Lufta në PD, Basha: Të bëjmë armëpushim dhe strategji të përbashkët opozitare! Urdhrat nuk jepen nga kati i tetë

Lulzim Basha iu përgjigj përmes një konference të gjatë për mediat, akuzave të Rithemelimit nga oborri i parlamentit, ku deputeti Flamur Noka e quajti tradhtar. Basha tha se aksioni i Rithemelimit, po zhgënjen shqiptarët dhe po e dobëson opozitën në sytë e tyre.

"Një grusht njerëzish nën radhët e opozitës kanë vënë interesant e tyre personale mbi interesat e vendit e të qytetarëve dhe e kanë dobësuar rolin e opozitës. Në vend të ngjallë besim, ngjall zhgënjim", tha Basha.

I ashpër kryedemokrati ishte edhe për aksionin në rrugë të Rithemelimit, të cilit në protestën e fundit poshtë ballkonit të Sali Berishës iu bashkua edhe Gazment Bardhi. Basha tha se opozita duhet të mbushë bulevardet dhe jo rrugicat.

"Në vend që të derdhet në bulevarde mezi mbush rrugicat. Të thërrasin mendjes dhe të lënë mënjanë interesin personal", u shpreh Basha. 

Për herë të parë artikuloi edhe armëpushimin mes demokratëve, që sipas Bashës në prag të zgjedhjeve dhe përballë skandaleve të qeverisë, i duhet strategji e përbashkët opozitare, jo urdhra nga kati i tetë.

“Nëse donte të bënte kush protestë, duke përfshitë gjithë aksionin opozitar, kjo s’bëhet duke fol nga ballkoni i ‘papës’. Kjo bëhet duke u ulur duke thënë ca do bëjmë bashkë, si do e bëjmë, ca do bëjmë pasi të mbarojë protesta, për ca arsye do protestojmë, kush do na bashkohet. Nuk kanë bërë asgjë prej këtyre, japim urdhrat nga kati i tetë dhe pastaj dalin njerëzit atje dhe fillojnë në vend se të merren me qeverinë, merren me PD. Dolën sot na thonin tradhtar se kërkuam që ti japin para Kosovës për mbrojtjen. Kjo është mënyra për të treguar sa njerëz kam unë, sa njerëz ke ti. Nëse duan të bëjmë gjithçka për të ngritur njerëzit në protesta duhet të hartojmë një strategji që harxhon energji lufte me njëri-tjetrin, të bëjmë akt armëpushimi me njëri tjetrin. Protesta është mjet i domosdoshëm, por duhet të jesh serioz me shqiptarët, hajde në protestë ndërkohë betejën brena vetes i hedh benzinë çdo ditë”, tha Basha.

Ftesën ia ripërsëriti edhe për Reformën Zgjedhore.

“Nëse s’janë për listat e hapura hajde të flasim, se mbase e kemi ne gabim dhe s’duhen. Ndoshta duhet të hedhim në llotari, ose të caktojmë tym i bardh tym i zi kush do e bëjë renditjen. Unë them tua leme qytetarëve, prandaj them listat e hapura dhe të provohet secili, edhe kryetari i partisë", tha Basha.

Rrëzimi i amendamenteve të tij për ndihmë financiare Kosovës nga PS në seancë plenare, Basha tha se është akt dëshpërues i qeverisë Rama.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:38
Basha ironizon Rithemelimin për skenarin e bllokimit: Pranojeni se dështoi, s’po u themi qani para publikut

 

Kreu i PD, Lulzim Basha ka ironizuar skenarin e Rithemelimit për bllokimin e seancave plenare. Në një konferencë për shtyp, Basha u tha se duhet ta pranojnë se ky skaner ka dështuar dhe se nuk kanë arritur asgjë prej tij.

“Kërkuam interpelancë me Edi Ramën për Ahmetajn. Më thoni cili është interesi publik, që të gozhdohet aty, që të bëhet kjo çështje kryesore, apo të nxjerrim gjithë nga një çakmak e të bëhet lajm për dy orë, e pas tre orësh ca ndodh. Qeveria në punë të vet, në vjedhjet e veta, shqiptarët në varfërinë e tyre. Të mblidhemi bashkë t’i rrahim shpatullat bravo sa faqe dogjëm. Këto janë gomarllëqe, nuk mund të sillet opozita kështu. E pamë se ku na çoi kjo rrugë. E pamë më 14 maj, e pamë në Kukës. Kjo është një strategji e dështuar. Mua më takon tu bëj një thirrje të braktisin rrugën e bindjes së verbër ndaj interesave personale. Kush përfiton nga kjo? Edi Rama. Pasi përfiton Rama del dhe bën vetë si hero dhe u thua tjerëve që përpiqen të bëjnë misionin si opozitar që jeni të shitur e të blerë, ndërkohë që je ti që e ke forcuar Ramën, je tubi i oksigjenit të Ramës. Politikën për Ramën dhe kundër interesit të qytetarëve e bëjnë këta. Na takon t’u themi që nuk është kurrë vonë të pranosh që diçka s’po funksionin, s’po themi të rrahin veten më kamzhik, as të qajnë para publikut, por të ndalojnë një strategji që ndihmon Ramën dhe godet opozitën.

Ora 12:32
Reforma Zgjedhore, Basha thirrje grupit të Berishës e Bardhit: Ejani të flasim, cilat janë propozimet tuaja

 

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u bën thirrje grupit Berisha-Bardhi që të ulen e të flasin për Reformën Zgjedhore dhe propozimet e tyre. Teksa grupi Berisha-Bardhi konteston përbërjen e komisionit të Reforormës Zgjedhore dhe duan të vendosin bashkëkryetar Oerd Bykbashin e Rithemelimit, Basha u shtri dorën e bashkëpunimit.

“Nëse s’janë për listat e hapura hajde të flasim, se mbase e kemi ne gabim dhe s’duhen. Ndoshta duhet të hedhim në llotari, ose të caktojmë tym i bardh tym i zi kush do e bëjë renditjen. Unë them tua leme qytetarëve, prandaj them listat e hapura dhe të provohet secili, edhe kryetari i partisë. Prandaj them Shqipëria një zonë elektorale, nuk e duan. Ca propozimi kanë, dy tre katër. Ku jemi në raport me votën e emigrantëve. PD ka çuar një propozim për votim elektronik, se zgjidh problemet brenda dhe jashtë Shqipërisë. Keni propozim tjetër? Do ti administrojë posta? Aneksi i qeverisë për mua është e papranueshme. E dini që këtë pro ka çuar. Si do i as posta, ai të manipulon votat aty jo të postës. E ke gabim, nuk do, ke ndonjë propozim tjetër”, tha Basha.

Ora 12:28
Strategji e përbashkët kundër qeverisë dhe listat e deputetëve, Basha i hapur për bashkëpunim me pjesën tjetër të PD: Mirëpresim këdo që do të kontribuojë

 

Pyetjes së bërë nga gazetarja e Report Tv, Danjela Maloku nëse është i gatshëm të diskutojë me pjesën tjetër të PD për një strategji të përbashkët opozitare, kryedemokrati Lulzim Basha u përgjigj duke deklaruar se është i hapur për bashkëpunim. Ai deklaroi se nuk iu është përgjigjur akuzave të pjesës së Rithemelimit sepse sipas tij nga kjo gjë përfiton vetëm qeveria.

“Nuk jam unë ai që kam përjashtuar dialogun, koordinimin apo bashkëpunimin për një qëllim më të madh siç është përballja ndaj kësaj qeverie. Nuk u jam përgjigjur sulmeve ndaj nesh, sepse askush nuk përfiton përveç Edi Ramës. Të paktën japim kontributin tonë duke mos pasur reciprocitet me llumin që derdh një pjesë kundër pjesës tjetër të opozitës sepse përfundimi është i njëjtë, fërkon duart Edi Rama

Në 9 shtator Berishës i kam thënë ke këto merita, hiqu mënjanë që mos të marrë kostot PD dhe Shqipëria. Qëndrimet e mia nuk kanë qenë kurrë ndaj një individi por në interes të demokratëve.

Gjithë baltën që hedhin ndaj meje e dinë se i kanë gënjeshtër sepse kanë qenë dëshmitarë të çmimit të lartë që kam paguar ndër vite për të ruajtur interesin e demokratëve. Pra mund të them se nuk jemi ne pala që sulmon apo denigron duke çuar energjitë opozitare në shërbim të luftës kundër opozitës”- tha Basha.

Ndërsa sa i takon pyetjes për listat e deputetëve, Basha tha se afatet janë përcaktuar nga Kodi Zgjedhor dhe u bëri thirrje të gjithë personave që duan të kontribuojnë që të jenë pjesë e procesit.

“Mirëpresim afrimin e tyre që duan të kontribuojnë në betejën e ardhshme elektorale. Afatet janë përcaktuar nga Kodi Zgjedhor, PD do kërkojë të afrojë këdo që do të kontribuojë”- shtoi kryetari i PD.

Ora 11:50
Basha thumbon grupin Berisha-Bardhi: Në vend të derdheshit shesheve, mezi mbushni një rrugicë

 

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një deklaratë për mediat ka komentuar protestat poshtë ballkonit të Sali Berishës dhe kaosin në Kuvend. Basha tha se opozita në vend se të derdhej shesheve në protesta, mezi mbush një rrugicë. Kryedemokrati u bën thirrje që të thërrasin mendjes dhe të lënë pas interesat personale.

“Një grusht njerëzish nën radhët e opozitës kanë vënë interesant e tyre personale mbi interesat e vendit e të qytetarëve dhe e kanë dobësuar rolin e opozitës. Në vend të ngjallë besim, ngjallë zhgënjim. Në vend që të derdhet në bulevarde mezi mbush rrugicat. Të thërrasin mendjes dhe të lënë mënjanë interesin personal dhe të bëjnë ca është për t’u bërë në raport me këto probleme. Pastaj shpikin armiq dhe groposen më thellë në vrimën e harresës, përbuzjes. Ne nuk jemi pjesë e kësaj, kemi bërë thirrje dhe kemi paguar një çmim të lartë që kjo mos të ndodhë dhe po bëjmë gjithçka çdo ditë, ca na takon ne. PD të mos shkatërrojë ndjesinë e shpresës por të fillojë të ndërtojë një të tillë përmes qëndrimeve propozimeve, ofertave programore dhe së shpejti një ekipi njerëzish që testin kryesor e kanë për të provuar që janë dhe do të jenë aty jo si mbushës numrash, as interesa personale, por për ti dhënë fund teatrit dhe telenovelave me 5 aktorë e një regjisor, për të projektuar një politikë që në qendër të vëmendjes ka hallet e njerëzve", tha Basha. 

Ora 11:43
Deklaratat e Ahmetajt për inceneratorët, Basha: Kallëzoi me gisht Ramën, të japë dorëheqjen

 

Kreu i PD, Lulzim Basha ka komentuar deklaratat e Ahmetajt për inceneratorët. Basha thotë se Rama duhet të japë dorëheqjen, pas akuzave që ish-zv.kryeministri lëshoi ndaj tij. 

"Votimi kundër i këtij amendamenti përkon me krizën më të thellë që një qeveri ka njohur. Nuk ka ndodhur në asnjë vend që të dalë ish zëvendëskryeministri e të tregojë me gisht kryeministrin si pronar të aferës më të madhe që është hetuar ndonjëherë, inceneratorët dhe të mos ndodhë asgjë. Minimumi në një shoqëri normale, do ishte largimi nga detyra dhe inkurajimi i një hetimi të plotë që do përfshinte personin e treguar me gisht nga 2-shi i tij dhe jo nga opozita.

Ishte hipokrite të mos thonim diçka që e dinë gjithë shqiptarët, pse ky precedent vendoset në Shqipëri, është dhe dobësimi permanent i aftësisë së opozitës për tu marrë seriozisht me problemet e vendit. Ky është edhe luksi i çdo të enjte, që një pjesë e opozitës i dorëzon Ramës dhe është boshti i vetëm që rrotullohet një qeveri dhe një kryeministër është aty", tha Basha. 

Ora 11:28
PS i rrëzoi amendamentin për Kosovën, Basha: Teatër politik, prej 4 muajsh i kalojnë ligjet pa diskutime

Lulzim Basha ka dalë në një konferencë për shtyp pasi u mbyll seanca plenare në Kuvend, ku me votat e PS u rrëzua amendamenti i tij që parashikonte një detyrim të përhershëm të vendit tonë për të ndarë mjete financiare si ndihmë ushtarake për Kosovën.

Basha tha se amendamenti i tij u rrëzua falë teatrit politik, siç ai quan kaosin e Rithemelimit. Kreu i PD thotë se PS po përdor këtë teatër politik për të kaluar prej katër muajsh ligjet pa diskutim.

“Nuk pati mundësi për të kërkuar llogari, për të vënë para përgjegjësi, as [për të shprehur se ku qëndron opozita në raport me hallet e njerëzve. Ky teatër do ishte i pamundur nëse një pjesë e deputetëve të opozitës do vendon interesat e njerëzve se atyre vetjake. Ka katër muaj që kalohen pa diskutime. Sot është kaluar një dokument që quhet strategjia e sigurisë kombëtare. Për një kohë të gjatë jemi mësuar që dok të tilla ti konsiderojmë punë rutinë, nuk është vetëm Shqipëria, por edhe vende të tjera që u dehën nga suksesi i zgjerimit të NATO-s.

Realiteti ku po jetojmë është dinamik. Është bërë e qartë nga drejtuesit e NATO-s, mundësia për një konflikt mes NATO-s dhe forcave të treta s’ka qenë kurrë më e madhe që nga mbarimi i luftës së ftohtë. Shtatori i kaluar na tregoi se sa afër dhe drithërues është probabiliteti i përshkallëzimit të konflikteve, e kam fjalën për sulmin terrorist në Banjskë. Strategjia Kombëtare duhet t’i nënshtrohej një debati publik dhe politik. Nuk dua të bëj kasandrën, por s’ka detyrë më të madhe për një kryefamiljar, për një qytetar, aq më shumë për një përfaqësues politik të vendit se sa të përgatitet për më të keqen kur ajo është shfaq në horizont,. Nuk ka papërgjegjshmëri më të madhe se sa të fshihesh pas ombrellës së NATO-s.

Falë teatrit politik as nuk u diskutua por u hodh poshtë. Amendamenti është ende në rend dite, pro sot u hodh poshtë amendamentin që parashikon një detyrim i përhershëm për të ndarë mjete financiare si ndihmë ushtarake për Kosovën. As unë dhe as ju, as qytetarët nuk urojnë që të vijë me e keqja, pro detyrë e secilit prej nesh është të bëhem gati për më të keqen.

Akti I sotëm është dëshpërues. Është dëshpëruar bataku ku noton kjo qeveri. Sot armiqtë tanë e të Kosovës fërkojnë duart. Votimi sot do të shtronte rrugën për amendimin e buxhetit për të alokuar 50 milion euro ndihmë ushtarake për Kosovën”, tha Basha.

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Loran shehu: 08/02/2024 17:46

    Jepen nga bizneset e kunatit

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë