TIRANE, 5 Qershor/ATSH/- Kryediplomati Ditmir Bushati e konsideron të rëndësishëm angazhimin e NATO-s në rajonin tonë, pasi sipas tij, përbën një garanci kyçe për stabilitet, siguri dhe paqe.
I pranishëm së bashku me Ministrin e Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri në Forumin V për Çështjet e Sigurisë "To Be Secure Forum-2BS", që po zhvillohet në Budva të Malit të Zi në datat 4-6 qershor, Ministri Bushati, mori pjesë në panelin e parë të këtij forumi me temë "Mbi pozicionimin e NATO-s në arenën globale të sigurisë".
Gjatë fjalës së tij, Ministri Bushati theksoi një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me kontributin e NATO-s, në një kohë kur mjedisi i sigurisë në rrafshin global, euro-atlantik, por edhe rajonal përballet me kërcënime të reja.
Ministri trajtoi aspekte të ndryshme që lidhen me kërcënimet që vijnë nga lindja dhe jugu i Evropës. Në këtë kuadër, Bushati theksoi rëndësinë e angazhimit të koalicionit ndërkombëtar, nën udhëheqjen e SHBA-së, në luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit islamik, si dhe nënvizoi angazhimin e vendit tonë dhe organizimi në Tiranë me 19-20 maj 2015 të Ministerialit rajonal kundër ekstremizmit të dhunshëm.
Duke u ndalur tek angazhimi i NATO-s në rajonin tonë, Bushati nënvizoi rëndësinë që paraqet zgjerimi i hapsirës euroatlantike në Ballkanin Perëndimor.
Në fjalën e tij, Ministri Bushati u shpreh se "Shqipëria mbështet politikën e dyerve të hapura, sepse ne besojmë që integrimi euro-atlantik përfaqëson instrumentin më efikas për adresimin e çështjeve të pa adresuara në rajon. Politika e Aleancës për dyert e hapura mbetet elementi kyç për vizionin tonë të përbashkët për një Evropë të unifikuar, të lirë dhe të paqtë".
Ministri uroi që Mali i Zi të marrë së shpejti ftesën per anëtarësim në NATO.
Ministri Bushati nënvizoi gjithashtu nevojën që NATO të ketë një marrëdhënie të institucionalizuar me Kosovën.
Në forum u trajtuan çështje të sfidave të sigurisë globale, sigurisë energjetike, sigurisë në hapësirën euro-atlantike dhe të Evropës Juglindore. Në këtë aktivitet morën pjesë Ministra të Punëve të Jashtme, Energjisë dhe Mbrojtjes nga vendet e rajonit, si dhe zyrtarë të lartë të NATO-s dhe të disa prej vendeve anëtare.
Ministrat Bushati dhe Gjiknuri morën pjesë në takimin e punës për intensifikimin e bashkëpunimit për zbatimin e projektit të gazsjellësit Adriatiko-Jonian. Ata shprehën angazhimin për koordinimin e përpjekjeve për të konkretizuar këtë projekt me rëndësi strategjike për diversifikimin e burimeve energjetike të rajonit dhe Evropës.
Në fund të takimit, Ministrat pjesëmarrës nënshkruan deklaratën e përbashkët mbi realizimin e gazsjellsit Adriatiko-Jonian, e cila parashikon hapa konkretë për zbatimin e këtij projekti madhor.
Ministri Bushati zhvilloi një takim të veçantë me Gjeneralin Amerikan John Allen, i ngarkuari i posaçëm i Presidentit Obama për koalicionin ndërkombëtar kundër ISIL.
Gjatë takimit palët biseduan mbi ecurinë e operacioneve të koalicionit në luftën kundër ISIL dhe shkëmbyen pikëpamje mbi intensifikimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi. këtë sfidë të sigurisë globale./a.gegvataj/











