Shqipëria ka festuar një tjetër sukses të rëndësishëm në peshëngritje. Maida Lozi është shpallur Kampione e Evropës për të rinjtë U-17 në turneun që u mbajt në Prishtinë. Lozi i ka dhuruar ekipit kuqezi dy medalje ari dhe një medalje argjendi.
Maida Lozi e filloi në mënyrën më të mirë të mundshme garën, duke realizuar me sukses të treja provat në stilin e shkëputjes, përkatësist me 82 kilogramë, 85 kg dhe 87 kg, duke merituar medaljen e parë të artë.
Më tej, në shtytje, peshëngritësja shqiptare gaboi provën e parë me 101 kg, por u korrigjua menjëherë, duke realizuar dy prova të shkëlqyera me 101 dhe 105 kilogramë, duke fituar medaljen e argjendit. Ndërkohë, me 192 kg në total, Maida Lozi bëri të sajën medaljen e artë edhe në dygarësh, për të finalizuar një kompeticion me rezultate të mëdha.
Ky rezultat është fryt i punës së sportistes, e cila stërvitet nën drejtimin e trajnerit të saj, Ervis Tabaku, si dhe trajnerit të ekipit kombëtar për të rinj, Florenc Çela.
Pas tre medaljeve nga Antonino Mullisi (1 ar, 1 argjend dhe 1 bronz) si dhe pas dy medaljeve të bronzta nga Esmond Marku, ka qenë radha e Maida Lozit për tre medalje të tjera në kategorinë e peshave deri në 77 kilogramë.










Komente
Komento