Fituesi i zgjedhjeve në Hungari, Peter Magyar, ka deklaruar se vendi i tij “do të jetë sërish një aleate e fortë në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, gjatë një fjalimi para mbështetësve të tij në Budapest.
Në sheshin Batthyány, ku mijëra qytetarë ishin mbledhur për të festuar rezultatin zgjedhor, turma brohoriste slogane historike si “Ruszkik, haza” (“rusët, shkoni në shtëpi”), një thirrje e njohur nga revolta hungareze e vitit 1956 kundër pushtimit sovjetik.
Në fjalimin e tij, Magyar theksoi se rezultati i zgjedhjeve përfaqëson një kthesë të fortë pro-evropiane.
“Hungarezët kanë thënë po Evropës. Kemi mposhtur një tirani,” deklaroi ai, duke shtuar se votuesit “i thanë jo frikës dhe tradhtisë”.
Ai e përshkroi fushatën si një betejë të pabarabartë, duke thënë se nisi me pak mbështetje, “si Davidi kundër Goliathit”, por që përfundoi me “një fitore historike”.
Lideri i Tisza-s u bëri thirrje edhe atyre që nuk e votuan, duke kërkuar “unitet kombëtar” pas zgjedhjeve.
Në një tjetër deklaratë, Peter Magyar i kërkoi presidentit të Hungarisë Tamas Sulyok që t’i japë “sa më shpejt mandatin për formimin e qeverisë”, dhe më pas të tërhiqet nga detyra e tij.
Ai gjithashtu iu drejtua kryeministrit në largim Viktor Orban, duke i kërkuar që të mos ndërmarrë asnjë veprim që mund të kufizojë hapësirën e veprimit të qeverisë së ardhshme.
Lajmi kryesor:
Zgjedhjet në Hungari/ Orban pranon disfatën dhe uron rivalin! Numërohen mbi 95% e votave, Magyar fiton me 2/3 e vendeve në parlament








