Fjalori i Gjuhës Shqipe e ka të vështirë të bëjë dallimin midis shtatore (statujë), statujë (trupore, shtatore), bust (skulpturë), monument (përmendore), dhe përmendore (skulpturë ose vepër arkitekturore). Kuptimi gati i njëjtë midis tyre e bën edhe më të vështirë identifikimin publik të një vepre të tillë arti, e cila në thelb shpreh vlerësimin për një ngjarje ose individ të caktuar. Të tilla krijime gjenden në çdo qytet dhe natyrisht në çdo shtet. Ka modele siç janë shtetet e varfra afrikane ku numri i tyre është minimal, ish shoqëritë komuniste ku ndërtimi i tyre planifikohej politikisht, si dhe shoqëri të hapura ku numri dhe dendësia e tyre lidhet me zgjedhje personale, institucionale dhe me nivelin e kulturës qytetare. Në Paris, Venecia, Vjenë etj, lagje të tëra qyteti ngjajnë memonumente kulture. Në parlamentin britanik gjenden bustet e të gjithë kryeministrave dhe mbretërve, në muzetë amerikane gjenden gjithashtu bustet e të gjithë presidentëve amerikanë.
Shqipëria ka gjithashtu një traditë me shtatoret/bustet/përmendoret. Në fillimet e shtetit të ri shtatorja e parë iu kushtua një koloneli të huaj që dha jetën në mbrojtje të mbretërisë shqiptare.

Në vitet ’20, kur shteti mori formë të plotë nisi të marrë jetë edhe tradita e shtatoreve, fillimisht si nderime publike për figura me rëndësi kombëtare dhe më pas edhe përmendore në kujtim të ngjarjeve të veçanta. Shtetari i parë me bust natyrisht që ishte Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, për të vijuar më pas me ndërtimin e një statuje për Mbretëreshën Teutë, krijuesin e shtetit të ri I.Qemali dhe emra të tjerë me peshë në memorien historike. Gjatë monarkisë shqiptare u ngritën përmendore të reja për personalitete të njohura shqiptare e të huaja, përfshirë Sh.Gjecovin, Ë.Ëilson, për ngjarje me rëndësi si pavarësia, ngritja e flamurit, shpallja e gjuhës shqipe, clirimi i Shkodrës, lufta e Vlorës, etj, por edhe për vetë familjen mbretërore (buste, statuja por edhe kompleksi i varreve).
Ndryshimi i regjimeve solli edhe ndryshim të shtatoreve me sfond politik, sidomos të atyre kushtuar personazheve historike. Italia fashiste eliminoi bustet e mbretit Zog dhe ngriti bustet e veta, pushtimi gjerman eliminoi këto të fundit dhe me vendosjen e sistemit komunist u eliminuan thuajse të gjitha, përfshirë ato të monarkisë shqiptare dhe dy pushtimeve. Sistemi komunist krijoi koleksionin e vet me buste, monumente, lapidarë e përmendore që lidhen me luftën, diktatorin, PPSH-në dhe figura të pranuara prej tyre.

P.sh, u zhdukën bustet e Fishtës, Konicës, Wied, Zog, etj, u hodh në erë varri i nënës së Mbretit; u ngritën buste figurash të larta të regjimit, por edhe të atyre të konsideruar heronj lufte. Deri më 1990 bustet më të mëdha iu kushtuan diktatorit Enver Hoxha, figurave botërore komuniste Lenin-Stalin-Marks-Engels, bashkëpunëtorëve të diktatorit Hysni Kapo apo Gogo Nushi, duke lënë në hije figurat historike me kontribut kombëtar.
Pas 1990 nisi një proces emocional rivlerësimi, edhe ky i motivuar thuajse tërësisht nga kritere ideologjike. Vendin dhe modelin e busteve, shtatoreve dhe përmendoreve të periudhës komuniste e zunë figurat e rehabilituara historike, por edhe figura e ngjarje të periudhës së tranzicionit. Dhjetëra buste, përmendore dhe kujtesa të tilla u prishën, u shkatërruan ose u zëvendësuan. Duke qenë një proces rastësor, pa themele të qarta vlerësimi e analize, gjatë 22 viteve ndodhi që çdo rotacion pushteti të sjellë, - rotacion të busteve, shtatoreve dhe përmendoreve, - dhe kështu, një garë të ashpër politike mbi simbolikën e tyre. P.sh, deri vonë u ruajt në një shkollë busti i Haxhi Qamilit, katër heronjtë e Shkodrës u lëvizën drejt një vendi periferik; busti i Skënderbeut u zhvendos për ti lënë vend A.Zogut; shumë emra rrugësh e shkollash u vendosën për figura kontraversale, shpesh rivalë apo deri edhe atentatorë ndaj njeri tjetrit; shumë prej pllakave nderuese të luftës u shkatërruan; banesa ku lindi Enver Hoxha vijoi të jetë muze etnografik, kurse ajo e Nënë Terezës, Luigj Gurakuqit apo Republikës së Korçës u shkatërruan tërësisht. Selia e parë e krijimit të PPSH iu kthye pronarit, dhomat e para të krijimit të PD u shndërrua në fjetore private; burgu famëkeq i Spaçit u prish dhe ashtu si busti i Th.Germenjit u grabit për skrap pse materiale ndërtimi; u ndërtuan njëherësh busti i Fan Nolit dhe Ahmet Zogut, u ringrit busti i Q.Stafës, etj.

U mbajtën fjalime dhe u bërë ceremoni madhështore për Nënë Terezën por Tirana nuk gjeti vend për bustin e saj, i cili ende dergjet në errësirën dhe periferinë e sheshit me emrin e saj. U kremtua çdo vit 2 prilli por monumenti nderues nuk shpreh asnjë ndjesi e simbolikë nderuese. U financua nga qeveria ngritja e bustit të Azem Hajdarit por ende pas katër vitesh busti I përfunduar qëndron i fshehur në magazinën e MKRS. U mbajtën fjalime patriotike për Adem Jasharin por busti i tij u vendos diku pa kuptim, në mes të rrugës, siç edhe germat e emrit nuk mbijetuan më shumë se një muaj. Politika folklorike dhe interesat politike të ditës shkuan aq larg sa vunë përballë njëri tjetrit përmendoret e ushtarëve britanikë e gjermanë, kur dihet se një palë u vra prej palës tjetër; sa bulevardin Zog I, ai Bajram Curri apo busti i Avni Rustemit dhe Fan Nolit ndodhen brenda një kilometri hapësinor. Kaq absurde e paradoksale u bë procesi i nderimit/çnderimit politik përmes busteve/përmendoreve/pllakateve saqë edhe pse Berisha është kryeministër prej 2005 ende emri i tij figuron si vrasës në pllakatin e ndërtesës së shërbimit sekret në një qytet jugor. Po ashtu në asnjë vend tjetër evropian nuk gjen shtet që ka emëruar shkolla, rrugë apo bulevarde me emra politikësh të gjallë, siç ndodh në një qytezë afër Tiranës.
Janë të pakta rastet (p.sh, përmendorja për dy poetët e pushkatuar në Librazhd) kur veprat përkujtimore bashkojnë cilësinë, simbolikën, hapësirën dhe mirënjohjen publike. Ndërkohë që janë të shumta rastet e abuzimit për arsye politike, personale apo lidhje të tjera të padenja për një shoqëri që pretendon se ka një bilanc historik të gjithëpranuar në 100 vjetorin e shtetit. E njëjta gjë po ndodh edhe këto javë e muaj, kur politika tradicionale, për nevoja emocionale dhe elektorale të ditës, seleksionon mbi preferenca të sundimtarit të radhës - qytetet, figurat e pavarësisë, ngjarjet apo personalitetet historike që duhen nderuar, - dhe anasjelltas, ata që përjashtohen nga ky proces nderimi.

Për më tepër, kjo bëhet në emër të shtetit, nga zyrat e shtetit dhe në përvjetorin e shtetit.
Shpjegimet për këtë bilanc sa tragjik aq edhe absurd për një shtet e shoqëri lidhen me disa faktorë: me mungesën e një sistemi vlerësimi të gjithëpranuar në shoqëri, me kulturën e brishtë qytetare e shoqërore, me rolin përcaktues që imponon politika mbi memorien historike e sjelljen institucionale, por edhe me faktin se vendi trashëgon një traditë po aq problematike dhe klanore nderimi. P.sh, mjafton të shihen varrezat publike në disa qytete, për të parë sesi trafikantë të njohur nderohen me buste e përmendore madhështore; të shihen lulishte qyteti apo lokale luksoze ku pronarët e rastit kanë paguar e ngritur buste për të afërmit e tyre; të shihen rrugët e Shqipërisë për të parë se pas çdo aksidenti rrugor qëndron një pllakatë nderimi; të shihen tekstet historike shqiptare për të parë se vlerat minimale lokale e klanore imponohen si vlera kombëtare; të shihen institutet, shkollat, akademitë, universitetet për të parë sesi kudo, edhe aty, nuk ka kujtesë historike, nuk ka sistem të qëndrueshëm të vlerave, nuk ka lidhje midis emërtimeve, aktivitetit dhe simbolikës publike, siç nuk ka as përpjekje minimale për të krijuar një model të ndryshëm nga ai oriental e klanor.

Shqipëria vjen në 100 vjetor pa një histori shteti të gjithëpranuar, pa një reflektim mbi gabimet dhe meritat e të kaluarës, pa një konsensus nderimi për ata që krijuan shtetin, pa një sistem klasifikimi për ata që drejtuan shtetin, pa një bilanc institucional e kushtetues, pa dallim në qëndrimin ndaj formave eksperimentale të (keq)qeverisjes, pa forcë e kurajë për tu ndarë me dinjitet nga pjesa negative e të kaluarës dhe për rrjedhojë, pa një vizion të qartë për sfidat dhe pritjet e të ardhmes. Lufta e nisur më 1914 për nderimin e kolonelit pozitiv apo rebelit negativ, e pasuar nga ajo midis modelit të Nolit e Zogut, Prishtinës e Konicës; nga ajo midis nacionalistëve e komunistëve dhe më tej, midis komunistëve dhe jokomunistëve apo në tranzicion midis demokratëve dhe socialistëve, vijon të jetë luftë shekullore për buste, përmendore, fjalime patetike, për merita e baltosje, për nderime dhe dënime, për vlera dhe antivlera. Një luks i madh e sjellje orientale për një popull të vogël e të varfër, të cilit kurrë nuk i kanë munguar e nuk do ti mungojnë bustet e vdekura, por që shpeshherë i kanë munguar e i mungojnë bustet e gjalla, burrështetasit demokratë e humanë, vizionarë dhe të moralshëm, atdhetarë dhe evropianë, qytetarë dhe fisnikë, të gatshëm të japin gjithçka dhe jo të marrin gjithçka nga shteti i tyre.

Shkrimi u botua ne numrin e sotem te se perditshmes SHQIPTARJA.com

(Gre.M/Shqiptarja.com)