Një ditë pas incidentit të ndodhur dje në spitalin e Durrësit ka ardhur dhe reagimi i Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.
Ajo ka dënuar agresionin ndaj mjekut në urgjencën e spitalit të Durrësit, Gerald Kola, i cili u godit teksa kishte ndërhyrë për të ndarë tre persona, të cilët po grindeshin në ambientet e spitalit.
"Dënoj me forcë agresionin e dhunshëm ndaj mjekut në urgjencën e spitalit të Durrësit.
Autorët e sulmit barbar të marrin dënimin maksimal që jep ligji.
Të vendosur në zbatimin e Urdhërit për regjimin e ri në spitale. Asnjë familjar në shërbimin e urgjencës dhe respektim i orareve të vizitave në çdo spital", deklaroi Manastirliu.
Mjeku u godit me tullë në kokë nga familjarët e një pacienti të shtruar në spital.
Pak ditë më parë në QSUT u dhunua një mjek gjë që solli edhe vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë, që kufizoi oraret e vizitavë të familjarëve të pacientëve në ambientet e spitalit