Lutja e mrekullueshme e Nënë Terezës për Shqipërinë dhe historia e Nan’s së Këshillit të Mirë

Lutja e mrekullueshme e Nënë Terezës për Shqipërinë dhe historia e Nan’s së Këshillit të Mirë

Nene Tereza duke u lutur te afresku shqiptar i Zojes se Keshillit te Mire ne Genazzano (Itali)

Nuk e dimë se sa shqiptarë që shkojnë në Kishën e Shna Ndout në Laç apo në Malin e Tomorrit, apo në Sarisalltik apo në të tjera vende të mrekullive të mëdha, veç të mirave që kërkojnë për vete, familjarët, të luten e të kërkojnë të mirën edhe për Shqipërinë, këtë tokë të bukur, por të vuajtur, ku kemi fatin të kemi lindur dhe të jetojmë. Shumë prej nesh me siguri e bëjnë, pasi mbarësia, harmonia, shëndeti, gëzojnë më shumë cilindo, kur i prek të gjithë në Shqipëri fillimisht, pastaj edhe më gjërë. Por këtë gjë nuk mund ta dimë me saktësi, pasi lutja është ndër më intimet dëshirë për njeriun.

Një gjë tjetër e dimë me siguri, pasi me 10 qershor të 1993, një shqiptare e madhe, e jona Nënë Terezë e la të shkruar në kishën e Zojës së Këshillit të Mirë në Genazzano, në Itali këtë mrekulli: Ajo u lut me zemër për Shqipërinë. U lut që Zoja e Këshillit të Mirë (apo Nana e Këshillit të Mirë si e quajnë shumë katolikë) të kthehej në shtëpi, të kthehej në Shqipëri, që andej pat ikur në të largëtin 25 prill 1467, kur turqit pushtuan vendin. Aktivistja Brizida Gjikondi me të drejtë e kujtonte dje këtë detaj të çmuar, me rastin e përvjetorit të 112 të Shënjtores tonë të rrallë. Edhe dy shqiptarë të tjerë të mrekullueshëm me vargjet e tyre u lutën për Zojën e Këshillit të Mirë dhe për Shqipërinë, ata janë poeti arbëresh Jul Variboba dhe i madhi At Gjergj Fishta, vargjet e të cilëve do t’i sjellim më poshtë.

Lutja e Nënë Terezës në kishën e Zojës së Këshillit të Mirë në Genazzano ishte kjo: “Maria, Nënë e Jezusit; kthehu në shtëpi, në Shqipëri. Ne të duam, ne kemi nevojë për ty. Ti je Nëna jonë. Kthehu në shtëpi, në Shqipëri. Ne të lutemi”. Dhe kjo është histori, historia e një shqiptareje që kërkon të kthejë farën e mirësisë në vendin e saj të origjinës. E një shqiptareje që lutet që e shenjta të kthehet në Shqipëri, përkundër atyre që me siguri e shkulën duke dëshiruar ta shpëtonin siç dhe ndodhi në të vërtetë pasi, me siguri, afresku i shkulur nga kisha agostiniane në Shkodrën e pushtuar nga otomanët, do të ishte rrafshuar ashtu si shumë kisha e afreske u rrafshuan më pas në Shqipëri deri në rrëzimin e komunizmit.

Te “Shqiptarja” kemi sjellë shkrime të ndryshme historike rreth kësaj ngjarje që përcillet prej shekujsh dhe kushdo mund t’i konsultojë duke kërkuar në arkiv me tag-et përkatëse, (kliko këtu për link) por historia e saj bëhet gjithnjë e më shumë e rëndësishme, pasi ka në thelb mbijetesën, rezistencën, pozitiven, ndërtimin e rindërtimin dhe sidomos frymën e më të mirëve të kombit tonë.

Çfarë thotë legjenda? Ajo tregohet dhe shkruhet me hollësi nga ana tjetër e Adriatikut, ku në mrekullinë e shfaqjes së portretit të Zojës së Këshillit të mirë me Jezusin në krah u përfshinë deri edhe Papë e studiues klerikë të Italisë dhe të Francës. Ngjarja pati një jehonë të jashtëzakonshme dhe pelegrinazhi i devotëve të Zojës së Këshillit të Mirë vazhdon i pareshtur edhe sot e kësja dite në kishën e Genazzanos, ku vazhdon të qëndrojë në mënyrë të mistershme copëza e afreskut që u shkul në të largëtin 1467 nga shpirti i Shkodrës.

Në Genazzano, një vejushë e devotshme e Zojës së Këshillit të Mirë me emrin Petruccia, në shekullin e XV, shiti gjithë pasurinë e saj për të rindërtuar kishën e qytetit. Por paratë po mbaronin dhe kisha nuk po ecte përpara. Banorët po e humbnin durimin, ndërsa vejusha u thonte atyre të kishin besim se çdo gjë do të shkonte në rrugën e nisur. Dokumentet tregojnë se me 25 prill të 1467 koha në Genazzano u bë shumë e bukur, dita e paqtë dhe në qiell, mbi kishë një re mori formën e Shën Mërisë me Jezu Krishtin në krah. Pas kësaj, afresku që thuhej se kishte ardhur nga një Kishë në Shkodër, u shfaq në murin e majtë, i varur sikur fluturonte i pambajtur, ku ndodhet edhe sot e kësaj dite. Legjenda tregon se Zoja e Këshillit të Mirë, e shoqëruar nga engjëjt e la Shkodrën për të shpëtuar nga Turqit dhe u vendos në Itali. Ndërsa, më pragmatikët besojnë se ishin arbëreshët të larguar pas vdekjes së Skendërbeut, të cilët e morën atë për ta vendosur në Genazzano, ku e shpëtuan gjithësesi.

Lutja e Nënë Terezës për kthimin e Zojës së Këshillit të Mirë në Shqipëri, është ajo që i duhet sot Shqipërisë për të mbajtur rreth vetes vlerat dhe mendimet më fisnike që nevojiten t’i sjellin përherë mbarësi. Edhe vargjet e poetit arbëresh Jul Variboba (1724 – 1788)  për Zonjën e Këshillit të Mirë e përjetësuan historinë e saj:

“Rrëtrati it i mir / Skutarin ndëroi, / ma iku e u partir / porsa turku façoi. / Mëpar se të fluturon/ Andej kjo Perëndesh / Lleçenx vate kërkon / Bularëvet arbëresh / Mbiatuth u shkit ka muri / E si zok fluturoi / U shkqit mo se kulluri, /ma muri atje qëndroi. / Një mjegull si kullon / Ditën i kumbanjar, / si zjarrm’ nj’atër kullon / natën i lluminar.”

Ja dhe finesa, ritmi dhe forca e At Gjergj Fishtës në këto vargje:

"Të falemi, o Mri! Virgjina e dlir', / O nana e bukur e K'shillit t'Mir; Ty ndim të kena në kët' shkreti: / të falemi, o Mri, të falemi, o Mri./ Të falemi Virgjin' Nana e Tënzot, / Ndihma e kshtenimit me hire plot;/ T'bin në mend se Zoja e Shkodrës je: / Lutu për ne, lutu për ne! / Lutu, po, e derdhi hiret e m'dhaja / Si n'kohët e moçme n'kishë te Kalaja, / Ku t'lutej Shkodra plot me dobi;/ Të falemi, o Mri, të falemi, Mri! / Lutu, se Shqiptarët, o Zojë, të tanë, / Te Ti e çojnë zanin në Gjenacanë:/ M'shir' për ne thona m'shir' për Shqypni! / Të falemi, o Mri, të falemi, o Mri"!

Kjo lutje shqiptare që nga Shkodra shkon në Gjenacanë me vargjet e lutjet e At Gjergj Fishtës, por dhe nga Gjenacana me lutjen e Nënë Terezës kthehet në Shqipëri, ka krijuar atë lidhjen e përjetshme dhe të veçantë mes Shqipërisë dhe Italisë ku urojmë të sjellë bukurinë dhe mirësinë në vazhdim.

a.m./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë