Ushtria amerikane njoftoi se ka ndërmarrë një tjetër valë sulmesh ndaj Iranit, duke shënuar natën e shtatë radhazi të fushatës së saj të rifilluar të bombardimeve.
Sulmet vijnë pasi Teherani lëshoi atë që duket të ketë qenë vala më e madhe e sulmeve që nga dështimi i bisedimeve të paqes, duke shënjestruar aleatët e Shteteve të Bashkuara, përfshirë Katarin, Kuvajtin dhe Jordaninë.
Një këshilltar i lartë ushtarak iranian paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara mund të përballen me ofensivë në shkallë të plotë nëse vazhdojnë fushatën e sulmeve ushtarake. Teherani ka kërcënuar gjithashtu portet kryesore në vendet e Gjirit Persik, në përgjigje të shkatërrimit nga SHBA-ja të një kulle vëzhgimi pranë Ngushticës së Hormuzit, sipas agjencisë gjysmëzyrtare iraniane Fars.
Bombardimet e fundit amerikane kanë goditur disa ura në jug të Iranit. Shumë prej tyre ndodhen në rrugët që lidhen me Bandar Abbas, qytetin bregdetar pranë Ngushticës së Hormuzit , një stacion treni dhe një aeroport në jug të vendit.
Nga sulmet e SHBA-së është njoftuar se 7 persona kanë humbur jetën në Iran, ndërkohë që dëmet e përllogaritura janë të shumta.
Ndërkohë Pasdaranët njoftuan një sulm të papritur në bazën amerikane në Al-Tanf në Siri. Gjithashtu sulme me raketa dhe dronë nga Irani janë raportuar edhe në Kuvajt, Bahrein dhe Katar. Edhe Jordania raportoi se kishte rrëzuar 3 raketa të nisura nga Teherani.
Në Bahrein, ushtria iraniane pretendon se ka shënjestruar avionë amerikanë në një bazë ushtarake. Autoritetet e Katarit kanë raportuar plagosjen e një fëmije, të goditur nga mbeturinat e raketave pasi ushtria e vendit pengoi sulmet e mëtejshme iraniane.

Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një valë të re sulmesh ajrore ndaj Iranit këtë të premte, sipas ushtrisë amerikane.
Komanda Qendrore e SHBA-ve njoftoi përmes rrjeteve sociale se kishte “nisur një seri sulmesh ndaj Iranit.”
Sipas ushtrisë amerikane, sulmet synojnë “të vazhdojnë dobësimin e kapaciteteve ushtarake të Iranit”. CENTCOM nuk dha detaje të tjera lidhur me objektivat apo shkallën e operacionit. Ky njoftim shënon natën e shtatë radhazi të sulmeve të kryera nga Shtetet e Bashkuara.
Mohsen Rezaei, një zyrtar i lartë i Gardës Revolucionare Islamike dhe këshilltar ushtarak i Udhëheqësit Suprem, Mojtaba Khamenei, paralajmëroi Shtetet e Bashkuara për “ofensivë në shkallë të plotë” nëse do të vazhdojnë sulmet ushtarake ndaj Iranit.
“Nëse sulmet amerikane vazhdojnë edhe për dy ose tre ditë të tjera, ne do të hyjmë në fazën e operacioneve të një ofensive në shkallë të plotë. Asnjë kufi politik nuk do të jetë i sigurt përballë forcave sulmuese të Iranit", tha Razei.

Në një intervistë me RedaktionsNetzwerk Deutschland, Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul ngriti mundësinë e zëvendësimit të kontingjentit UNIFIL në Liban me një forcë paqeruajtëse evropiane për të ruajtur stabilitetin sapo të përfundojë misioni i OKB-së.
"Në Evropë, ne duhet të shqyrtojmë marrjen përsipër të sigurisë në Liban kur të përfundojë misioni UNIFIL, me një forcë të mandatuar nga evropianët", tha Wadephul, duke shtuar se situata në Liban, me qeverinë e angazhuar në negociata me Izraelin, përfaqëson "një nga zhvillimet më pozitive në rajon për momentin".
Ndër arsyet pse një takim midis Donald Trump dhe Benjamin Netanyahut nuk është planifikuar aktualisht, është acarimi i presidentit amerikan me disa nga kritikat e kryeministrit izraelit ndaj Shteteve të Bashkuara.
Sipas një zyrtari amerikan të cituar nga Axios, Trump thuhet se u zemërua nga intervista e Netanyahut me Fox Neës, në të cilën udhëheqësi izraelit vuri në dyshim qëllimin e manjatit për t'i shitur Turqisë avionë luftarakë F-35.
Një zyrtar tjetër raportoi se Trump deklaroi se Netanyahu "nuk ka të drejtë" të shprehë mendimin e tij për këtë çështje. Marrëdhëniet thuhet se u ndërlikuan edhe më tej nga paralajmërimi i inteligjencës izraelite për një komplot të ri të supozuar iranian për të vrarë presidentin amerikan gjatë qëndrimit të tij në Ankara për samitin e NATO-s.
Megjithatë, burimet e cituara nga Axios raportuan se shërbimet turke të sigurisë kishin kryer hetime dhe kishin arritur në përfundimin se nuk kishte ndonjë plan specifik për të vrarë Trump në kryeqytetin turk.
Komente






