Eksperti për Çështjet e Sigurisë, Faik Basha, ka deklaruar se presidenti rus Vladimir Putin nuk është dakord me planin e Shteteve të Bashkuara për paqen në Ukrainë, pasi e sheh Ukrainën si territor të Rusisë.

I ftuar në emisionin 'Bota Report' në Report Tv, Basha tha se Rusia nuk ka hyrë në këtë luftë për të humbur. Basha nënvizoi se ai parashikon ndalimin e luftës në kufijtë aktualë, çka do të thotë se Ukraina praktikisht humbet territoret e pushtuara, pa pasur garanci të forta sigurie.

‘Putin thotë nuk jemi dakord me këtë plan të SHBA për paqen. Ai e cilëson Ukrainën si një territor të Rusisë, ka ambicie të tjera, ka një strategji për ta çuar më tej idenë e tij që është më e madhe se Ukraina. Rusia nuk është futur në këtë betejë për të humbur. Zelensky tha se e pranojnë këtë plan. Po Rusia mund të nis një agresion tjetër deri në një asimilim të plotë të Ukrainës. Zelensky e njeh ambicien e Putinit për ta pushtuar më tej Ukrainën. Plani thotë se do ndalojë lufta në kufinjtë ku jemi tani, praktikisht ti e ke të humbur territorin që është pushtuar dhe s’ke garanci. Është një pjesë që do të jetë neutrale, ku as Rusia dhe Ukraina nuk do të ketë forca ushtarake’, tha ai.

Basha tha se Europa i njeh qartë objektivat e Rusisë ndaj kontinentit dhe se falë mbështetjes europiane, Ukraina ka arritur të mbajë territoret që kontrollon aktualisht.

Ai theksoi se lufta ka sjellë humbje të rënda njerëzore dhe ekonomike për të dyja palët.

‘Europa i di objektivat e Rusisë ndaj Europës dhe falë mbështetjes së Europës Ukraina ka arritur që t’i mbajë këto territore që ka tani. Kemi 6 muaj që kemi ndaluar në një vijë luftimi ku Rusia nuk po përparon dhe kjo ka ardhur si pasojë e mbështetjes së Europës ndaj Ukrainës. Ukraina ka humbje të mëdha, nëse kemi 1 mln ushtarë rus që kanë humbur jetën e njëjta gjë është edhe për Ukrainën dhe ka edhe dëme të mëdha ekonomike. Ukraina është gjendur në një luftë që se ka dëshiruar’, tha ai.

Teksa tha se Ukraina në këtë luftë, nuk ka qenë e vetme pasi ka pasur edhe mbështetjen e SHBA dhe NATO, Basha tha se nëse s'do të kishte mbështetjen e tyre do të kishte kapitulluar.

‘Duhet pranuar se nuk po lufton e vetme Ukraina, por nëse nuk do të kishte qenë mbështetja e SHBA dhe NATO dhe vendeve të BE që e kanë furnizuar me pajisje, me para dhe me trajnime të ushtrisë, sot do të kishim kapitullim të Ukrainës dhe fitore të Rusisë, pra Ukraina nuk po përballet drejtëpërdrejt me Ukrainën, por është NATO dhe SHBA nga pas saj’, tha ai.