Luli Bitri: Në Shqipëri përballem 
  me gjëra të patolerueshme

Luli Bitri: Në Shqipëri përballem <br />  me gjëra të patolerueshme
TIRANE- Aktorja Luli Bitri është rikthyer në skenën e Teatrit Kombëtar pas shfaqjes së fundit teatrale në Teatrin e Operas në Romë "Un bacio sul cuore" me regji të Michele Placido me rolin e Terezza Stolz. Aktorja e suksesshme shqiptare që jeton mes Torinos, Romës e Tiranës, është fituse e disa çmimeve ndërkomëbtare në teatër e kinematografi.

Luli Bitri ka ardhur këto ditë në Tiranë për të luajtur rolin e Sharlotës në premierën “Vrasja e Maratit”, që do ngjitet në datat 14 dhe 15 Mars në skenën e Teatrit Kombëtar. Kjo premierë vjen në skenë sipas dramës që mban titullin e plotë “Përndjekja dhe vrasja e Zhan Pol Maratit" të shkrimtarit gjerman Peter Weiss.

Drama që  do të ngjitet në skenë me regji të Arben Kumbaros merr shkak nga një ngjarje historike, një moment i rëndësishëm në historinë e Revolucionit Francez; Vrasja e Maratit. Autori i dramës P. Weiss, i ngacmuar prej kësaj ngjarjeje ngre një pyetje madhore: A është radikalizmi ekstrem ose fondamentalizmi sot zgjidhja për të ndryshuar botën?

Aktorja Luli Bitri në një intervistë për “Shqiptarja.com” rrëfen se duke luajtur në rolin e Sharlotë Korde është ajo që përgatit vrasjen e Maratit. Bitri do të luajë në skenë në marrëdhënie me Hervin Çulin që luan Zhan Pol Maratin, që për disa është tribun i vegjëlisë e për shumë të tjerë përbindëshi gjakatar dhe me Viktor Zhustin që luan markezin De Sade, personifikim i hedonizmit dhe individualizmit ekstrem. Këta dy personazhe historike janë vënë përballë njëri- tjetrit në dramën e Peter Weiss-it, inskenuar në vitin 1808, në kohën e Napoleonit, në çmendinën Sharënton, ku gjendet dhe markezi de Sade që mbahet i mbyllur për shkak të skandaleve të tij publike (fakt i njohur historikisht).

Luli Bitri e konsideron personazhin e Sharlotës një personazh fantastik, por edhe të vështirë. Në dramën “Vrasja e Maratit” së bashku me Luli Bitrin ngjiten në skenë 33 aktorë, ku bëjnë pjesë emra të njohur të skenës si Viktor Zhusti, Sokol Angjeli, Hervin Çuli, Helidon Fino, Flaura Kureta, Indrit Çobani, Gëzim Malkaj, etj, etj. Bitri rrëfen arsyet e rikthimit të saj, marrëdhëniet me rolin dhe aktorët.
 
Zonja Bitri, ju jeni kthyer nga Italia në Teatrin Kombëtar në Tiranë me një rol te “Vrasja e Maratit”. Çfarë keni synuar me këtë rol?
 
-Unë kam qenë shumë e hapur për ofertat që bëhen këtu në Shqipëri. Kur m’u bë oferta nga regjisori, prisja me padurim përgjigjen e audicionit. Është pjesë madhështore gjigante dhe do të ngjitet në skenë nga një trupë e zgjedhur, me të cilën unë kam fatin që po punoj me ta, sepse janë kolegë të adhurueshëm. Personazhi i Sharlotës është një personazh fantastik. Në fillim u tremba, kur e mora këtë rol, sepse ka një peshë dramatike shumë të fortë.

Meqë pjesën e fundit të karrierës e kam të mbushur me role tejet dramatike, isha pak e frikësuar se a mund ta bëja dot. Këto janë dyshimet e një aktori, por them se kam bërë një punë të rëndësishme për këtë rol. Kam bërë udhëtime të brendshme për rolin e Sharlotës. Ajo është një heroinë e revolucionit francez. Sharlota është një besimtare katolike. Përkrah dy artistë dhe vetë ajo vendos të vërë në vend drejtësinë. Ajo mendon se me vrasjen e Maratit iu vjen fundi torturave.

Ajo përfaqëson një nga ato heroina që bëjnë krime për të shpëtuar njerëzimin. Dhe një heroinë e tillë është quajtur si engjëlli vrasës, sepse vret për një botë më të mirë. Vepra vendoset në një spital psikiatrik. Sharlota është një vajzë depresive që gjendet në këtë spital. Autori i dramës i ka dhënë asaj një rol që të bëjë heroinën dhe ky rol bëhet më i veçantë. Ky lloj dualizimi i Lulit si aktore, për t’u futur brenda këtyre dy personazheve, është vështirësia, por është edhe magjia.
 
Le të kthehemi tek aktorët. Janë disa nga emrat më të njohur të të skenës që luajnë me ju. Çfarë mund të na tregoni për bashkëpunimin në role dhe marrëdhëniet e tjera?
 
-Në këtë dramë, duke qenë se këta janë të sëmurë psiqikë dhe janë asocialë nuk lidhen me askënd me njëri-tjetrin. Por është vepra artistike që i lidh. Kështu autori Sharlotën e lidh në një marrëdhënie me Maratin që luhet nga Hervin Çuli. Dhe nuk është marrëdhënie e drejpërdrejtë, është një mënyrë të luajturi në skenë, sepse ajo është vrastarja. Po ashtu Sharlota është edhe në marrëdhënie më Sadin që interpretohet nga Viktor Zhusti.
 
Drama ka një lloj surrealizmi dhe për publikun duhet një mënyrë shprehjeje më e kuptueshme. Këtë nuk e them për ta paragjykuar atë, por për t’ju pyetur sesi ju do arrini të përcillni mesazhet që të jetë më kofidenciale kjo dramë me publikun?
-Vepra “Vrasja e Maratit” është pjesa që do të jetojë shumë gjatë. Pena e autorit është e artë. Peter Weiss i flet revolucinit francez, i flet pranverës arabe, i flet aktualitetit dhe gjullurdisë që po bëhet në Europë në përgjithësi. Unë kur kam lexuar monologje të tëra të kësaj vepre, kam thënë: uaa, ky është monologu ynë. Unë kur kam lexuar pjesën ku “ç’qytet është ky, ku dielli, avujt s’i çanë dot. Madje nuk janë as re shiu, as mjegulle, por një avullim i ngrohtë i dendur si një kasapanë”, kam menduar se ky është një monolog që e dëgjon çdo ditë nga ne në Shqipëri: Po ç’vend është ky?!; Po pse ndodh kjo?!, etj. Pra, ne jemi të habitur përballë të gjitha kronikave të zeza që Shqipëria ka.

Ky monolog bëhet gjithandej, edhe në Itali, edhe në Francë, në Shqipëri. Ndoshta unë vet e them edhe sepse kisha kohë pa ardhur në Shqipëri dhe vij me idealizma, “vendi im”; “Shqipëria ime”; “atdheu im” dhe sapo vij përballem me gjëra të patolerueshme që më bëjnë të mendoj nganjëherë se “ç’është ky vend”, “kush i sajon këto gjëra që po ndodhin”, etj.
 
 
Do të rrini gjatë në Shqipëri?
-Jam këtu vetëm për këtë shfaqje. Pastaj do të vijojë në Itali punën,  sepse jam në pritje të një filmi me një një regjisor italian.
 
Keni bërë audicion për këtë dramë?
 
-Përfolja që u bë se unë kam hyrë pa audiocion, nuk është gjë e bukur për një artiste. Unë erdha këtu për këtë rol dhe po jetoj me qira për të punuar me rolin këtu. Unë erdha për pasion, për dashuri dhe po harxhoj kohën time totalisht, 24 orë në 24 orë për shfaqjen dhe për mua ky është një investim goxha i madh kjo. Për këto zëra më vjen keq se unë nuk kam komplekse ndaj audicioneve dhe audicionet janë pa fund në Itali dhe atje bëëhen edhe audicione të aktorëve shumë të njohur. Unë kam qenë në Shqipëri kur po pëgatitehsa për t’u bërë audicioni. Më ishte bërë email nga regjisori: “Luli dua të jap ty rolin e Sharlotës dhe dua që të shoh.

Dua të provojë edhe nga ana muzikore, meqë ky është edhe muzikal”. Me regjisorin unë kam punuar edhe në 2004-n. Unë e respektova dhe nuk e mora me kompleks një regjisor që donte të më shihte dhe i thashë: Po, por nëse mundeni ta bëjmë para datës që është caktuar se unë do të kthehem  vetëm për katër ditë dhe më prishet punë me biletën e avionit. “Po, -më tha regjosri, -do përpiqemi ta bëjmë audicionin brenda këtyre ditëve që ti je.

Dhe ka qenë Mario Deda që më bëri edhe audicionin për muzikën, se unë në këtë dramë duhej të këndoja këngën “Luleloborë”. Bëra monologun për rolin e Sharlotës dhe u nisa. Pas një jave a dy jave, kur u bë aducioni për të gjithë, u dhanë përgjigjet dhe më erdhi shkrimi “Luli ke fituar”.
 
Vendoset busti i Aleks Budës para Akademisë së Shkencave
 
Në sheshin "Fan Noli" dje para Akademisë së Shkencave u vendos busti i prof. Aleks Budës, Kryetarit të parë të Akademisë së Shkencave dhe figurë e shquar e shkencës shqiptare. Merrnin pjesë personalitete të botës akademike e shumë të ftuar të tjerë.

Fjala e rastit u mbajt nga Kryetari i Akademisë së Shkencave, prof. Muzafer Korkuti, i cili ndër të tjera tha se “Me vizionin e një historiani që sheh thellë e larg, akademiku Aleks Buda, me mendimin dhe veprën e tij e nxori historiografinë shqiptare nga faza parashkencore në periudhën e mendimit historik shkencor.

Prof. Buda udhëhoqi një aksion të madh shkencor të studimeve ndërdisiplinore, të cilat mundësuan ndriçimin e proceseve kardinale historike, si atë të vazhdimësisë iliro-shqiptare dhe të formimit të etnosit shqiptar, të gjuhës e kulturës së tij, të lindjes dhe formimit të shtetit të Arbrit dhe të rolit të shqiptarëve në historinë ballkanike”


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 12 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf