Bota po ndryshon me shpejtësi të paprecedentë. Çdo ditë ka një lajm të madh dhe tronditës. Lufta në Ukrainë po hyn në vitin e pestë. Aleancat po lëkunden, dhe fuqi të mëdha po flasin gjithnjë e më pak për vlera dhe gjithnjë e më shumë për interesa. Rendi që njohëm pas Luftës së Dytë Botërore, dhe sidomos periudha (fatlume për shqiptarët) pas rënies së murit të Berlinit tashmë i përket historisë. Arkitekti i këtij rendi është sot kritiku më i rreptë i veprës që vetë ka ndërtuar.

SHBA, krijuesja kryesore e rendit pasluftës, sot shfaqet e pakënaqur me produktin e vet. Doktrina “America First”, e artikuluar qartë nga Presidenti Donald Trump, nuk është slogan elektoral, ajo e sheh globalizmin si humbje për interesin amerikan, Bashkimin Evropian si dështim në politikat e migracionit dhe NATO-n si një barrë të pabarabartë financiare. Kur aleatët kërcënohen me tarifa, kur pakënaqësia ndaj NATO-s vjen nga anëtari kryesor, dhe kur pretendimet territoriale vendosen në tavolinë, ajo që dje ishte e pamendueshme sot është e pashmangshme.

Shqipëria dhe shqiptarët kanë një borxh ekzistencial ndaj SHBA. Nga presidenti Ëilson, (1919) që mbrojti shqiptarët në Konferencën e Paqes, te Bill Clinton (1999) për ndërhyrjen në Kosovë, e deri te George Ë. Bush (2008) për mbështetjen vendimtare për anëtarësimin në NATO. Kjo lidhje e ushqyer edhe nga gjysëm milioni shqiptarë që sot janë qytetarë amerikanë, është sa emocionale aq edhe strategjike.

Në të njëjtën kohë, Shqipëria është në rrugën e anëtarësimit në BE. Integrimi Euro- atlantik është projekti strategjik i dekadave të fundit. Anëtarësimi në familjen e BE nuk do të thotë thjesht më shumë fonde, por më shumë rregulla, institucione dhe stabilitet. Afro 2 milionë shqiptarë janë qytetarë të një prej vendeve të BE -së.

Dje, në Davos, Mark Carney i Kanadasë duke iu referuar esesë së Vaclav Havel (Fuqia e të pafuqishmëve) përdori metaforën e “vitrinës”, parullave që i mbajmë për t’u dukur korrektë, ndërsa realiteti pas xhamit është shumë më brutal. Te eseja e Havelit shitësi i perimeve që kishte vendosur në xham tabelën "proletare të të gjithë vendeve bashkohuni", nuk besonte te komunizmi, por nuk donte të kishte telashe.

A ka ardhur koha të pyesim nëse tabela “integrimi euroatlantik”, në vitrinën tonë po shërben si kamuflazh për një dyqan që zbrazet dita-ditës.

Në një botë ku fuqitë e mëdha nuk kanë nevojë të ngrënë zërin për të diktuar, vendet e vogla kanë dy zgjedhje, ose bëhen shumë të zëshme dhe rrezikojnë të injorohen, ose bëhen mençurisht të heshtura dhe shohin "punën e vet" “kokëulur”. Shqipëria nuk ka as peshë për të ndryshuar fatet e globit apo rrjedhën e ngjarjeve, por ka detyrimin të luajë seriozisht për veten.

Aleatët historikë mbeten shtylla, por bota e re kërkon aleanca funksionale. Kërkon artneritete për energji, siguri, teknologji dhe ushqim. Këto janë fjalët kyçe të epokës së re.

Çfarë prodhon sot vendi? Sa jemi të varur nga importet?

Nëse, nesër, shpërthen një konflikt i gjerë, pyetjet do të jenë brutale. A kemi energji? A kemi ushqim? A kemi mbrojtje kibernetike? A kemi rezerva? A kemi pajisje ushtarake, armatim e municione? Çfarë do të prodhojmë në fushën e mbrojtjes?

Në këtë kontekst, koordinimi me Kosovën në fushën e energjisë, mbrojtjes, ushqimit dhe sigurisë është imperativ strategjik. Dy shtete të vogla, me të njëjtën hapësirë gjeopolitike dhe përballë të njëjtit rrezik, nuk mund të sillen si dy vëllezër që secili sheh oborrin e vet kur shtëpia është në flakë.

Shqipëria nuk ka luksin të zgjedhë mes Perëndimit dhe Perëndimit. Mund të vijë dita që duhet të marrë vendime dhe të zgjedhë, siç është rasti Bordit të Paqes, por ndërkohë në një kohë ku secili mendon “o mete për vete”, duhet të fillojmë të mendojmë më shumë për veten. Më mirë pa parulla në vitrinë dhe më shumë mall pas xhamit.

Nëse dyqani ynë mbetet bosh, në tryezën e madhe gjeopolitike do të na përdorin si kusur.
Për mbyllje, vlen të vihet re se sot skena ku përplasen debatet, mospajtimet dhe kontradiktat e rendit të ri global është zhvendosur në Davos, në Zvicër. Një vend që nuk është as anëtar i Bashkimit Evropian dhe as i NATO-s, dhe që u bë anëtar i Kombeve të Bashkuara vetëm në vitin 2002.