Nga Fieri ku pa nga afër nisjen e punimeve për rehabilitimin e Pediatrisë, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu u shpreh se shumë shprejt do të nisë edhe investimi për rehabilitimin e Pediatrisë së Tiranës, njw investim prej 9 milion eurosh.
“Vëmendja e qeverisë është tek përmirësimi i shërbimit për fëmijët, afër vendbanimit. Jam e kënaqur që rikthehem në spitalin e Fierit, investimin më të ri në këtë spital rajonal që do të transformojë shërbimin për rreth 40 mijë fëmijë në vit”, tha Manastirliu.
Me një kapacitet prej 99 shtretërish, Pediatria e Fierit që pret rreth 100 urgjenca në ditë, do të jetë plotësisht e rehabilituar brenda muajit Janar. Investimi parashikon rikonstruksionin e të gjithë godinës ku ofrohen shërbimet e pediatrisë së përgjithshme, pediatrisë infektive, reanimacionit të pediatrisë dhe urgjencës pediatrike.
E pyetur për shërbimin e mamografisë, Manastirliu deklaroi se aktualisht në qytetin e Fierit po ofrohet shërbimi i mamografisë nëpërmjet mamografit të lëvizshëm, ndërsa shumë shpejt spitali rajonal i Fierit do të pajiset me mamografi stacionare.