Lufta për Teatrin, arsyeja gjendet edhe tek armiku më i egër, ekstremet janë mjerim

Lufta për Teatrin, arsyeja gjendet edhe tek armiku më i egër, ekstremet janë mjerim

Kërko të gjesh arsye edhe te kundërshtari më i egër! Nëse në këtë epilog pandemie, dy palët në luftë për Teatrin Kombëtar dhe çdo gjë tjetër të imagjinueshme në këtë vend, do të ndiqnin këtë këshillë të hershme, mund të arrinin në përfundime të çuditshme për mentalitetin e konfliktit dhe ethet e luftës që i ka përfshirë në një spirale pafund.

Duke kuptuar arsyet e kundërshtarit, me shumë gjasë, betimet për progres dhe të drejtë pushteti nga njëra anë dhe flamuri i urrejtjes dhe municioni i dëshpërimit në anën tjetër, do të dukeshin ndryshe. Historia e zakonshme histerike që luhet në këtë skaj të Ballkanit, që pretendon se shkruan histori në çdo frymëmarrje dhe që merr frymë duke ëndërruar historinë, fanelat me heronj e tradhtarë, me engjëj e djaj, me njerëz që i ulërijnë njëri-tjetrit, me bindjen se kanë hipotekën e të drejtës në xhep, është vetëm shkëlqimi i mjerimit primitiv reciprok.

Rrënoja e Teatrit Kombëtar, varri i sapohapur që premtohet të bëhet nesër djep, kërkon dhe meriton më shumë qetësi, paqe dhe racionalitet, duke nisur me reflektimin e parë nga pala që ka forcën. Pala që ka pushtetin dhe paratë, policinë që mbron buldozerët dhe buldozerët që shembin nën hijen e policisë. Edi Rama dhe Erion Veliaj, kjo dyshe e lidhur edhe nga ky pakt që shkon përtej llaçit e tullave, duhet të mirëkuptojnë fillimisht emocionet e artistëve që kërkonin konservimin e Teatrit. Ata duhet të kenë durimin të shohin se si duket Teatri nga sytë e protestuesve, të kuptojnë se pse ata e ndiejnë godinën si tempull dhe veten si idhujtarët e gatshëm që të flijohen mbi të dhe për të.

Rama e Veliaj duhet të gjejnë arsye te dhembja njerëzore dhe dyshimet racionale të të gjithë atyre vajzave dhe djemve që vajtuan prishjen e Teatrit. Nostalgjia për të shkuarën e bën të duket mrekulli edhe hapësirën e qelisë. Edhe nëse Teatri do të ishte thjesht dhe vetëm qeli me mure tallashi, për ata që kanë burgosur aty emocionet, ai është kullë e fildishtë. Edi Rama është i detyruar të bëjë transparencë maksimale për çdo qindarkë të sotme në lidhje me Teatrin dhe pjesën e tokës publike mbas skenës së tij. Ai është i dënuar më pas që të kuptojë emocionet politike të Bashës, Kryemadhit dhe të Metës. Të zhveshur nga pushteti, të distancuar gjithmonë e më shumë nga vendimmarrja direkte apo dhe ndikimi për vendimmarrje në gjithçka ndodh në Shqipëri, ata janë në të drejtën e tyre që të shfrytëzojnë çdo rast për t’i hequr tullën e fundit pushtetit të Ramës. Për të kuptuar emocionet e tyre të sotme, kryeministri duhet të kujtojë emocionet dhe brengën e e tij kur i shembnin mbikalimin te Zogu i Zi, kur dërgonte deputetët të mbronin pallatin e “Dashit” apo dhe neverinë që ndiente kur skuthët e paditur i vunë kazmën ndërtesës më elegante të kryeqytetit, Piramidës, për ta bërë teatër dhe e shndërruan në gërmadhë. Rama duhet të ridëgjojë jehonën e zërit të hajvanëve të kazmës, që donin ta shembnin Piramidën me pretendimin se e kishin ndërtuar komunistët dhe ta ruajë Zoti e të mos tallet, duke thënë për simetri: e prisha Teatrin, sepse e kishin ndërtuar pushtuesit fashistë!

Mbi të gjitha, Rama duhet të kujtojë vetminë e tij therëse kur i grabitën fitoren milimetrike në Bashkinë e Tiranës dhe shihte me tmerr se si xhahilët, të paditurit dhe halldupët me thika spërkasnin rrugën me gjak dashi në mes të ditës, vetëm një qind metra larg Teatrit që ai vetë shembi natën. Kur të mohojë ndërhyrjen e policisë të dielën mbi protestuesit, të mos bëjë krahasimin po simetrik me 21 janarin e një dekade më parë. Nuk mjafton që Sandri i tij i sotëm është pa dyshim më i mirë se Luli i djeshëm, nuk mjafton të jetë i bindur se gazi lotësjellës dhe shkopi i gomës vrasin më pak se plumbat, por të ndiejë në shpinë e në shpirt edhe gazin, edhe shkopin e policisë së Sandrit. Vetëm në këtë mënyrë ai e kushdo tjetër në vend të tij do të ishte udhëheqësi i përkohshëm që duhet jo drejtuesi uzurpator.

Dhe nëse këtë e bën Rama, të njëjtën monedhë duhet të hedhin në ajër edhe urrejtësit e tij. Idealistët e protestës, artistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe të tjerë intelektualë, duhet të tentojnë të hyjnë në logjikën e pushtetit dhe në të nesërmen postfactum të teatrit. Sa të përshtatshëm ishin ata mure për të mbajtur brenda shpirtrat e të mëdhenjve të skenës? A është përgjigjja e duhur ndërtimi jo thjesht në të njëjtin vend të shenjtëruar nga vitet, por dhe shumë më tepër se aq, i një teatri të ri kombëtar, që të japë dinjitet mermeri dhe magji moderniteti. Basha, Kryemadhi, Meta e gjithë armiqtë e Ramës duhet të sjellin në mend se çfarë do të bënin ata në vendin e Ramës. Duke e quajtur atë sot diktator e mafioz, drejtues të një organizate kriminale, të kujtojnë se pse fiks këto fjalë ai i ka shkëmbyer nga ish-opozita e tij.

Për ta kuptuar Edi Ramën sot në pushtet, të sjellin në mend Edi Ramën e çadrës së urisë në opozitë. Çdo demonstrues sot në Bulevard, të rikujtojë sot si dukeshin demonstruesit e djeshëm nga dritaret e zyrave të tyre. Të kuptojnë reciprokisht se vendimet e mëdha në pushtet, duhen marrë duke kujtuar kohën e kaluar në opozitë. Kush e ndien veten sot lart, të rikujtojë kohën poshtë! Pikërisht kjo mungesë kujtese dhe koherence e bën kaq primitive Tiranën e sotme, ku mbas çdo ledhi pushteti, vizatohet pa drojë një tiran meskin. Ata duhet të kuptojnë se fatura e emocionit që kanë firmosur kundër Edi Ramës ka vetëm një sportel për t’u paguar dhe këto janë zgjedhjet.  Bojkotimi i komisionit të zgjedhjeve, sa për një shembull, është vetëm akti i radhës absurd, sepse fiks për shkak të tensionit të situatës, opozita duhet të jetë shumë më tepër e interesuar për përfundimin e reformës zgjedhore. Dhe për ta sfiduar Ramën, jo me retorikë me vija të kuqe, por me kartonin e kuq të jashtëlojës, kur të mundet. Gjithë ulëritësve të tjerë, brohoritësve triumfues në të majtë dhe radikalëve të revanshit ekstrem në të djathtë, atyre që flasin për luftë e betohen për kallashë, të gjithë atyre që pretendojnë se kanë monopolin e të vërtetës, të etikës, të ndershmërisë dhe drejtësisë, moralit dhe zotësisë, duhet t’u thotë dikush se në ekstreme rrinë vetëm b…let: janë të nevojshme, janë pjesë e shfaqjes, marrin pjesë në shfaqje, shtypen, shtyhen, shtrydhen, por nuk hyjnë kurrë në skenë!

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ylli kuq: 21/05/2020 02:45

    ..e pse vetem Zogu zi e Piramida..,PD ne pushtet...shkaterroi e dogji gjithecka...,pasurine e Popullit te vene me djerse 46 vjet...Shqiperia I kishte te gjitha burimet..

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kapshticë/ 5 ditët  e fundit, mbi 42 mijë hyrje dhe dalje në pikën e kalimit kufitar, shqiptarët kthehen në vendlindje për festat

Kapshticë/ 5 ditët e fundit, mbi 42 mijë hyrje dhe dalje në pikën e kalimit kufitar, shqiptarët kthehen në vendlindje për festat