‘’Lumturimi i 38 martirëve katolikë, duhet të shërbejë si mësim për shtetin Shqiptar që të thotë fjalën e vet për krimet e komunizmit’’. Deklarata erdhi nga  kreu i konferencës ipeshkvnore shqiptare, imzot Angelo Massafra gjatë prezantimit të kalendarit të aktiviteteve që i paraprijnë meshës së 5 Nëntorit në katedralen e Shkodrës.

“Unë shpresoj se me festën e 5 nëntorit ne e kemi bërë gjyqin tonë. Unë mendoj se mund të jetë një nxitje që shteti të rishikojë situatën historike. Lartësimi i këtyre martirëve është lartësimi i të gjithë atyre që kanë vuajtur”, tha Imzot Angelo Massafra.
 
Sipas organizatorëve, të pranishëm në bashkëkremtim do te jene disa kardinalë, 20 ipeshkvij nga vende të ndryshme të botës, si dhe rreth 300 meshtarë nga Shqiperia, Kosova, Mali i Zi.

Do jenë të pranishëm në bashkëkremtim 20 ipeshkvij nga 20 vende të ndryshme të botës si dhe 300 meshtarë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi Diaspora dhe vende të tjera të botës”, u shpreh Dom Marjan Shtjefni.
 
Logoja e përzgjedhur për këtë festë ka një simbolikë te veçantë që ndërthur kryqin me palmën dhe sfondin e artë.

“Është një rreth që simbolizon qiellin, botën shpirtërore. Ngjyra e artë që është imazhi i dritës . E kuqja ose e purpurta është ngjyra e serafinëve, simboli i dashurisë hyjnore. Kryqi mbi të gjitha është pema e jetës, palma përfiguron që në fillesat e krishterimit martirin”, tha At Gazmend Tinaj. 
 
Nga ana tjetër famullitari i Shkodrës, Dom Artur Jaku beri të ditur edhe kalendarin e aktiviteteve te parashikuara përgjatë këtyre ditëve që do kulmojnë me Kremtimin e meshës së Lumnimit të 38-Martirëve me 5 nëntor.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com