Në vend vijojnë të vijnë të tjera doza vaksinash kundër koronavriusit, ku brenda dy ditëve të ardhshme priten 100 mijë doza Coronavac, ndërkohë 11,700 vaksina të Pfizer pritet të mbërrijnë ditën e hënë.
Lajmi u bë i ditur nga Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, gjatë inspektimit të qendrës shëndetësore verore Mali i Robit, në Golem.
Duke folur për procesin e vaksinimit, Manastirliu tha se me ardhjen e dozave të tjera, do të ulet fashat e vaksinimit masiv në 50 vjeç.
Ne jemi duke punuar që përgjatë sezonit veror të kemi një vëmendje të posaçme te vaksinimi. Presim që brenda 2 ditëve të ardhshme të kemi një lëvrim të kontratave të lidhura, do të jenë 100 mijë vaksina të Coronavac që pritet të mbërrijnë në ditët e ardhshme dhe 11700 Pfizer do të mbërrijnë ditë e hënë. Do zgjerojmë fashën e vaksinimit duke ulu grupmoshën në 50-vjeç duke filluar me ata me sëmundje kronike", tha Ministrja.
Gjatë inspektimit në qendrën shëndetësore Mali i Robit në Golem, një prej zonave me fluksin më të madh të pushuesve gjatë sezonit veror, Ministrja e Shëndetësisë tha se 29 qendrat shëndetësore verore kanë nisur të ofrojnë shërbim 24 orë në 7 ditë të javës.
“Prej datës 15 qershor kemi hapur 29 qendra shëndetësore verore, nga Thethi në Ksamil, ku ndër të gjitha shërbimet që ofrojnë këto qendra, kemi shtuar edhe shërbimin e testit të shpejtë, një shërbim i cili do të garantojë kapjen në kohë të rasteve me Covid19 dhe menjëherë do të informohet Instituti i Shëndetit Publik dhe Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor për ndjekjen e rasteve, izolimin e tyre”, tha Manastirliu.