, Amir Hatami, kërcënoi me hakmarrje “përfundimtare” pas këtyre vdekjeve.

Ora 10:14
Shërbimet sekrete izraelite: Ministri i inteligjencës iraniane, Esmaeil Khatib u vra në një sulm

Sipas një burimi nga shërbimet sekrete izraelite, ministri i inteligjencës iraniane, Esmaeil Khatib, dyshohet se është vrarë gjatë një sulmi të kryer nga IDF gjatë natës në Teheran. Aktualisht, vrasja e tij nuk është konfirmuar, por Iran International, një media iraniane opozitare me seli jashtë vendit, kishte raportuar se Khatib ishte objektivi i synuar i sulmeve izraelite të natës së kaluar në Teheran.

“Jemi në pritje të rezultateve, por premisat janë të mira”, ka deklaruar një burim për transmetuesin izraelit Channel 12.

Ora 09:19
Ofensiva tokësore drejt Libanit, ushtria izraelite përsërit thirrjen për evakuim në veri: Çdo lëvizje në jug, ju rrezikon jetën

IDF përsërit paralajmërimin e saj për evakuim në shkallë të gjerë nga Libani jugor, duke u thënë civilëve se duhet të evakuohen në veri të lumit Zahrani.

Paralajmërimi u lëshua për herë të parë të enjten dhe u përsërit përsëri dje.

Aktivitetet terroriste të Hezbollahut po e detyrojnë IDF-në të veprojë me forcë kundër saj në atë zonë dhe ajo nuk ka ndërmend t’ju ​​dëmtojë”, thotë zëdhënësi i ushtrisë, kolonel Avichay Adraee.

Sulmet ajrore janë duke vazhduar, pasi IDF po vepron me forcë të madhe në zonë. Prandaj, për sigurinë tuaj, ju bëjmë përsëri thirrje që të evakuoni menjëherë shtëpitë tuaja dhe të zhvendoseni menjëherë në veri të lumit Zahrani”, thotë ai.

Çdo lëvizje drejt jugut mund t’ju ​​vërë në rrezik jetën”, shton Adraee.

Ora 09:03
Mediat iraniane: 7 të vdekur nga sulmet amerikano-izraelite në Dorud, 4 të tjerë në zonat rurale

Një sulm amerikano-izraelit ka goditur zonat rezidenciale, civile dhe me popullsi të dendur të qytetit Dorud, duke vrarë shtatë persona dhe duke plagosur 56 të tjerë, sipas zëvendësguvernatorit të provincës për sigurinë, të cituar nga agjencia e lajmeve Tasnim.

Më parë, Tasnim raportoi se katër persona u vranë nga një sulm amerikano-izraelit në zonat rurale në rajonin Chegeni, gjithashtu në provincën Lorestan.

Ora 08:43
Vijojnë sulmet në zonat me civilë në Bejrut, Izraeli nuk lëshon paralajmërime për evakuim

Një sulm i ri izraelit ka goditur lagjen Zuqaq al-Blat në Bejrutin qendror, sipas mediave shtetërore.

Ky është sulmi i dytë në zonën me popullsi të dendur që nga mëngjesi i sotëm, pa paralajmërim. Një shpërthim u dëgjua në të gjithë kryeqytetin dhe re tymi u ngritën nga zona.

Një ndërtesë në Bashoura, gjithashtu në Bejrutin qendror, ishte goditur më parë.

Ora 07:28
Bomba që shkatërrojnë bunkerët, SHBA-të zbrazin artilerinë e rëndë në Hormuz

1773815575_1772540858ngushticaehormuzit.jpg

Ushtria amerikane thotë se ka goditur bazat e raketave iraniane përgjatë Ngushticës së Hormuzit me bomba të fuqishme që janë të afta të depërtojnë bunkerët.

Në një postim në X, Komanda Qendrore e SHBA-ve tha se forcat amerikane kanë “përdorur me sukses disa municione ‘penetruese’ paundësh kundër objektivave të fortifikuara raketore iraniane” përgjatë vijës bregdetare të Iranit në ngushticë.

“Raketat lundruese iraniane në këto objekte përbënin rrezik për transportin ndërkombëtar detar në ngushticë,” thotë ushtria amerikane.

Mbyllja efektive e kësaj rruge ujore nga Irani, përmes së cilës kalon rreth 20% e dërgesave të naftës në botë, ka ndërprerë ndjeshëm trafikun detar dhe ka kontribuar në rritjen e çmimeve globale të naftës.

Bombat e mëdha, të quajtura “shkatërruese bunkerësh”, të cilat thuhet se kushtojnë rreth 288,000 dollarë secila janë më pak të fuqishme se bombat prej 13,600 kilogramësh që SHBA-të përdorën vitin e kaluar kur sulmoi tre objekte bërthamore nëntokësore në Iran.

Ndryshe nga bombat konvencionale, ato nuk janë të krijuar të shpërthejnë në ajër, në tokë apo në sipërfaqe të objektivit. Ato janë të mbështjella me çelik të rëndë dhe të fortifikuar dhe janë krijuar për të depërtuar thellë në tokë para se të shpërthejnë.